Kthimi shfaqet në kinematë amerikane e ato australiane

Artikujt tjerė
- Kthimi shfaqet në kinematë amerikane e ato australiane
- Filmi i nominuar për Oscar, premierë në Prishtinë
- U2 rikthehet me 10 Reasons to Exist
- Stupcat tërheqin skeçin me zyrtarët e lartë shtetërorë
- Ministria përzgjedh vetë projektet kulturore
- Kalendari historik, 17 janar
- Vdiq regjisori japonez, Nagisa Oshima
- Dan Brown paralajmëron Ferrin
- Sharton Olds merr çmimin T.S. Eliot
- Irani përgatit përgjigjen për Argo
Prishtinë, 17 janar - Festivali i cili ia ka dhënë namin botëror dhe u ka paraprirë çmimeve të tjera ndërkombëtare ia ka vënë kapakun suksesit ndërkombëtar filmit me regji të Blerta Zeqirit e producent Blerim Gjocin, shkruan Koha Ditore. Filmi Kthimi që përthekon rrëfimin e një çifti kosovar që përballet me pasojat e luftës së fundit në vend, do të shfaqet në kinematë amerikane dhe ato australiane, gjatë këtij muaji. Kthimi shfaqet në kinematë e SHBA-së në kuadër të programit Sundance Art House, që organizohet nga festivali i filmit Sundance, ku para një viti filmi kishte marrë çmimin në kategorinë e filmave të shkurtër. Më 15 janar filmi do të shfaqet në Orlando, teksa më vonë do të shfaqet edhe në Bellingham, Brookline, Oklahoma, Columbia, Michigan e shumë vende tjerë. Nëpër kinematë amerikane filmi do të shfaqet deri me 1 shkurt. Po gjatë kësaj periudhe filmi do të shfaqet edhe në kinematë australiane. Për regjisoren e filmit, shfaqja e Kthimit në kinematë amerikane është e rëndësishme dhe një e arritur e madhe.
Sidomos kur e di se sa e vështirë është për një film të shkurtër që të gjesh distribucion në kinema. Qëllimi kryesor i filmave është që ata të shfaqen në kinema, ka thënë Zeqiri. Sipas saj, filmat e metrazhit të gjatë marrin pjesë nëpër festivale në mënyrë që të gjejnë distribucion për t'u shfaqur më pastaj në salla të kinemasë. Ndërsa për filmat e shkurtër, sipas saj, festivali është pothuajse kanali i vetëm i distribuimit. Që një film i shkurtër të distribuohet në kinema, është sukses i jashtëzakonshëm, ka thënë Zeqiri. Regjisorja dhe producenti i Kthimit, Blerim Gjoci, gjatë vitit të kaluar kishin pasur mosmarrëveshje për autorësinë së filmit.
Përderisa Gjoci nuk e ka hapur telefonin, Zeqiri ka thënë se të ardhurat nga biletat e festivalit do të duhej të arkëtoheshin nga festivali Nine Eleven, të cilin e drejton Gjoci e që ia ka subvencionuar filmin.
Unë dhe asnjë anëtar i ekipit të filmit nuk do të jetë prezent në asnjërën nga shfaqjet e filmit, ka thënë Zeqiri. Megjithatë, ajo shpreson se publiku amerikan do ta mirëpresë filmin Kthimi. Shpresoj që filmi me ngjallë interesim të ngjashëm me shfaqjet në të cilat kam qenë prezent nëpër festivale, ka thënë Zeqiri.
Kthimi është shpallur fitues edhe në Festivalin e filmave të shkurtër në New York.
E përderisa nga Amerika nuk do të ketë kush të tregojë sesi e ka pritur publiku, nga Australia, Zeqirit do ti raportojë një mike e saj. Po pres nga shoqja dhe kolegia Arta Muçaj që të më tregojë se si është pritur filmi, meqë ajo do të jetë prezente në shfaqje, ka thënë Zeqiri.








