Vazhdojnë përplasjet në degët e PDK-së në Prishtinë e Viti

15 Janar 2013 - 12:07      

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë vazhdon të përballet me përplasjet e brendshme. Kjo ka bërë që të mbetet i paqartë se sa do të jetë numri i anëtarëve të Kryesisë, e rrjedhimisht të shtyhet edhe zgjedhja e kryetarit të degës. Me probleme po përballet edhe dega e PDK-së në Viti.

Prishtinë, 15 janar - Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë vazhdon të përballet me përplasjet e brendshme. Kjo ka bërë që të mbetet i paqartë se sa do të jetë numri i anëtarëve të Kryesisë, e rrjedhimisht të shtyhet edhe zgjedhja e kryetarit të degës. Me probleme po përballet edhe dega e PDK-së në Viti.

Ishte paralajmëruar se do të dihej të hënën, mirëpo numri i anëtarëve të Kryesisë së degës së PDK-së në Prishtinë nuk dihet ende. Burimet e Radio Kosovës bëjnë të ditur se ende nuk është vendosur nëse do të jenë 21, 27 apo 31 anëtarë.

Dhe këtë e konfirmojnë edhe zyrtarë të degës së PDK-së në Prishtinë. Zyrtarët e PDK-së japin qëndrime të ndryshme sa i përket kësaj çështje. Ish kryetari i degës Ramadan Avdiu, i cili ishte edhe kryetar i komisionit zgjedhor kur është votuar për kryesinë, thotë se numri prej 27 anëtarëve është definitiv.

“Numri prej 27 anëtarëve është aprovuar nga Këshilli Drejtues të Degës së PDK-së në Prishtinë. Kjo është bërë pas konsultimeve me sekretarinë e zgjedhjeve në PDK dhe me kryetarin e partisë”, tha Avdiu për Radio Kosovën.

Por nga ana tjetër, Edi Sejdiu, anëtar i zgjedhur i Kryesisë, e mohon një gjë të tillë. Ai tha Këshilli Drejtues ka marrë vendim vetëm për rritjen e numrit nga 15 në 21 anëtarë dhe nuk ka vendim tjetër nga ky organ. Sipas tij, numri i saktë, do të dihet pas konsultimeve të kryetarit të partisë me kryesinë qendrore.

“Për momentin zyrtarisht mund të themi se janë vetëm 21 anëtarë të kryesisë me vendim të KD-së. Zyrtare nuk ka ende asgjë. Pritet të takohet kryesia qendrore dhe kryetari me kryesinë qendrore dhe të vendoset sa do të jetë numri i anëtarëve dhe atëherë dihet saktësisht. Ato që thuhen jashtë 25, apo 27, janë dëshira të njerëzve, por ka një pajtueshmëri për rritje dhe mund të shkojë deri në 31”, tha Sejdiu.

Problemet për numrin e anëtarëve të kryesisë së degës, kanë bërë që të zvarritet edhe zgjedhja e kryetarit. Sipas burimeve të Radio Kosovës, numri i anëtarëve të kryesisë do të dihet pas Kongresit të Përgjithshëm të PDK-së, që është caktuar për 26 janar, e pastaj do të zgjidhet kryetari i degës.

Ndërkohë, edhe dega e PDK-së në Viti po përballet me probleme. Përçarjet në këtë degë janë thelluar edhe më shumë pas komunikatës së lëshuar mbrëmë nga udhëheqësit e kësaj dege, në të cilën thuhet se kusht për rikthimin e kryetarit të komunës Nexhmedin Arifi në parti, është shkarkimi i nënkryetarit dhe drejtorëve ekzekutiv, në të kundërtën atij nuk do t’i lejohet pjesëmarrja në Kuvend. Mirëpo kryetari i komunës Nexhmedin Arifi, thotë se kjo komunikatë është lëshuar nga dy tre individë që në vazhdimësi po mundohen ta shantazhojnë partinë.

“Unë jam njëri ndër themeluesit e PDK-së dhe unë nuk kam pasur nevojë asnjëherë të bëjë lutje dhe nuk kam bërë asnjëherë lutje për t’u kthyer, sepse unë jam në PDK”, tha Arifi.

Lidhur me kushtin për shkarkim të ekzekutivit dhe nënkryetarit të komunës, Arifi thotë se kjo është e parealizueshme. Kuvendi zgjedhor i degës së PDK-së në Viti që cilësohet si dega më problematike në Kosovë, pritet të mbahet në fund të kësaj jave.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...