Fëmijët e varfër detyrohen të qepin topa futbolli

25 Shtator 2012 - 11:47      

Topat e futbollit australianë që përdoren nga fëmijët për të luajtur ndeshje në fundjavë, qepen nga fëmijët më të varfër në Indi, që punojnë në kushte të mjera, të rrezikshme dhe ilegale. Fëmijët përfitojnë vetëm shtatë centë për një top të qepur.

Brisbane, 25 shtator - Topat e futbollit australianë që përdoren nga fëmijët për të luajtur ndeshje në fundjavë, qepen nga fëmijët më të varfër në Indi, që punojnë në kushte të mjera, të rrezikshme dhe ilegale. Fëmijët përfitojnë vetëm shtatë centë për një top të qepur.

Dy nga firmat më të famshme të Australisë për topa, Sherrin dhe Canterbury, kanë filiale të tyre në Indi që punësojnë fëmijët, gjë që është ilegale.

Një hetim njëvjeçar nga "Herald" ka zbuluar se përkundër reformave të industrisë masive të Indisë për topa sporti, fëmijët ende po punojnë, nganjëherë të detyruar, dhe me duar të tyre po përgatisin topat e futbollit australian, topa volejbolli e topa futbolli.

Fëmijët që kanë qepur topat për firmat Sherrin dhe Canterbury janë të punësuar jozyrtarisht, nëpërmjet nënkontraktorëve, që i paguajnë për çdo top të qepur.

Qepja e një topi "Sherrin Auskick" mund të marrë më tepër se një orë. Fëmijët marrin për një top 7 rupees (10 cent). Një top ragbi i "Canterbury" paguhet me 11 rupees (15 cent).

Topa të futbollit apo të volejbollit, që kanë më shumë të qepura, paguhen deri në 28 rupees për copë (40 cent), për tri-katër orë punë. Ndërkohë topat më të lirë e të vegjël paguhen më së paku 4 rupees (7 cent).

Shumica e fëmijëve që punojnë marrin në ditë 50-60 rupees (rreth 85 cent).

Menaxheri i burimeve të Canterburyt për Australi dhe Zelandë të Re, Jason Law, ka thënë se është i tmerruar dhe skajshmërisht i zhgënjyer me dëshmitë e "Herald".

"Ne definitivisht që do të angazhohemi thellësisht për t'u siguruar që të ndalet çdo gjë që po bëhet atje", ka thënë Law.

Drejtori menaxhues i filialit australian të kompanisë Sherrin, Russell Corporation, Chris Lamber ka thënë se përdorimi i fëmijëve "në asnjë mënyrë nuk është në standardet tona. Nuk është e pranueshme dhe është ilegale. Do të zgjedhim menjëherë këtë çështje".

Fëmijët që "Herald" i ka zbuluar qëndrojnë ulur në karrige të nivelit më të ulët, për pesë deri në tetë orë në ditë, dhe atë gjashtë deri në shtatë ditë në javë.

Ata shpesh përfundojnë me probleme kronike të shpinës për shkak të pozitës së keqe në të cilën duhet të punojnë.

Ata rregullisht therin gishtat me gjilpëra apo dëmtojnë gishtat me penj të fortë me të cilët duhet të qepin topat.

Duke punuar brenda dhe në errësirë, siç bëjnë shumica e fëmijëve për t'u fshehur nga autoritetet, dëmtohen edhe sytë.

Mbajtja e fëmijëve larg shkollave duke i detyruar që të punojnë është ilegale në Indi. Në vitin 2010, "Right to Education Act" ka bërë të obligueshme që fëmijët nën moshën 14-vjeçare të paraqiten në shkollë.

Pengimi i punësimit të fëmijëve nëpër fabrika është mjaft i zakonshëm, mirëpo muajin e kaluar kabineti ka aprovuar një ligj për të ndaluar punësimin e çdo fëmijë nën moshën 14-vjeçare.

Nëpër qytetet industriale të Punjabit, "Herald" ka zbuluar fëmijë, gati të gjithë vajza deri një moshën shtatëvjeçare, që janë larguar nga shkolla për të punuar fshehurazi. Ato punojnë me orar të plotë në qepje të topave.

Sunali 11-vjeçare qëndron ulur në shtëpinë njëdhomëshe të familjes së saj në Jalandhar, duke qepur topa "Sherrin Auskick" me motrën e saj 10-vjeçare Rupa dhe nënën Laxmi. Së bashku ato qepin deri në 15 topa në ditë, për afro 105 rupees (1.50 euro).

Sunali ka shkuar në shkollë, mirëpo tash nuk shkon. Ajo qep gjashtë ditë në javë. Familjes së saj i duhen paratë.

"Është e vështirë t'i ndali në shtëpi, mirëpo për të ngrënë dhe ushqyer familjen, nuk kam zgjedhje tjetër. Duhet të bëjmë këtë", thotë Laxmi.

Një nënkontraktues nga lagjja fqinje Rajkumar, konfirmon se topat janë të fabrikës kontraktuese të Sherrinit, Spartan dhe eksportohen në Australi.

Në Basti Pirdan, 12-vjeçarja Reena shkon në shkollë jo rregullisht. Ajo ka mbetur tre vjet prapa gjeneratës së saj. "Herald" e gjen atë në shtëpi në ditë të shkollës, duke qepur një top ragbi të Canterburyt.

Reena punon së paku pesë orë, shtatë ditë në javë.

"Ne jemi njerëz shumë të varfër. Nganjëherë ajo është në shkollë, por edhe nëse shkon, kur kthehet në ora një ajo nisë të qepë. Vazhdon të qepë derisa errësohet", tregon nëna e saj.

India është eksportuesi më i madh i topave të sportit në Australi. Afro 10 milionë topa të prodhuar në Indi janë transportuar në Australi vitin e kaluar, rreth 45 për qind të të gjithë topave të sportit të importuar. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...