Kosova prezanton prodhimet bujqësore dhe ushqimin në Berlin

Artikujt tjerė
- Kosova prezanton prodhimet bujqësore dhe ushqimin në Berlin
- Ekonomia kineze përballon shenjat e krizës
- Serbia vazhdon ta dëmtojë ekonomikisht Kosovën
- ATK edhe sivjet prioritet ka përkushtimin ndaj tatimpaguesve
- Bypassi i Vlorës çliron trafikun
- ZRRE-ja nuk e lejon KEK-un të rrisë fondin e pagave
- Buka dhe drithërat, kampion shtrenjtimi
- Qeveria prek taksat në vjeshtë
- Kusari-Lila: Më shumë vëmendje prodhuesve vendorë
- Belgët kursimtarët më të mëdhenj në BE
Berlin, 18 janar - Në Javën e Gjelbër Ndërkombëtare në Berlin përfaqësohet edhe Kosova nëpërmjet ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, i cili së bashku me 83 ministra homologë nga shumica e shteteve të botës, të enjten mori pjesë në hapjen e kësaj ngjarje promovuese që vlerësohet të jetë më e madhja në botë sa i përket promovimit të ushqimit.
Në kuadër të kësaj jave, ushqimi dhe produktet kosovare po prezantohen edhe në panairin më të madh botëror për ushqim, bujqësi e kopshtari dhe përmes një restoranti kosovar, të kontraktuar nga MBPZHR-ja, me lëngje tona, birrën Peja, me verëra dhe produkte të tjera për vizitorët.
Stavileci tha se përpos ekspozimit të prodhimeve kosovare dhe prezantimit të kulturës dhe traditës së ushqimit, MBPZHR-ja ka përgatitur edhe materiale të ndryshme reklamuese, përmes së cilave synon të rrisë publicitetin e produkteve kosovare në Gjermani. Ky është një prej panaireve më të rëndësishme të bujqësisë dhe ushqimit. Vitin e kaluar kemi qenë vetëm vizitorë dhe i patëm parashtruar vetes qëllim që sivjet ti kemi edhe ne prodhimet tona dhe në të njëjtën kohë vizitorëve të ju ofrojmë edhe mundësi të tjera për të njohur më shumë Kosovën, jo vetëm sa i përket prodhimit, por edhe traditës dhe kulturës sonë. Pra, është hera e parë që Kosova ka një pavijon të tillë, i cili shërben si portë e madhe për mijëra vizitorë për tu njohur me vendin tonë. Gjithashtu, enkas për këtë ngjarje, kemi përgatitur edhe një libër fotografish, ku janë të përmbledhura fotografitë më të mira të bukurive tona natyrore dhe këto po shërbejnë edhe si një element shtesë për vizitorët, tha Stavileci.
Pavijoni kosovar i ushqimit sot ishte përzgjedhur të vizitohet edhe nga ministrja federale e Bujqësisë dhe Ushqimit të Gjermanisë, Ilse Aigner, dhe nga kryebashkiaku i Berlinit, Klaus Wowereit, të cilët u ndanë shumë të kënaqur me cilësinë e ushqimit të shërbyer kosovar. Gjithashtu, gjatë ditës së sotme panairin e ka vizituar edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Produktet e tyre ushqimore në një hapësirë prej 115 000 m2 janë duke i ekspozuar rreth 70 shtete, me gjithsej 1 630 ekspozues. Numri i vizitorëve që pritet ta frekuentojnë këtë panair deri më 27 janar do të jetë rreth 400 mijë.












