Rroga minimale në Kosovë mbetet 170 euro

29 Prill 2012 - 15:02      

Vendimi i Këshillit Ekonomik Social që paga minimale në Kosovë të jetë 170 euro nuk është aprovuar asnjëherë nga autoritetet kosovare.

Prishtinë, 29 prill - Vendimi i Këshillit Ekonomik Social që paga minimale në Kosovë të jetë 170 euro nuk është aprovuar asnjëherë nga autoritetet kosovare. Këtë, së fundi, e ka konfirmuar edhe vetë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq.

Vendimi për mosndryshimin e kësaj page, vjen nga rekomandimet e Ministrisë së Financave, kishte thënë Rashiq, raporton Radio Evropa e Lirë.

Lidhur me pagën minimale prej 130 euro, ekspertë të çështjeve ekonomike, thonë se kjo pagë as për së afërmi nuk i përmbushë nevojat ekzistenciale për një person që ka një pagë të tillë. Sipas tyre, kjo pagë pamundëson furnizimin me gjëra elementare për të jetuar.

“Duke u bazuar në të dhënat statistikore, mund të themi se paga minimale në Kosovë, e që sillet rreth 130 euro, është e pakët, dhe shumë vështirë të jetohet me këtë pagë. Kjo për arsye se çmimet janë të larta dhe shpenzimet janë të mëdha”, thotë për Radion Evropa e Lirë, profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri.

Çmimet e konsumit në Kosovë që nga viti i kaluar kanë shënuar rritje të vazhdueshme.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë është më i lartë për 0,1 për qind  në muajin mars 2012, krahasuar me muajin shkurt 2012.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin mars 2012 me muajin mars 2011 ishte 0,6 për qind.

Ngritje e çmimeve sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vërehet te qumështi, djathi dhe vezët, buka dhe drithërat, pastaj karburantet, nafta dhe benzina, që përdoren për transport personal.

Kjo ngritje e vazhdueshme e çmimeve, sipas Isa Tahirit, e bën të pamundur të jetojë një njeri me një pagë prej 130 eurosh.

 “Në të vërtetë, është një pagë katastrofale dhe për atë quhemi shteti më i varfër në Evropë. Duke u bazuar edhe në një element tjetër, tek inflacioni, ku vetëm vitin e kaluar janar-shkurt-mars, inflacioni ka qenë 25. 4 për qind, pra me këtë pagë është një shportë tejet e varfër për ekzistencën”, thekson Tahiri.

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve të Kosovës, pagën minimale më të ulët e  shohin si një mundësi më të mirë për punësim më të madh.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se ata kishin propozuar që paga minimale të jetë 170 euro, pasi që këtë pagë punëdhënësit do të ishin të gatshëm ta paguanin.

Ai thotë se as paga 170 euro nuk do të mundësonte një standard të mirë jetësor, por që, sipas tij, paga minimale më e ulët do ta rriste punësimin.

“Ajo që ne e kemi përdorur si logjikë ekonomike, është se një pagë minimale jo shumë e lartë, por e arsyeshme, do të mund të jetë edhe si një motiv shtesë për firmat të punësojnë më shumë (punëtorë). Në pagë minimale më e lartë do të ndikonte që firmat të punësonin më pak, prandaj ne kemi argumentuar në drejtim të asaj që paga minimale të mos jetë vetëm bazë e dëshirave, por të jetë konform edhe objektivave kryesore që e kemi uljen e papunësisë”, sqaron Rukiqi.

Krahasuar me vendet e rajonit, paga minimale në Kosovë prej 130 eurosh, sipas Rukiqit, është e njëjtë me shumicën e shteteve të rajonit.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...