Ekspozohet Përralla ballkanike e bashkëjetesës

Artikujt tjerė
- Kalendari historik, 19 janar
- Puto risjell të korrigjuar kryeveprën e vet të historisë
- Shpella e Spilesë kthehet në atraksion turistik
- Dje, 545 vjet nga vdekja e Gjergj Kastriotit
- Talia e Flakës gati për festivalin e dramës shqipe
- Flaka e Janarit 2013 nis me ekspozitën e arteve pamore
- Ekspozohet Përralla ballkanike e bashkëjetesës
- Rona në studion ku incizojnë yjet e muzikës botërore
- Vokalisti i Radihead paralajmëron kryeministrin britanik
- Koreografi i skenave botërore pranon ftesën e Baletit të Kosovës
Prishtinë, 18 janar - Në kohën kur Ballkani dhe Turqia ende nuk i kanë sqaruar raportet e tyre historike, trashëgimia kulturore e kësaj bashkëjetese të dhunshme ose jo, është shpërfaqur nëpërmjet ekspozitës së titulluar Përralla ballkanike. Të enjten pasdite ajo është hapur për publikun në ambientet e Muzeut të Kosovës.
Raporti historik mes Ballkanit dhe Turqisë vërehet edhe te ndarja që i është bërë fotografive të ekspozitës. Pushtimi, Adhurimi, Duke jetuar së bashku, Modernizimi dhe Harresa dhe Përkujtesa janë titujt e serive të fotografive të ekspozitës së organizuar nga organizata Ec ma ndryshe.
Megjithatë, për ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, krejt historia ballkano-turke ka të bëjë vetëm me paqe dhe me dashuri mes vete.
Kjo ekspozitë u tregon njerëzve të Ballkanit historinë dhe kulturën tonë të përbashkët, ka thënë Ozan. Sipas saj, këto fotografi nga vende të ndryshme të Ballkanit tregojnë sesi në Ballkan, gjatë shekujve është bërë jetë e qetë dhe e lumtur si shoqëri multikulturore dhe multietnike.
Kjo bashkëjetesë paqësore dhe kjo ndjenjë e bashkëjetesës sot është ajo çfarë na nevojitet për të ndërtuar mirëbesim, tolerancë dhe mirëkuptim, ka shtuar ambasadorja.
Së fundmi, Ministria e Arsimit ka themeluar një komision i cili do ti ndryshojë tekstet e historisë nëpër shkollat fillore dhe të mesme në raport me Perandorinë Osmane, duke hequr fjalët që, siç thuhet, janë fyese.
Për më tepër këto fotografi nuk janë vetëm një koleksion i trashëgimisë kulturore, por edhe na inspirojnë dhe të mos e harrojmë të kaluarën tonë të përbashkët, ka thënë ambasadorja turke.
Megjithatë, trashëgimia kulturore e sjellë nëpërmjet fotografisë, nuk ka asgjë fyese.
Teqeja e Melanit në Gjirokastër e themeluar më 1800 nga Ali Baba, varri i të cilit ndodhet në pjesën e pasme të strukturës kryesore, Gazi Evrenos njëri prej më të famshmëve ndër luftëtarët thuajse të pavarur që drejtoi pushtimin otoman të Ballkanit në shekullin XIV dhe Kreta që konsiderohet si pushtimi më i madh i otomanëve, janë vetëm disa nga 50 rrëfimet që sjellin fotografitë e objekteve të ekspozuara.
Jutta Benzenberg, Samir Karahoda, Kamilo Nollas, Ivan Blazhev dhe Ivan Petroviq janë fotografët të cilët i kanë fotografuar këto objekte të trashëgimisë kulturore, të cilat gjenden në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi. Ekspozita ka qenë e hapur edhe në Prizren, kur, sipas Hajrullah Çekut, nga Ec ma ndryshe është vizituar nga 1 mijë e 500 veta, për vetëm brenda dy javësh. Projekti i ekspozitës tregon peizazhet dhe praninë otomane e cila zgjati për shumë vite në Ballkan. Kjo tregon për ndjenjën e përbashkët, bashkëjetesën fetare e etnike që kontribuon edhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, ka thënë Çeku. Përralla ballkanike përfshin objekte të rëndësishme si Tyrbja e Sulltan Muratit në Mazgit, Xhamia e Sulltan Mehmetit II, Sahat-Kulla në Prishtinë, Xhamia e Sinan Pashës, Hamami i Gazi Mehmed Pashës në Prizren, Ura e Terzive, Xhamia e Ethem Beut në Tiranë, Shtabi Ushtarak Otoman në Shkodër, Ura e Bardhë në Vranjë, Varrezat hebraike në Manastir, Tyrbet e Beratit e shumë të tjera.
Fotografitë janë një dokumentim i veprave, të cilat kërkojnë një vëmendje të shtuar ndaj parandalimit të degradimit të tyre, kjo edhe një thirrje në vete për kujdes profesional ndaj tyre dhe ndaj kësaj trashëgimie kulturore në këto 5 shtete, ka thënë Çeku.
E për ambasadoren e Turqisë në Kosovës, kjo trashëgimi duhet ti bëjë të gjithë më të kujdesshëm që ta ruajnë atë. Dua të theksoj se trashëgimia nuk është vetëm otomane por është vlerë botërore, ka thënë Ozan.





