• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 188 *** 22:20    Anima *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Koreografi i skenave botërore pranon ftesën e Baletit të Kosovës

Publikuar: 18.01.2013 - 09:48

Prishtinë, 18 janar - Ai është udhëheqës i një trupe baleti që ka emër në kryeqytetin e botës. “Në ‘Octet’ koreografia e Michael Mao shpreh shpirtin e muzikës së Mendelsonit, derisa valltarët e mahnitshëm e zënë ëmbëlsinë e tekstit me muzikë”, kishte shkruar “New York Times” për koreografinë e realizuar nga Antonio Fini, drejtor i “Michael Mao Dance”. I lindur në Kalabri të Italisë, Fini është valltar profesionist i “Martha Graham Dance Company” dhe “Whitney Hunter Dance Company”, të dyja në New York. Aktualisht është drejtor i shkollës për vallëzim bashkëkohor “Martha Graham School of Contemporary Dance” dhe ish - valltar kryesor i spektaklit televiziv italian “Fantastico”. Në karrierën e tij, ai e ka sfiduar veten në shumë rrafshe. Por këtë vit e ka nisur ndryshe.

Fini ka pranuar ftesën e Baletit Kombëtar të Kosovës për të realizuar shfaqjen e parë të baletit për vitin 2013, shkruan sot “Koha Ditore”. Nga dita e parë e muajit shkurt ai do të nisë punën për të realizuar premierën e parë me të cilën BKK-ja do të nisë vitin 2013. Një spektakël baleti bashkëkohor, është ajo që premtojnë udhëheqësit e këtij institucioni.

Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se institucioni që ai drejton, sivjet, do të nisë vitin me koreografin italian.

“Antonio Fini është koreograf shumë i njohur italian, i cili momentalisht ndodhet në Amerikë. Kontaktet me të i kemi siguruar përmes miqve tanë. Edhe pse baleti këtu nuk vlerësohet sa duhet, ne kemi miq tanë nëpër botë dhe ata na propozojnë me kë të bashkëpunojmë”, ka thënë Brahimaj.

Ai nuk ka dhënë shumë shpjegime për shfaqjen e parë të Baletit Kombëtar të Kosovës, por ka siguruar që do të jetë një spektakël atraktiv për publikun.

“Nga bisedat që kemi pasur me koreografin, jemi dakorduar të jetë një shfaqje e baletit kontemporan. Ai do të vijë me propozimet e tij dhe do të diskutojmë për detajet”, ka thënë ai.

Brahimaj ka thënë se Baleti Kombëtar i Kosovës për vitin 2013 parasheh të realizojë katër premiera.

“Për këtë vit kemi parashikuar katër premiera. E para me koreografin italian do të jetë në mars, ndërsa e dyta në prill. E dy të tjerat do të realizohen në pjesën e dytë të vitit”, ka thënë ai.

Baleti i Kosovës, i cili sivjet i ka kërkuar Ministrisë së Kulturës mbi 200 mijë euro buxhet, mëton që këtë vit të zhvillohet më tej.

“Shpresojmë që do të kemi rritje buxheti, fillimisht për t’i realizuar projektet që kemi. Meqë përmes punës ekipi ynë zhvillohet edhe artistikisht, edhe teknikisht”, ka thënë ai.

Brahimaj ka thënë se BKK do të shqyrtojë mundësitë që gjatë vitit të prezantohet në festivale në rajon.

“Nga turneu që patëm vitin e kaluar në Turqi kemi marrë premtime që do të kemi ftesa për festa. Por nëpër Evropë e kemi më problem pasi duhet të gjejmë sponsorë”, ka thënë ai.

Ndryshe, Antonio Pio Fini ka lindur në Villapiana të Kalabrisë së Italisë. Nga mosha 16 - vjeçare kishte mësuar të vallëzonte me zjarr.

Ai ka diplomuar në “Teatro Carcano” në Milan. Ka vazhduar studimet në “Martha Graham School of Contemporary Dance”, para se t’i bashkohej trupës “Michael Mao Dance”, në New York. Për këtë të fundit kanë shkruar mediet më prestigjioze botërore. “Mao kombinon një përzierje të stileve personale, me tema dramatike dhe lëvizje koreografike postmoderne”, ka shkruar “Ballet News”.

Në vitin 2011 ai themeloi festivalin “Alto Jonio Dance Festival”. Ai ishte lider i ansamblit “Martha Graham Dance” dhe ka qenë i angazhuar si solist në “Long Island Ballet Theater”, “Boca Ballet Theater” në Floridë etj. Është autor i disa koreografive, në vitin 2005, Antonio Fini ka fituar “Olympics of Dance” në Milano. Më pas është ftuar në Amerikë për t’u angazhuar si koreograf në “New York City Opera”. Në janar të vitit 2011, Fini realizoi videoklipin e parë në bashkëpunim me muzikantin izraelit Noa Guy.

 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 17°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 17°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 16°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė26°CKryesisht me vranėsira
Tiranė29°C
Shkup31°CMe diell