Policia heton dhënien në shfrytëzim të pronës komunale

Artikujt tjerė
- Policia heton dhënien në shfrytëzim të pronës komunale
- Nis funksionalizimi i hidrocentralit Dikanca i Dragashit
- Në kryeqytet Ti parko, na grith
- VV: Të nisin hetimet për keqpërdorimin në ndërtimin e shesheve në Prishtinë
- Vushtrri: Kryetari Mulaku paralajmëron tërheqje nga politika
- Mbi gjysmë metri borë në Deçan
- KDI-ja e cilëson menaxhimin e buxheteve komunale me defekte
- Departamenti amerikan i Drejtësisë ndihmon rreth sigurisë Vitinë
- Ferizaj përzgjedh 3 kompani për mirëmbajte rrugësh
- Kuvendi i Malishevës miratoi në parim propozimin për emërtim rrugësh
Prizren, 10 dhjetor - Shqetësimet e ngritura nga shoqëria civile në lidhje me praktikat e muajve të fundit të ekzekutivit dhe të legjislativit lokal të Prizrenit për dhënien në shfrytëzim dhe shkëmbimin e pronave publike kanë nisur që të hetohen nga Policia e Kosovës. Dyshimet për parregullsi, si në formimin e organeve të KK-së e po ashtu edhe në procedurat e dhënies së pronës komunale, që janë bërë publike nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tashmë janë në shqyrtim e sipër nga hetuesit policorë. "Në bazë të dyshimeve të ngritura nga monitoruesit e punës së pushtetit lokal, Prokuroria e Qarkut të Prizrenit ka autorizuar hetuesit që t'i hulumtojnë disa raste dhe t'i raportojnë organit të akuzës për të gjeturat", ka thënë një prokuror në kushte anonimiteti. Këtë e kanë konfirmuar edhe monitoruesit e KDI-së, të cilët kanë pranuar se janë intervistuar nga hetuesit e Policisë rajonale të Prizrenit, në lidhje me dyshimet e ngritura për veprime joligjore nga zyrtarët komunalë.
"Ne e përshëndesim reagimin e Prokurorisë për sqarimin e këtyre rasteve dhe konsiderojmë se është një veprim në drejtimin e duhur, për dallim nga angazhimi i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që nuk është sa duhet energjik. Shpresojmë që hetimet të shkojnë deri në fund dhe të kthehet ligjshmëria në pushtetin lokal të Prizrenit", ka thënë koordinatori i KDI-së, Naim Cahanaj.
Muaj më parë, KDI-ja gjatë monitorimit të KK-së së Prizrenit kishte konstatuar se Komisioni i KK-së për dhënien e pronës komunale është në kundërshtim me udhëzimin administrativ 2012/02, dhe kishte kundërshtuar ndërrimin e pronës komunale me atë private si dhe kishte shprehur qëndrimin se kryetari i komunës, Ramadan Muja, ka shkelur ligjin me hyrjen në partneritet publiko-privat me ndërtuesit e banesave kolektive pas fillimit të punimeve dhe pas uzurpimit të pronës komunale, që është tentuar të mbulohet me miratimin nga KK-ja.
KDI përmes raporteve të ndara ka theksuar se prona e paluajtshme publike komunale jepet në shfrytëzim në procedurë të hapur, transparente dhe jodiskriminuese përmes ankandit të hapur publik duke u bazuar në ofertën ekonomikisht më të favorshme për komunën dhe qytetarët e saj, parim ky që sipas monitoruesve nuk është aplikuar në praktikë. Madje duke cituar dispozitat e ligji mbi partneritetet publiko-private dhe koncesionet në infrastrukturë dhe procedurat për dhënien e tyre, KDI ka vlerësuar se ato i nënshtrohen parimit të trajtimit të barabartë, mosdiskriminimit, transparencës, proporcionalitetit, ekonomicitetit, efikasitetit, mbrojtjes së interesave publike, konkurrencës së lirë dhe vlerës për paranë.
"Kryetari i Komunës së Prizrenit ka shkelur parime bazë të ligjit ngase ofertat për hyrje në partneritet publiko-privat, në së paku dy raste, kanë ardhur nga investuesit e ndërtimeve kolektive pas fillimit të punimeve; ku investuesit kanë gjetur edhe një formë tjetër që interesin e tyre komercial ta rrisin duke uzurpuar pronat publike", ka thënë Cahanaj.
Kjo organizatë i pati bërë thirrje në disa raste MAPL-it që "dhënia e pronave komunale në Prizren, në kundërshtim me UA 2012/02, të shpallen të pavlefshme dhe të mos krijojnë asnjë efekt juridik, me qëllim që të mbrohet interesi i komunës dhe qytetarëve e assesi interesi i grupeve të ndryshme që kanë për qëllim minimizimin e vlerës së pronës komunale".
Në lidhje me pretendimet e KDI-së pati reaguar vetëm kryetari i komisionit të KK-së për dhënien e pronave komunale, Masar Shala, i cili pati shprehur mospajtimin me konstatimet e dhëna, duke theksuar se "ato nuk janë të qëndrueshme" për shkak të "interpretimit jo të saktë të ligjit". Njëkohësisht i pati bërë thirrje KDI-së që të jetë më korrekte gjatë monitorimit dhe raportimit rreth KK-së së Prizrenit.







