• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 189 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 5 *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Privatizimi në Kosovë, edhe serbët marrin pjesë në tenderime

Publikuar: 09.03.2013 - 13:18

Prishtinë, 9 mars - Agjencia Kosovare e Privatizimit është duke zhvilluar procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe zonat e banuara me shumicë serbe.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, thotë se edhe në të kaluarën agjencia ka privatizuar dhe aktualisht po privatizon ndërmarrje dhe asete edhe në vendbanime me shumicë serbe. Sipas tij, ka gjithashtu numër gjithnjë e më të madh të ofertuesve serbë që po marrin pjesë në procesin e privatizimit.

“Së fundi, përmes shitjes së aseteve nr. 16 kemi tenderuar një aset të ndërmarrjes shoqërore që gjendet në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, kurse ofertuesi më i lartë apo fituesi i përkohshëm është nga nacionaliteti serb. Pastaj, kemi tenderuar, po ashtu në këtë valë të shitjes, një aset në vendbanime me shumicë serbe në Brezovicë, në komunën e Shtërpcës”.

“Me shitje të aseteve nr.17 kemi tenderuar asete që gjenden në Gushtericë, në Babimoc, në Kllokot. Kemi tenderuar asete edhe në Zveçan, ndërsa edhe në këtë rast blerësi i përkohshëm është nga nacionaliteti serb”, tha Kaloshi për Radion Evropa e Lirë.

Por, për të gjitha këto privatizime, sipas tij, pritet vendimi i Bordit të drejtorëve, në mbledhjen e ardhshme.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike theksojnë se një ndër sfidat e kësaj agjencie gjatë funksionimit ka qenë privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në zonat e banuara me shumicë serbe.

Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik, tha se privatizimi duhet të jetë unik dhe të realizohet në bazë të ligjeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Prandaj, kjo agjenci, thotë Limani, duhet të privatizojë pronat e ndërmarrjeve shoqërore dhe atyre publike, pa dallim përkatësie nacionale.

“Unë mendoj se është një e metë e instancave tona shtetërore, përkatësisht e organeve përkatëse, që duhet të merren me këto gjëra dhe nuk mund të jetë askush mbi ligjin, do të thotë asnjë person pa marrë parasysh pozitën politike, shoqërore, institucionale etj. Shteti duhet të veprojë ashtu siç e jep Kushtetuta dhe ligjet”, vlerësoi Limani.

Mosprivatizimin e ndërmarrjeve shoqërore në lokacionet e banuara me shumicë serbe, sipas Limanit, e dëshmon fakti i mosprivatizimit të kompleksit turistik “Brezovica”, megjithëse përgatitjet për këtë kanë filluar qysh në vitin 2006.

“Brezovica është e 'paprekshme' për arsye se gjendet në kuadër të komunës së Shtërpcës, e cila është e banuar kryesisht me serbë. Kjo nuk duhet të tolerohet, sepse Shtërpca është në Kosovë, nuk është në Serbi, as Maqedoni, as Shqipëri, as Bullgari, por është në Kosovë. Prandaj, asnjë komunë nuk ka kompetenca për gjëra të tilla, as Komuna e Shtërpcës, as e Ferizajt dhe as Gjilani. Këto kompetenca me ligj i janë dhënë AKP-së, prandaj kjo agjenci është bartëse dhe realizuese e proceseve të privatizimit edhe të ndërmarrjeve publike dhe të atyre shoqërore”, theksoi Limani.

Zyrtarë të AKP-së thonë se në tenderët që i zhvillon kjo agjenci marrin pjesë blerës nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe komunitetin serb.

Këtë të drejtë të pjesëmarrjes në tenderët për shitjen e ndërmarrjeve dhe aseteve të tyre e ka të garantuar çdo ofertues i cili dëshiron të jetë pjesëmarrës në proceset tenderuese të AKP-së dhe që i plotëson kriteret e paracaktuara me ligj e akte nënligjore.

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 19°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 19°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 20°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė19°C
Tiranė19°C
Shkup26°CRrebesh shiu