Prodhimet kineze po shkatërrojnë biznesin me konkurrencë të pandershme

17 Shkurt 2012 - 17:30      

Tjetërsimi i modelimeve, çmimet e ulëta, konkurrenca e pandershme, janë bërë shkaktar të mbylljes së punishteve të veshjeve tradicionale dhe të prodhimeve të orendive shtëpiake autoktone tiranase me qendër në fillim të rrugës së Durrësit dhe afër pazarit “Avni Rustemi” në Tiranë.

Tiranë, 17 shkurt - Tjetërsimi i modelimeve, çmimet e ulëta, konkurrenca e pandershme, janë bërë shkaktar të mbylljes së punishteve të veshjeve tradicionale dhe të prodhimeve të orendive shtëpiake autoktone tiranase me qendër në fillim të rrugës së Durrësit dhe afër pazarit “Avni Rustemi” në Tiranë.

Mbyllja e tyre tani bën më shumë se një vit. Kjo gjë vërehet fare mire tek tregtarët e suvenireve, të cilët e kanë ndjerë shumë këtë luhatje. Jo vetëm kaq, por janë vetë artizanët ata që luftojnë me aq sa kanë mundësi për të mbrojtur punën e dorës. Dyqanet janë të mbushura me bluza të qëndisura, por ç’e do, nuk janë të qëndisura nga duart e qëndistareve tiranase, por nga makineritë kineze. “Po krijohet një konkurrencë shumë e pandershme. Shikohen në çdo dyqan bluza, çarçafë, mbulesa tavoline të qëndisura me modele shqiptare, ornamentet janë autoktone shqiptare, por të bëra me makineri të sofistikuara kineze”, ankohet qëndistarja Hyrie Qordja, e cila mori pjesë në panairin e dinamikave shqiptare në fund të muajit prill të vitit kaluar.

Duke folur për agjencinë Noa, ajo sqaroi se janë panairet ato që ua bëjnë të mundur paksa marketingun e punës tyre. Edhe pse disponon një dyqan të vogël suveniresh në fillim të pazarit të ri, këto dy vitet e fundit ajo shpreh vetëm shqetësim. “Pronarët e mëdhenj marrin modelet tona, i dërgojnë në Kinë dhe me çmime qesharake prodhojnë këmisha me motive shqiptare dhe vijnë e i shesin sa për të thënë. Ndërsa prodhimet tona kanë mbetur stoqe, pasi shumë pak e kuptojnë ndryshimin”, vijon së treguari qëndistarja tiranase.

Ajo shton se si shoqatë e kanë denoncuar disa herë këtë fenomen por nuk është marrë asnjë lloj mase ndaj tij. Jo vetëm kaq, por ulja e shitjes së prodhimtarisë së tyre ka bërë që një pjesë e mirë e qëndistareve të kërkojnë treg edhe në Kosovë. “Në Kosovë çdo gjë është ndryshe, të gjithë e mbrojnë me fanatizëm veshjen kombëtare, si të trevës tyre ashtu dhe të trevave tjera mbarë shqiptare. Aty vijnë dhe porosisin këmisha e bluza vetëm të jenë të qëndisura nga dora jonë”, vijon së treguari qëndistarja tiranase.

Isuf Skënderi, artizani tiranas, e quan të pandershme konkurrencën e tregtarëve me produkte të kopjuara në Kinë. Ai thekson se nuk ka nguruar asnjëherë së denoncuari konkurrencën e pandershme, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë nga dora e shtetit. Ai është shumë i dhënë pas profesionit tij dhe kërkon një mbështetje më të madhe nga shteti shqiptar. Madje ai e shpreh fare hapur dhe problemet që kanë të bëjnë me ruajtje e traditës nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve. “Sot në Ministrinë e Kulturës nuk ka një specialist të mirëfilltë për artizanatin. Nuk është realizuar asnjë panair me prodhimet tona në shtetet fqinje. Nuk është nevoja që bluzat, këmishat apo qeleshet të qepen nga makineritë kineze, duke pasur qëndistaret e mirëfillta shqiptare”, përfundon artizani tiranas.

Flutura Mata pohon se edhe puna me grep (sixhade, çarçafë e të ngjashme) sa vjen e zvogëlohet, pasi një pjesë e mirë e tyre zëvendësohet me mbulesa të punuara në makineritë kineze. Edhe çentrot e grepit kanë filluar të zëvendësohen me ato të punuara me material plastike të hollë, imitim grepi që sa vijnë e tjetërsojnë edhe modelet origjinale.

Panairet i përdorim më shumë për të promovuar punën tonë dhe për të kërkuar hapësira shitje si dhe të drejta për ta mbrojtur origjinalitetin e modeleve autoktone shqiptare”, përfundon Mata, kryetare e Shoqatës për Mbrojtjen e Traditës Shqiptare.
comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...