Problemet që mund të shkaktojë ajri i ndotur janë të shumta

7 Janar 2017 - 09:26      

Muajt e fundit është vërejtur se ndotja e ajrit në Prishtinë ka kaluar parametrat e lejuar.

Nga monitorimi i fundit i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mbrojtjen e Mjedisit përmes “Indeksit të cilësisë së ajrit” Prishtina klasifikohet në kategorinë e tretë të ndotjes së ajrit, saktësisht në parametrat 151 deri në 200, me vlerën 157 të PM2.5, që paraqet nivelin e cilësisë së ajrit si të pashëndetshme.

Antigona Ukaj-Haxha, specialiste e shëndetit publik në kuadër të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, tha se koncentrimi i ajër-ndotësve ndikon në shëndetin e qytetarëve.

“Efektet akute dhe kronike të koncentrimit të ndotësve në ajër ndikojnë shumë në shëndetin e qytetarëve. Sa i përket grupeve vorunabile janë më të theksuara moshat e vogla, fëmijët, gratë shtatzëna, moshat e shtyra, të sëmurët kronikë”, tha Ukaj-Haxha.

Sipas specialistes së shëndetit publik, ajri i ndotur nuk atakon vetëm fëmijët, por e rritë edhe numrin e pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet respiratore.

“Ndotja e ajrit nuk atakon vetëm fëmijët dhe sulmet e tyre asmatike por kjo vjen në evidencën e pranimeve spitalore pra e rritë numrin e pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare, pranime spitalore nga sëmundjet respiratore, vizita të shpeshta në mjekësit familjare, pra siç e dimë të gjithë janë shtuar vizitat në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare me bronhite, me sëmundje koronare, me sëmundje obstruktive të sistemit respirator trupet e poshtme respiratore dhe një varg sëmundjesh të tjera. Veç të traktit respirator dhe të traktit kardiovaskular ajër ndotja ndikon edhe në sistemin nervor dhe sistemin periferik, ndikon edhe në sistemin reproduktiv, prandaj jemi të gjithë të atakuar nga koncentrimi të cilat i kemi”, tha ajo.

Ndërsa, Seniha Bajraktari, zyrtare e lartë për mjedis në komunën e Prishtinës, për KosovaPress tha se muajve të fundit është vërejtur që ndotja e ajrit është më e theksuar në Prishtinë e sidomos në lagjet “Dardania” dhe “Kodra e Trimave”.

“Edhe në komunën e Prishtinës sikurse në tërë Kosovën ditët e fundit po vërehet, veçanërisht muajin e fundit po vërehet një ndotje pak më e madhe e ajrit sesa ka qenë muaj më herët. Para pak dite kemi dalë me një raport pesë mujor për cilësinë e ajrit, por këtë muaj po shihet që ndotja është më e theksuar sidomos në lagjet ‘Dardani’ dhe ‘Kodra e Trimave’ ku edhe më herët gjatë pesë mujorit dhe raportit të prillit kemi vërejtur që është një ndotje më e theksuar e ajrit”, tha ajo.

Komuna e Prishtinës ka gjashtë matës së cilësisë së ajrit të vendosur në lagjet e Prishtinës në pozita të ndryshme, të cilët bëjnë matjen e gjashtë parametrave të ajrit, tha Seniha Bajraktari.

Sipas saj, shkaktari kryesorë i ndotjes së ajrit është trafiku shumë i ngarkuar dhe përdorimi i lëndëve djegëse.

Shkaktarët kryesorë në komunën e Prishtinës meqenëse nuk kemi industri të zhvilluar mbetet të jetë komunikacioni do të thotë trafiku shumë i ngarkuar dhe sidomos përdorimi i lëndëve djegëse, karburantet që përdoren si lëndë djegëse në trafik të kualitetit jo të mirë. Kjo mundet me qenë njëri dhe shkaktari kryesorë.

KosovaPress ka provuar që të marrë një prononcim nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinore lidhur me atë se a ka strategji kjo ministri për të reduktuar ajrin e ndotur në Prishtinë, por që edhe përkundër pritjes tri javore nuk ka marrë përgjigje.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...