• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 190 *** 22:20    Cosmo *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Shtyhet zgjedhja e drejtorit të Teatrit Kombëtar

Publikuar: 30.01.2013 - 09:33

Prishtinë, 30 janar - Intervistimi i kandidatëve për drejtor të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, është shtyrë për afat të pacaktuar. Këshilli Drejtues i institucionit më të lartë teatror në vend thonë se urdhri për këtë ka ardhur nga Ministria e Kulturës, e cila ka kërkuar kohë që të bëhet verifikimi i kandidatëve konkurrentë. Kjo ka ndodhur, ani pse të gjashtë konkurrentët - drejtoresha aktuale Burbuqe Berisha, Naser Shatrolli, Avni Abazi, Elmaze Nura, Avni Dalipi dhe Mucelja Meshkeran - ishin ftuar për intervistë, për të martën.

Burime të afërta me ministrin e Kulturës, Memli Krasniqi, kanë thënë për gazetën se kabineti është i shqetësuar me fjalët që po qarkullojnë brenda komunitetit artistik, se Elmaze Nura është e favorizuara e Këshillit për t’u zgjedhur në krye të TKK-së, raporton “Koha Ditore”.

“Është e sigurt se Këshilli Drejtues ka ndikime nga jashtë, dhe se tashmë Elmaze Nura ka siguruar tri nga shtatë votat e anëtarëve të Këshillit. Për këtë kabineti është i shqetësuar”, i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti ky burim. “Por MKRS-ja nuk është pro kësaj përzgjedhjeje”.

Ndërkohë gazeta ka mësuar se njëri prej konkurrentëve për drejtor të TKK-së është duke shqyrtuar mundësinë e tërheqjes nga gara, pikërisht për shkak se është i bindur se Nura do të fitojë në këtë garë.

“Nuk mund të bëhem pre, ose argat i atyre që duan të sjellin në krye të TKK-së dikë që ju konvenon”, ka thënë jozyrtarisht njëri nga kandidatët. Shkas për këtë, ky konkurrent merr edhe faktin se 5 nga shtatë anëtarët e Këshillit Drejtues janë punonjës së Fakultetit të Arteve të UP-së, ku është e punësuar edhe Elmaze Nura.

Por vetë regjisorja Elmaze Nura ka thënë se kjo është qesharake.

“Askush nuk mund ta dijë paraprakisht se kush është i favorizuar. Kjo thjesht është diçka paradoksale”, ka thënë Nura. “Këshilli Drejtues ka njerëz profesionistë, dhe e para e punës duhet të dëgjojnë të gjithë konkurrentët dhe më pas të vendosin”, ka shtuar më tej ajo.

Profesoresha në Fakultetin e Arteve, ka bindjen se fakti se kolegët e saj e përbëjnë Këshillin Drejtues nuk i jep përparësi asaj karshi konkurrentëve të tjerë, si dhe për atë se ajo tashmë ka siguruar tri nga shtatë votat.

“Ne jemi kolegë, por unë nuk e marr si diçka që më favorizon. Këto gjëra nuk mund të paragjykohen. Po më duket shumë qesharake që dikush ta thotë një gjë të tillë”, ka thënë Nura.

Konkurrenti tjetër postin e drejtorit të TKK-së, Avni Abazi, thotë se nëse paraprakisht dihen gjërat atëherë pse ka nevojë të bëhet konkursi.

“Nuk kam koment. Por nëse zgjedhja e drejtorit është e ditur qysh në start, në cilëndo rrethanë do të ishte e pahijshme”, ka thënë Abazi. “Nëse kjo është e vërtetë unë do ta shqyrtoj mundësinë e tërheqjes nga gara”, ka shtuar më tej ai.

Në anën tjetër, Zymber Kelmendi, kryetar i Këshillit Drejtues të TKK-së, thotë se nuk e ka ndërmend të merret me këto akuza.

“Është folur për secilin emër veç e veç, dhe Këshillit nuk mund t’i imponohet asgjë. Ky Këshill do ta zgjedhë më të mirin”, ka thënë Kelmendi. “Nuk e kam ndërmend të komentoj atë çka thonë kandidatët. Ne e kemi për detyrë të bëjmë intervistimin dhe do të jemi të njëjtë për të gjithë, nuk ka asnjë favorizim”, ka shtuar ai.

Kelmendi ka thënë se nuk ka shkuar ndonjë ankesë në adresë të tyre kur bëhet fjalë për procesin e zgjedhjes së drejtorit të TKK-së. E sa i përket shtyrjes së ditës së intervistimit, Kelmendi ka thënë se është bërë me urdhër të Ministrisë së Kulturës.

“Vendimin e ka marrë Ministria e Kulturës për shkak të verifikimit të dosjeve të kandidatëve. Në takimin e fundit të Këshillit ne kemi menduar se është kryer kjo gjë, por na është thënë se duhet të shtyhet për shkak të kryerjes së disa procedurave ligjore në Ministri. Ne po presim ndërkohë të na tregojnë se kur mund të bëhet intervistimi”, ka thënë Kelmendi (më gjerësisht në “Kohën Ditore”).

 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 18°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 18°CKryesisht me vranėsira
Shkup 24°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė21°C
Tiranė22°CRrebesh shiu
Shkup26°CMe diell