Xhafa ngre “berberhane”, Sala një rrëfim për përsëritjen

31 Maj 2013 - 09:42      

Është një moment në fëmijërinë e Anri Salës në të cilën ai kthehet shpesh. Është katër vjeç dhe prindërit e çojnë në Pallatin e Pionierëve për të marrë mësime violine. Dhoma është e vogël dhe e errët. Mësuesi i ulur në piano i thotë të përsërisë pas tij disa ritme të gjata dhe komplekse, për të parë nëse kishte vesh muzike. Vogëlushi duket i shqetësuar se mos harron ndonjë notë, por në fund mësuesi thotë se është i kënaqur me ritmin e fëmijës. “Jeni i mirë”, i thotë ai. Për shtatë vjet, Sala studion violinë. Dhe pse nuk vazhdoi studimet për muzikë, kjo përvojë i ka vlejtur në rrugëtimin e tij artistik, shkruan Shqip. Shpesh ai e gjen veten të përfshirë në temat që

Venecia, 31 maj - Është një moment në fëmijërinë e Anri Salës në të cilën ai kthehet shpesh. Është katër vjeç dhe prindërit e çojnë në Pallatin e Pionierëve për të marrë mësime violine. Dhoma është e vogël dhe e errët. Mësuesi i ulur në piano i thotë të përsërisë pas tij disa ritme të gjata dhe komplekse, për të parë nëse kishte vesh muzike. Vogëlushi duket i shqetësuar se mos harron ndonjë notë, por në fund mësuesi thotë se është i kënaqur me ritmin e fëmijës. “Jeni i mirë”, i thotë ai. Për shtatë vjet, Sala studion violinë.

Dhe pse nuk vazhdoi studimet për muzikë, kjo përvojë i ka vlejtur në rrugëtimin e tij artistik, shkruan Shqip. Shpesh ai e gjen veten të përfshirë në temat që kanë lidhje me muzikën. Teksa mendonte mbi performancën që do të prezantonte në edicionin e 55 të Bienales së Venecias, ku do të prezantojë Francën, ky moment i fëmijërisë iu rikthye sërish në mendje. Ankthi për ta përsëritur siç duhet pjesën dhe dëshira e tij e pafund për të ndjekur violinën në atë moshë.

Nën këto ndjesi ai krijoi “Ravel Ravel Unravel “performancën me të cilën do të prezantojë pavijonin francez. “Ideja ime ishte të bëja një vepër rreth përsëritjes”, thotë ai. Në dy ekrane të mëdha ai do të shfaqë dy koncerte të njëjta të dy pianistëve të njohur Louis Lortie dhe Jean Efflam Bavouzet, për të hapur një diskutim mbi atë çfarë ndodh sot me muzikën në botë. Komisionier i Salës në Bienale është Instituti Francez ndërsa kurator është Christine Macel.

Ndryshe nga Sala, Sislej Xhafa, artisti nga Kosova që këtë vit prezanton Italinë në Bienalen e Venecias ka zgjedhur një performancë të njohur në stilin e tij. Një berberhane e vendosur mbi një pemë. Kjo është vepra që Xhafa do të prezantojë në pavijonin italian. Duke punuar me mjetet e duhura në një parukeri tipike burrash, Xhafa do t’u shërbejë nga lart klientëve të tij. “Berberhanet kanë qenë gjithnjë si ambiente ku sheh ndërveprime të ndryshme njerëzore.

Burri, apo djaloshi që mban një palë gërshërë dhe krehër në dorë kthehet zakonisht në një njohës të mirë të jetëve të klientëve të tij. Një berber nuk është më i tillë nëse ti bëhesh klient i rregullt i tij. Ai kthehet në një njohës të mirë të jetës tënde, nga problemet private deri te konceptet e tua mbi politikën apo situata të caktuara ku shpreh interes. Xhafa thotë se berberhanet janë një tematikë universale. Duke e shoqëruar performancën e tij me  aktin primitiv të prerjes së flokëve ai kërkon të tregojë dy gjendje njerëzore, siç është flokun e butë dhe vdekjen (pjesa e prerë e tij).

Një berber profesionist italian do të performojë gjatë ditëve të Bienales konceptin e Xhafës, duke e kthyer këtë pjesëz të pavijonit italian, në një ambient diskutimi mbi çështje të ndjeshme njerëzore. Ndërveprimet e njerëzve në këtë berberhane do të jetë pjesë e një vrojtimi nga kritikët e Bienales, të cilët e kanë parë idenë e Xhafës si tepër tërheqëse.

Xhafa është pjesë e pavijonit italian bashkë me disa artistë të tjerë italianë si: Francesco Arena, Massimo Bartolini, Gianfranco Baruchello, Elisabetta Benassi, Flavio Favelli, Luigi Ghirri, Piero Golia, Francesca Grilli, Marcello Maloberti, Fabio Mauri, Giulio Paolini, Marco Tirelli, Luca Vitone. Komisionier i pavijonit italian është Maddalena Ragni, ndërsa kurator  Bartolomeo Pietromarchi. Edicioni i 55-të i Bienales së Venecias hap siparin e tij më 1 qershor e do të vazhdojë deri më 24 nëntor. Ideja mbi të cilën artistët pjesëmarrës do të prezantojnë punët e tyre është “Pallati Enciklopedik” një ide e vendosur nga kuratori i këtij edicioni Massimilo Gioni.

Bienalja e Venecias është një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit bashkëkohor, ku marrin pjesë artistët më në zë në këtë fushë. Dhe pse dy artistë shqiptarë janë pjesë e dy pavijoneve të rëndësishme të këtij edicioni siç është Franca dhe Italia, dy vende të njohura për prurjet në art, Shqipëria nuk do të ketë një pavijon të sajin këtë vit në Venecia. Për herë të parë në këtë eveniment do të jetë e pranishme Kosova përmes punës së artistit të ri, Petrit Halilaj.

Komisionier i pavijonit të Kosovës  është Erzen Shkokolli, ndërsa kuratore është Kathrin Rhomberg. Në punën me të cilën prezanton shtetin e Kosovës për herë të parë në këtë Bienale Halilaj është frymëzuar nga realiteti në Kosovë. Kujtimet e tij nga fëmijëria rurale, përvoja personale në luftë, shkatërrimi, eksodi dhe zhvendosja janë baza e reflektimit të tij mbi jetën dhe gjendjen njerëzore. Pavijoni i Kosovës bëri prezantimin e tij dje pasdite.

Argjentina prezantohet në këtë edicion me artistin Nicola Costantino, Armenia me Ararat Sarkissian, Australia me Simryn Gill, Austria me Mathias Poledna, Azejbarxhani me:  Rashad Alakbarov, Sanan Aleskerov, Chingiz Babayev, Butunay Hagverdiyev, Fakhriyya Mammadova, Farid Rasulov, Belgjika me e De Bruyckere, Bosnja dhe Hercegovina me Mladen Miljanoviç, Brazili me artistët Hélio Fervenza, Odires Mlászho, Lygia Clark, Max Bill, Bruno Munari, Kina me He Yunchang, Hu Yaolin, Miao Xiaochun, Shu Yong, Tong Hongsheng, Wang Qingsong, Zhang Xiaotao, Gjermania me artistët Ai Weiwei, Romuald Karmakar, Santu Mofokeng, Dayanita Singh etj.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...