AKI demanton RTK-në: Nuk dhamë të dhëna për varrezat e thyera

23 Janar 2013 - 17:40      

(E plotësuar) Agjencia e Kosovës për Inteligjencës( AKI) ka demantuar RTK-në për informacionin e publikuar më 22 janar 2013, lidhur më thyerjen e disa varrezave serbe në Kosovë, nga strukturat serbe.

Prishtinë, 21 janar – (E plotësuar) Agjencia e Kosovës për Inteligjencës( AKI) ka demantuar RTK-në për informacionin e publikuar më 22 janar 2013, lidhur më thyerjen e disa varrezave serbe në Kosovë, nga strukturat serbe.
Në reagimin e AKI-t, të cilin e transmeton RTK,  thuhet :
Në edicionin qendror të lajmeve të ditës së martë, 22 janar 2013 në RTK është thënë në mes të tjerave se një burim brenda AKI-së ka dhënë disa informata në lidhje me dëmtimin e varrezave ortodokse serbe në Republikën e Kosovës.
Duam të sqarojmë opinionin e gjerë se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë me vëmendje të shtuar është duke përcjellë për së afërmi zhvillimet aktuale në vend, në përputhje me mandatin dhe kompetencat që ka.
Mirëpo demanton se të dhënat e publikuara në RTK të jenë të AKI-së, përkatësisht të ndonjë burimi brenda AKI-së.

Hetime për dëmtimin e varrezave serbe

Prishtinë, 23 janar - 15:10
- Në zonat e përgjegjësive të drejtorive rajonale të Policisë së Kosovës, tashmë janë iniciuar procedurat hetimore lidhur me dëmtimin e varrezave ortodokse serbe, të cilat, ditë më parë  ishin cak i sulmeve vandale në disa pjesë të Kosovës, njoftojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj policie, Arbër Beka,  i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në drejtorinë rajonale të Prishtinës janë iniciuar dy raste, ashtu sikurse edhe në drejtorinë rajonale të Gjilanit.

“Njëra bën fjalë për një lapidar të luftës së dytë botore, që është demoluar dhe me këtë rast policia ka arrestuar tre persona të dyshuar. Pas konsultimeve me prokurorin, janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti tjetër është regjistruar në Kllokot. Është raportuar në drejtorinë rajonale të Gjilanit rasti për dëmtimin e varrezave, ku në total janë dëmtuar 27 varreza. Në Prizren është regjistruar po ashtu një rast ku janë dëmtuar 38 pllaka përkujtimore të varrezave”, u shpreh Beka.

Ai shtoi se edhe në rajonin e Mitrovicës, përkatësisht në Vushtrri është shënuar një rast i dëmtimit të një varreze.

Pas incidenteve, sipas Bekës, Policia e Kosovës ka ngritur masat e sigurisë për ruajtjen e sigurisë së përgjithshme në vend, me fokus në ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare.

“Duke pasur parasysh që gjatë ditëve të fundit kanë qenë disa raste për dëmtimin e varrezave të komunitetit, në të gjitha drejtoritë rajonale dhe stacionet policore janë ngritur masat e sigurisë për ruajtjen e tyre".

"Sa u përket rasteve që tashmë janë iniciuar, zyrtarët policorë, qofshin nga njësia e hetimeve ose sektor të tjerë, janë në koordinim të plotë për të gjitha aktivitetet hetimore me prokuroritë kompetente në kuadër të Republikës së Kosovës dhe do të presim zhvillimet në detaje të kësaj procedure hetimore”, tha ai.

Në anën tjetër, Ministria për Komunitete dhe Kthim e Qeverisë së Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve qendrore dhe lokale, por edhe atyre ndërkombëtare, që të angazhohen për sanimin e dëmeve në varrezat e dëmtuara.

Ivica Tanasijeviq nga kabineti i ministrit për Komunitete dhe Kthim, Radojica Tomiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo ministri ka paralajmëruar gatishmërinë për ndarjen e mjeteve për sanimin e varrezave të dëmtuara ortodokse serbe në disa pjesë të Kosovës.

“Sa i përket Ministrisë së Komuniteteve dhe Kthimit, ministri tashmë është në bisedime me partnerët në pushtetin qendror, por edhe me ata ndërkombëtarë, u ka thënë se në rastin e  ngjashëm që kishte ndodhur në Fushë Kosovë, mjetet ishin miratuar me kërkesën e zëvendës-kryeministrit, për sanimin e  dëmeve në varreza".

"Pra, ministri ka shprehur gatishmërinë që të marrë pjesë në ndarjen e mjeteve për sanimin e përkujtimoreve të varrezave, por ai gjithashtu ka thënë se këtë do ta kërkoj në qeveri”, tha Tanasijeviq.

Ai ka theksuar gjithashtu, se kjo ministri ka kërkuar që riparimi i varrezave të dëmtuara të nisë urgjentisht.

“Qëndrimi i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim është që dëmet të sanohen sa më parë që është e mundur, do të thotë në në afatin më të shkurtë të mundur. Kjo do të kërkohet edhe nga vet Qeveria”, ka theksuar Tanasijeviq.

Ndryshe, aktet vandale të dëmtimit të varrezave ortodokse serbe në rajonet e ndryshme të Kosovës, kanë pasuar pas heqjes së lapidarit që u ishte kushtuar luftëtarëve të rënë të UÇPMB-së në Preshevë nga ana e xhandarmërisë serbe.

Krerët e institucioneve më të larta të Kosovës, të mekanizmave ndërkombëtarë në vend, si dhe institucioneve fetare, i kanë dënuar aktet vandale mbi varrezat ortodokse serbe, duke i quajtur si veprime të papranueshme dhe u kanë bërë thirrje organeve të rendit që t’i kapin autorët e këtyre akteve vandale dhe t’i vënë ata përpara drejtësisë.

comments powered by Disqus

Rrjetet sociale

Karikatura e ditës

Jeton Mikullovci
Galeria >

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...