Sektori privat, pa suksese të dukshme

Artikujt tjerė
- Dëmtimi i bagazheve irriton udhëtarët në Aeroportin e Prishtinës
- Falimenton City Park në Shqipëri
- Rënie e mëtutjeshme e eksportit kosovar
- Sektori privat, pa suksese të dukshme
- Blerësi i Distribucionit këshillohet të zvogëlojë numrin e të punësuarve
- Gazsjellësi TAP, më 13 shkurt nënshkruhet marrëveshja
- Viezzoli: BERZH do ta ndihmojë Kosovën
- TAP çel tenderin për investime në Shqipëri
- Ende pa marrëveshje për punësim sezonal në BE
- Dhjetë vjet pas, privatizimit nuk i shihet fundi
Prishtinë, 3 shkurt - Roli i sektorit privat , posaçërisht i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, ka qenë relativisht i dobët, thonë pronarë të kompanive private dhe ekspertë të kësaj fushe.Pavarësisht kësaj, sipas tyre, ndërmarrësia dhe krijimi i bizneseve të vogla pritet të luajë rol thelbësor në rrugën drejt një ekonomie moderne të tregut të lirë, rrjedhimisht drejt zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.
Një ndër këto ndërmarrje është kompania Vëllezërit e Bashkuar, në komunën e Prizrenit, e cila është e licencuar për prodhimin e produkteve për ndërtim dhe për shërbime, kurse të punësuar ka rreth 70 punëtorë.
Drejtori i kësaj ndërmarrje, Sefer Susuri tregon se fabrika ka pasur shumë vështirësi për të qëndruar në treg, edhe pse paralelisht, sipas tij, ka ruajtur cilësinë e produkteve që i prodhon.
Susuri tha për Radion Evropa e Lirë se ekonomia joligjore, normat e larta të kredive dhe mungesa e energjisë elektrike vështirësojnë punën e kësaj kompanie.
Edhe njohës të kësaj fushe thonë se sektori privat nuk ka arritur ndonjë sukses të dukshëm.
Naser Grajçevci, dikur kryeshef në Agjencinë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) në MTI, thotë se problemet fillojnë që nga dogana, Administrata Tatimore e Kosovës, komunat, pastaj procedurat burokratike dhe mungesa e financave.
Megjithatë, i rëndësishëm, sipas tij, mbetet fakti se autoritetet kompetente e kanë ngritur këtë çështje si problem.
Por, kjo nuk është e tëra, sepse ambienti biznesor në Kosovë duhet të mbështetet nga politikat institucionale. Duhet të krijohet një ambient i favorshëm, nëse nuk ka qasje të mirë në financa, nëse nuk ka perspektivë apo zhvillim të bizneseve në Kosovë, apo ngufatje nga inspektoratet e ndryshme, të mos përmendi edhe dukuritë, për të cilat tashmë po flitet haptas, dukuritë e abuzimeve dhe format korruptive, shprehet Grajçevci.
Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë thonë se e dinë rëndësinë e ndërmarrjeve të vogla e të mesme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe se nuk kanë munguar angazhimet në këtë rrafsh.
Arta Istrefi, këshilltare politike për media në MTI, thekson se ka pasur shumë aktivitete në përmirësimin e gjendjes së NVM-ve.
Si sukses të arritur së fundi ajo përmend projektin trevjeçar, të quajtur Programi për Promovimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, që ka për qëllim promovimin e zhvillimit të sektorit privat dhe mbështetjen e konkurrencës së këtyre ndërmarrjeve.
Gjatë periudhës trevjeçare, sa do të zgjasë ky projekt, do të realizohen tre objektiva kryesorë. I pari është asistimi në përforcimin e përkrahjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në radhë të dytë, ofrimi i këshillave dhe trajnimeve për bizneset fillestare dhe atyre ekzistuese, ndërsa objektiv i tretë i këtij projekti mbetet skema e garantimit të kredive, që ka për qëllim përmirësimin e bizneseve vendore në qasjen në financa, sqaron Istrefi.
Më shumë se 90 për qind e ndërmarrjeve në Kosovë janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, ndërkaq mbi 50 për qind e të gjitha këtyre ndërmarrjeve operojnë në sektorin tregtar, që karakterizohet me investime të vogla dhe joproduktive.
















agimi04.02.2013/11:34
disa her e kame cek se dimatn qe po perfiton Greqia me dredhina nga BE po demton bisnezet shqipter me konkurenc qmimi