Njëra nxënëse në QKUK në gjendje të rëndë (Video)

Artikujt tjerė
- Gjendet i vdekur një 36-vjeçar
- Arrestohen dy të dyshuar për një vrasje në Doblibare
- Arrestohet sulmuesi i avokatit Leka, një muaj paraburgim
- Njëra nxënëse në QKUK në gjendje të rëndë (Video)
- EULEX heq dorë nga akuza në një rast korrupsioni
- Dritan Lamaj hetoi vëllezërit Frroku për vrasje në Belgjikë
- Frroku e Jaku 40 ditë paraburgim, i kërkon edhe Interpoli
- Arben Frroku sot sillet urgjent me helikopter në Tiranë
- Gjashtë muaj burg për tentuesvrasësin Slobodan Kostiq
- Strugani kapet me 1.7 kg marihuanë
Pejë, 1 mars (E plotësuar) - Janë lënduar 32 nxënës të shkollave fillore të Pejës gjatë një koncerti humanitar. Dy prej tyre po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Një nga nxënëset që po trajtohet në këtë qendër është në gjendje të rëndë.
Mjeku kujdestar, Lulzim Hoti ka thënë se pacientja është duke u trajtuar dhe se gjendja e saj është ende e rëndë.
Në videon e KTV-së, shihet çasti kur këta nxënës kanë përfunduar kështu derisa prisnin të merrnin pjesë në koncertin humanitar në palestrën Karagaçi të Pejës.
Në Spitalin e Pejës nga 30, sa po trajtoheshin, vetëm 6 kanë mbetur për mjekim të mëtejshëm. Drejtori i spitalit, Skënder Dreshaj ka thënë se tërë personeli mjekësor u ka ofruar ndihma këtyre nxënësve. Ky incident është shkaktuar kur turma e nxënësve po hynte në sallën e sporteve Karagaçi në Pejë, me çrast rrethojat e metalta të shkallëve janë prishur.
Të lënduarit në Spitalin e Pejës i ka vizituar edhe kryetari i Komunës, Ali Berisha. Me rastin po merret edhe Policia e Kosovës, e cila ka nisur hetimet. Të lënduarit në QKUK dhe ata në Spitalin rajonal të Pejës i ka vizituar edhe ministri i Shëndetësisë Ferid Agani.
16:27: Dy të lënduar më rëndë po trajtohen në QKUK
Pejë, 1 mars (E plotësuar) Në një komunikatë të dërguar para pak çastesh nga Policia rajonale e Pejës, thuhet se fatkeqësia e sotme në sallën e sporteve Karagaçi ka ndodhur rreth orës 13, kur është rrëzuar mbrojtësi anësor (gilinderët) e tarracës hyrëse të palestër, ku ndodheshin rreth 5 000 nxënës të shkollave fillore të komunës së Pejës, të cilët ishin tubuar aty për një koncert humanitar, organizuar për të ndihmuar një vajzë të sëmurë nga Deçani. Me këtë rast kanë pësuar lëndime dhjetëra persona të gjinive dhe moshave të ndryshme,shumica nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të komunës së Pejës.
Sipas të dhënave të policisë, në hyrjen AB ishte një numër i madh i nxënësve dhe si pasojë e kësaj,mburoja e metaltë është shkëputur tërësisht nga betoni, me çrast edhe janë rrëzuar nxënësit, të cilët kanë pësuar lëndime trupore.
Të gjithë të lënduarit janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal Pejë për tretman mjekësor dhe në këtë spital janë ekzaminuar 32 persona, dy nga këta janë dërguar për QKUK në Prishtinë, gjashtë janë në spitalin Rajonal Pejë për kurim të mëtutjeshëm, ndërsa të tjerët, pas dhënies së ndihmës së parë, janë lëshuar për në shtëpi.
Ekipet hetuese, nën mbikëqyrje të prokurorit përkatës, janë duke punuar për të mësuar të gjitha rrethanat lidhur me këtë rast, thuhet në komunikatën e Policisë rajonale të Pejës.
Rrënohet rrethoja e shkallëve në Karagaç, mbi 20 nxënës të lënduar
Pejë, 1 mars - Rreth 20 filloristë të shkollave fillore të Pejës janë lënduar, dy prej të cilëve thuhet të jenë në gjendje të rëndë, pasi mbi ta ka rënë një pjesë e rrethojës së shkallëve të palestrës së sporteve Karagaçi, ku po mbahej një koncert humanitar. Pjesa e shkallëve është shembur gjatë koncertit.
Në koncert ishin të pranishëm edhe mësimdhënës e prindër të nxënësve.
Rastin e ka konfirmuar për KTV-në zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj.
Janë mbi 20 nxënës të lënduar, dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë, ekipi mjekësor ka reaguar. Nxënësit po kurohen në spitalin e Pejës, ka thënë Ibraj.










