Brezovica në pritje të shprehjes së interesit të investitorëve

Artikujt tjerė
- Brezovica në pritje të shprehjes së interesit të investitorëve
- Ekonomia spanjolle vazhdon rënien e lirë
- Bota vjet njohu mbi një miliard turistë
- BQK-ja nis publikimin e pasqyrave për mikrofinancat
- Për kompanitë që shkelin rregullat e zonave ekonomike, dënime 2-10 mijë euro
- GAP sugjeron investime në energji, transport e bujqësi
- KDI përshëndet ndërprerjen e tenderit për citostatikë
- Greqia ka dalë nga zona e rrezikut
- AKK hetoi 80 zyrtarë për konflikt interesi
- OSHP-ja i jep ultimatum Ministrisë së Kthimit
Prishtinë, 30 janar - Pas paralajmërimeve të autoriteteve kompetente për përshpejtim të proceseve kyçe për privatizimin e kompleksit turistik në Brezovicë, njohës të çështjeve turistike dhe ekonomike e vlerësojnë hap të qëlluar por të vonuar.
Kompleksi turistik Brezovica gjendet në rajonin e Shtërpcës - rajon ky i banuar me shumicë serbe, ndërsa përgatitjet për privatizimin e këtij kompleksi kanë filluar qysh në vitin 2006.
Ditë më parë Komiteti Drejtues Ndër-ministror për projektin Brezovica ka aprovuar inicimin e procedurave të prokurimit, përkatësisht publikimin e shprehjes së interesit për identifikimin e investitorëve për këtë projekt.
Zekë Çeku, njohës i çështjeve të turizmit, e konsideron vendim të qëlluar, pasi sipas tij, për të ringjallur qendrën e skijimit në Brezovicë urgjentisht duhet të përshpejtohet procesi i privatizimit.
Ai thekson se kompleksi është degraduar në tërësi.
Dëshiroj të besoj se është marrë një vendim më vend, Brezovica është degraduar deri në atë masë, sa që mua më vjen keq që është pritur aq shumë për privatizimin e qendrës turistike, u shpreh Çeku për Radion Evropa e Lirë.
Çeku, madje vlerëson se Brezovica ka kapacitet të mjaftueshëm për investitorët potencialë dhe njëherësh, sipas tij,është qendra e vetme e gatshme për treg.
Privatizimi i Brezovicës duhet të bëhet më një përqendrim më të sinqertë, më korrekt dhe të orientuar ekonomikisht në sigurimin e sjelljes se investitorëve të mirëfilltë. Jo të bëhen manipulime të llojllojshme për të përfituar një grupim apo një grup i njerëzve të caktuar, mirëpo të bëhet një privatizim i mirëfilltë me një tenderim ndërkombëtar. Brezovica është një ndër asetet më të vlefshme në Kosovë në lëmin e turizmit, theksoi Çeku.
Edhe ekspertë të ekonomisë theksojnë nevojën e shpejt të privatizimit të kompleksit turistik Brezovica.
Lekë Musa thotë për REL se privatizimi i këtij kompleksi do të sjellë përftime të mëdha në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe do të ndikojë në uljen e shkallës së papunësisë në atë rajon.
Tërheqja e investitorëve të ndryshëm do të ketë efekt tjetër multiplikativ në ekonomi, do të iniciohen edhe projekte të ndryshme ekonomike përreth, sepse cilitdo investitor që do të vijë aty, do ti nevojitet ndihma për të zbatuar investimet që do ti ndërmerrë, thekson Musa.
Njësia për implementimin e projektit zhvillimor të Brezovicës tashmë ka prezantuar planin e zbatimit, përkatësisht të opsioneve zonale në të cilat është paraparë që të zbatohet projekti i Brezovicës.
Shprehja e interesit do të publikohet të enjten në gazetat e përditshme të Kosovës dhe në Financial Times, ndërsa më 2 dhe 9 shkurt në revistën The Economist.













