• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 19:55    Moti *** 20:00  Oxygen  *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

ZRRE-ja nuk e lejon KEK-un të rrisë fondin e pagave

Publikuar: 18.01.2013 - 10:17

Prishtinë, 18janar - Zyra e Rregullatorit e ka hedhur poshtë kërkesën e KEK-ut për rritjen e fondit të pagave për 4 vjetët e ardhshëm. Rregullatori ka propozuar që fondi të mbetet i njëjtë, e KEK-u mund t’ua rrisë pagat punonjësve të saj në nivelin inflacionit mesatar që regjistrohet në vendet e BE-së. Po ashtu, KEK-u mund t’ua rrisë pagat punonjësve edhe duke bërë kursime në biznes, në mënyrë që të sigurojë mjete, por me kusht që ato kursime të mos ndikojnë në ulje të performancës.

“KEK-u ka propozuar një ngritje vjetore prej 5 për qind në paga në terma realë për tërë kompaninë mbi inflacionin”, thuhet në raportin preliminar të Rregullatorit për të hyrat maksimale të lejuara për KEK-un për katër vjetët e ardhshëm. “ZRRE-ja nuk sheh ndonjë arsyetim për ngritje të tillë në terma realë, në veçanti në nivele të ulëta të prodhimtarisë që është dëshmuar nga KEK-u”.

Edhe pse i takon menaxhmentit të KEK-ut t’i caktojë nivelet e pagave, ZRRE-ja e ka këshilluar menaxhmentin që të gjejë kursime gjetkë në biznes, pa prekur performancën.

Përgjigje negative KEK-u ka marrë edhe sa i përket kërkesës për ngritje të pagave të punonjësve të Distribucionit e Furnizimit. ZRRE-ja ka sqaruar se OSSH-ja në aplikacionin e tyre ka paraparë që të ketë një rritje vjetore në pagën mesatare prej 5 për qind në terma reale.

“OSSH-ja sugjeron që kjo bëhet për të rritur koston për punëtorë mbi Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (HICP) për periudhën 2008-2011 prej 5.4%, gjë që, në vija të trasha, është në harmoni me Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) të Kosovës”, thuhet në sqarimin e kërkesës së OSSH-së.

Por, për ZRRE-në është e papranueshme të ketë një rritje të tillë.

Sindikalistët e KEK-ut kanë shkuar edhe një hap më larg se menaxhmenti i tyre. Ata kanë kërkuar që fondi pagave të rritet për 30 për qind. E nga kjo rritje të përfitojnë të gjithë në mënyrë lineare.

“Ashtu sikur dhe jeni të njoftuar me kërkesën e SPEK-ut para aprovimit të buxhetit për vitin 2013 bazuar edhe në atë që u tha më lartë kërkojmë që buxheti për paga të punëtorëve të KEK-ut të rritet për 30 për qind”, thuhet në kërkesën e SPEK-ut.

Buxheti i vitit 2012 ka qenë 46 milionë euro. Kjo rritje e propozuar nga SPEK-u ka një rritje të buxhetit prej 13 milionë e 800 mijë eurosh. Kryetari i SPEK-ut, Izet Mustafa, ka thënë se kjo shumë të ndahet në mënyrë lineare te të gjithë punonjësit e KEK-ut.

“Me qëllim të ruajtjes të skemës së pagave dhe uljes së dallimeve në mes të niveleve të pagave, shuma e fituar si mjete të cilat i shtohen buxhetit të vitit 2012 si rritje për vitin 2013 të ndahet në mënyrë lineare për secilin punonjës dhe kjo shumë të futet në start të pagave”, thuhet në kërkesën e SPEK-ut.

Kreu i kësaj sindikate ka shpjeguar se nëse kërkesa e tyre miratohet çdo punëtor do të ketë një rritje prej rreth 140 euro në pagë.

“I bie që çdo punëtor të përfitojë një rritje në pagë prej 147,43 euro pa e zbritur tatimin në paga. Pra, ata do të përfitojnë një rritje neto rreth 130 eurosh”, ka thënë Mustafa.

Përveç ngritjes së nivelit të pagave, SPEK-u ka shprehur shqetësimin edhe për shumën e mjeteve dhe mënyrën e shfrytëzimit të buxhetit të pagave të cilat janë shpenzuar në emër të punës gjatë vikendeve dhe për orë jashtë orarit.

Kërkesa e SPEK-u është që rritja të bëhet për muajin janar.

Kërkesën e tyre SPEK-u e mbështet në nivelin e pagave të ulëta që momentalisht i ka KEK-u, të cilët nuk kanë qenë të ndikuar nga vendimet e qeverisë për ngritje të pagave gjatë vitit 2011.

Po ashtu, si element mbështetës ata e kanë cekur edhe vendimin e ZRRE-së për ngritje të tarifave të energjisë për 8.9 për qind, por edhe ngritjen e çmimeve të cilat i përkasin shportës së ushqimeve për familjet e tyre.

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë se mosaprovimi eventual i ZRRE-së për ngritje të fondit për pagat nuk e mbyll mundësinë për rritje të pagave. Ai ka thënë se KEK-u ka të drejtë që të bëjë kërkesë të veçantë në ZRRE, siç është çështja e ngritjes së fondit të pagave (më gjerësisht në “Kohën Ditore”).

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 13°CKryesisht me vranėsira
Tiranė 13°CKryesisht me vranėsira
Shkup 13°CKryesisht me vranėsira
Prishtinė19°C
Tiranė19°C
Shkup26°CRrebesh shiu