KQZ: Gati për zgjedhjet në Ferizaj

28 Prill 2012 - 15:10      

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se gjithçka është gati për mbajtjen e zgjedhjeve të së dielës të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Ferizajt.

Prishtinë, 28 prill - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se gjithçka është gati për mbajtjen e zgjedhjeve të së  dielës të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Ferizajt.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha përgatitjen janë kryer me kohë, në mënyrë që të dielën, më 29 prill, të gjitha qendrat dhe vendvotimet të hapen në ora 7 të mëngjesit dhe mbyllen në ora 19:00.

“Të gjitha përgatitjet, ashtu siç parashihen me Ligj për zgjedhjet lokale janë bërë nga ana e KQZ-së. Janë 25 qendra të votimit, kurse 124 vendvotime me gjithsej 95.449 votues, aq sa i përmban lista votuese. Pritjet tona janë që me siguri që nuk do të ndryshojë dalja e votuesve, krahasuar me zgjedhjet paraprake”, bën të ditur Daka.

Kryetarja e KQZ-së, thotë po ashtu se për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve janë certifikuar 1.514 vëzhgues, prej të cilëve vetëm 6 janë ndërkombëtarë, kurse të tjerët u përkasin partive politike dhe organizatave joqeveritare.

Si zakonisht, zgjedhjet pritet të vëzhgohen nga koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim.

Besnik Ramadani nga Demokracia në Veprim thotë për Radion Evropa e Lirë se ky koalicion ka monitoruar gjithë javën e fushatës dhe ka vërejtur disa parregullsi, por të cilat nuk kanë qenë të natyrës që do ta dëmtonin procesin zgjedhor.

“Ka qenë një fushatë shumë e qetë, pa presione, pa incidente të mëdha. Megjithatë, ne i kemi evidentuar edhe disa parregullsi, të cilat janë më shumë vazhdimësi e përvojës së kaluar si përdorimi i fëmijëve në fushatë, pjesëmarrja e fëmijëve nëpër takime, pastaj parregullsi shqetësuese ka qenë shfrytëzimi i resurseve publike, si dhe vendosje të posterëve në objekte publike dhe dëmtim të posterëve”, sqaron Ramadani.

Sa i përket ditës së diel, Demokracia në Veprim do ta ketë si synim parësor monitorimin e ecurisë së zgjedhjeve, shton Ramadani, duke e vënë në plan të dytë çështjen e shpalljes së shpejtë të rezultateve, siç veprojnë zakonisht organizatat që merren me vëzhgim.

“Demokracia në Veprim ka akredituar gjithsej 34 vëzhgues, Pra, vëzhguesi ynë do të jetë në çdo qendër të votimit në Ferizaj. Ne jemi mobilizuar dhe shpresojmë që dita e zgjedhjeve të shkojë në frymën e fushatës elektorale”, thekson Ramadani. 

Ndryshe, zgjedhjet për kryetar të Ferizajt pasuan dorëheqjen e kryetarit Bajrush Xhemajli për shkak të një procesi gjyqësor ndaj tij.

Në garë për kryetarin e Ferizajt marrin pjesë gjashtë kandidatë të partive politike, një nga iniciativat qytetare dhe një kandidat i pavarur.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...