Barça kërkon këndelljen në "Bernabeu"

Artikujt tjerė
- Barça kërkon këndelljen në "Bernabeu"
- Ku do të luajnë Gomez dhe Robben?
- Vende për tifozët obezë në botërorë
- Xavi do të mungojë ndaj Realit
- Nxehet atmosfera para ndeshjes Napoli-Juve
- Cristiano, në stol ndaj Barcelonës
- Rafael Benitezit po i kushtojnë fjalët "pa vend"
- Maze synon rekordin e legjendarit Maier
- Höness: Më se qartë, Bayerni dominon
- Ferguson: Barça më mësoi se çfarë të bëj kundër Realit
Madrid, 1 mars - Barcelona, që po duket si pa timonier e pa lider, ka shumë pak kohë për të gjetur një zgjidhje për këtë rënie të formës. Mirëpo ka gjasa të ngrejë moralin të shtunën (16:00) kur do ta vizitojë Real Madridin në kuadër të javës së 26-të në La Liga.
Barcelona të martën mbrëma u eliminua nga Kupa e Spanjës nga rivali i përbetuar Reali. Pësoi një humbje turpëruese në "Camp Nou" me rezultatin 1:3, në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale. Ndeshja e parë pati përfunduar 1:1.
Kjo humbje erdhi pas disfatës që Barça e pësoi javën e kaluar nga Milani në "San Siro" me rezultatin 2:0, në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.
Stinori i Barçës rrezikon të shkojë huq për një periudhë kaq të shkurtër, megjithëse në La Liga qëndron mirë, ka një epërsi të thellë me përcjellësit. Kryeson me 68 pikë nga 25 ndeshje, 12 më tepër se Atletico Madridi që zë pozitën e dytë e 16 më tepër se Reali që është i treti.
Mirëpo, Barcelona është skuadër që është mësuar të fitojë më tepër se një trofe në një edicion dhe çdo gjë më pak këtë stinor do të vlerësohej si një dështim.
Ndërkohë, Real Madridi, që është dorëzuar në luftë për La Lgia, vjen më i motivuar pas fitores në Kupën e Spanjës dhe tash ia ka vënë syrin që të fitojë titullin e dhjetë rresht të Evropës. Reali në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të "Championsit" kundër Manchester Unitedit luajti 1:1 në "Santiago Bernabeu". Këtë rezultat e kishte edhe në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Spanjës me Barcelonën, por arriti të dal triumfuese.
Të mërkurën, presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell ka udhëtuar në New York për të vizituar trajnerin Tito Vilanova, që është duke udhëhequr skuadrën nga distanca, derisa në bankinë po qëndron ndihmësi i tij Jordi Roura. Vilanova është duke iu nënshtruar terapisë, pasi në dhjetor u operua për herë të dytë, pasi i ishte rishfaqur kanceri në gjëndrat pështymore.
"Nuk është e lehtë pa prezencën e trajnerit të parë. Ka qenë një kohë e gjatë pa të dhe një pengesë tjetër që duhet të kapërcejmë këtë stinor. Por, me rëndësi është shëndeti i tij, dhe ne kemi besim në ata që janë këtu", ka thënë mesfushori i Barçës, Andres Iniesta.
Jordi Roura është duke udhëhequr tash për tash, mirëpo Barça në disa raste është dukur tepër e parashikueshme, pa shpejtësi të madhe dhe duke mos treguar lojën e saj, derisa mbrojtja nuk ka qenë aq stabile.
Në tentim për të freskuar skuadrën, Roura mendon të luaj me sulmuesit Cristian Tello e David Villa në ndeshjen e së shtunës, ndërsa mesfushori ofensiv Cesc Fabregas do të jetë rezervist.
Kjo lëvizje mund të krijojë hapësirë për futbollistin më të mirë në botë Lionel Messin, që mungoi në stërvitjen e së mërkurës për shkak të temperaturës. Messi në dy ndeshjet kundër Milanit dhe Realit, ka mbetur në hije.
"Ne duhet të mendojmë fortë për ato dy ndeshje që i kemi humbur, çfarë kemi bërë mirë dhe ku duhet të përmirësohemi. Ne duhet të marrim veten dhe jam i bindur se mund të bëjmë këtë. Nuk bën të harrojmë se jemi lider në La liga dhe duhet të mundohemi të mbajmë epërsinë", ka thënë Iniesta.
Reali do të luajë në "Clasicon" e së shtunës pa mesfushorin argjentinas Angel di Maria, që është i suspenduar.








