Konferencë ndërkombëtare e anesteziologëve në kujtim të Dr Shpëtim Robajt

18 Maj 2012 - 14:24      

Përkrahur nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës dhe Zyra e OBSH-së përmes fondeve të Qeverisë së Luksemburgut dhe organizuar nga Asociacioni i Anesteziologëve të Kosovës, sot në Prishtinë i ka filluar punimet Konferenca e II-të ndërkombëtare e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv.

Prishtinë, 18 maj - Përkrahur nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës dhe Zyra e OBSH-së përmes fondeve të Qeverisë së Luksemburgut dhe organizuar nga Asociacioni i Anesteziologëve të Kosovës, sot në Prishtinë i ka filluar punimet Konferenca e II-të ndërkombëtare e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv.

Kjo konferencë i është dedikuar anesteziologut të njohur kosovar dhe dëshmorit të kombit dr. Shpëtim Robaj, i cili ra gjatë luftës në Kosovë, derisa ishte në shërbim të pacientëve kosovar.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, prof. dr. Ferid Agani, duke përshëndetur pjesëmarrësit nga Kosova dhe vendet e tjera në këtë konferenca, theksoi rëndësinë e dy dimensioneve që i ka kjo ngjarje: dimensionin e parë që lidhet me veprën heroike të njërit prej anesteziologëve të njohur të Kosovës, dr. Shpëtim Robaj, i rënë gjatë luftës në Kosovë, për të cilin ministri tha se me veprën e tij është bërë simbol i pavdekësisë dhe dimensioni i dytë  që lidhet me përpjekjet që anesteziologjia dhe mjekimi intensiv në Kosovë të zhvillohen në nivelin më të lartë, përkundër mundësive të kufizuara dhe financimit të nënvlerësuar të shëndetësisë në Kosovë.

Ministri Agani premtoi se MSh do të bëjë maksimumin që këto shërbime të ngrihen në nivelin më të mirë, për të siguruar aplikimin në këtë fushë të arriturave shkencore që po ndodhin në vendet me shëndetësi të zhvilluar.

Dr. Tritan Shehu nga Shoqata e Anesteziologëve dhe mjekimit intensiv e Shqipërisë ka theksuar rëndësinë e këtij tubimi shkencor duke spikatur faktin që bashkëpunimi i kontribuon zhvillimit të shkencës së anesteziologjisë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Ai tha se prezenca në këtë konferencë e ekspertëve edhe nga vendet e rajonit dhe më gjerë, tregon se mjekësia është shkencë që nuk njeh kufij dhe që i bashkon të gjithë.

 Prof. Dr. Quirino Piacevolli nga Shoqata Evropiane e Anesteziologëve (ESA) ka theksuar rëndësinë e konferencës dhe i ka ftuar anesteziologët kosovarë që të bëhen pjesë e përpjekjeve për ta zhvilluar këtë profesion përmes avancimit të tyre shkencor, por edhe përmes shfrytëzimit të lirë të mundësive për ngritje të kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve në vendin e tij (Italia).

Dr. Nehat Baftiu, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë në QKUK ka folur për historikun e kësaj klinike duke theksuar se kjo klinikë ka 206 punonjës, prej të cilëve 45 janë anesteziologë dhe 25 mjekë në specializim si dhe pjesa tjetër punonjës të profileve të tjera, ndërkohë që duke iu referuar vëllimit të punës ai theksoi se vitin që shkoi, në këtë klinikë ka pasur 14.231 intervenime me anestezion të përgjithshëm dhe lokal dhe në Mjekimin intensiv janë trajtuar 5108 pacientë.

Konferenca i zhvillon punimet edhe nesër, ndërsa ekspertë nga Kosova, Shqipëria, Italia, Maqedonia dhe vendet e tjera gjatë këtij takimi profesional do të trajtojnë tema me interes nga anesteziologjia dhe mjekimi intensiv.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...