“Rock për rock” hap dyert për të njëmbëdhjetën herë

23 Prill 2012 - 09:52      

Muzikantët që mbajnë gjallë frymën e rock muzikës në vend, për të njëmbëdhjetën herë do të bëhen bashkë në një skenë. Koncerti i vetëm garues i muzikës rock në Kosovë, ka lansuar thirrjen publike për të gjitha grupet e reja të rockut. “Rock për rock”, i cili sivjet hyn në dekadën e dytë të themelimit, do të mbajë dyert hapur për pjesëmarrje deri në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit maj. Grupet e reja që duan të bëhen pjesë e garës më të madhe të rock muzikës, kanë fiks njëzet e tri ditë kohë që të dërgojnë në adresë të këtij koncerti demoincizimet për dy këngë të grupit.

Prishtinë, 23 prill – Muzikantët që mbajnë gjallë frymën e rock muzikës në vend, për të njëmbëdhjetën herë do të bëhen bashkë në një skenë. Koncerti i vetëm garues i muzikës rock në Kosovë, ka lansuar thirrjen publike për të gjitha grupet e reja të rockut. “Rock për rock”, i cili sivjet hyn në dekadën e dytë të themelimit, do të mbajë dyert hapur për pjesëmarrje deri në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit maj. Grupet e reja që duan të bëhen pjesë e garës më të madhe të rock muzikës, kanë fiks njëzet e tri ditë kohë që të dërgojnë në adresë të këtij koncerti demoincizimet për dy këngë të grupit.

“Beteja” për të triumfuar garën sikurse tradicionalisht, edhe sivjet do të mbahet në qershor, në teatrin “Oda”.

Agim Berisha, njëri nga organizatorët, ka thënë se edhe këtë edicion kushti i parë për të “kaluar” testin është gatishmëria për të performuar “live”.

“Kushtet mbesin të njëjtat. Nga dy kompozime origjinale duhet të dorëzohen nga secili grup pjesëmarrës deri më 15 maj”, ka thënë Berisha, derisa ka shtuar se pas mbylljes së konkursit do të bëhet vlerësimi dhe përzgjedhja e atyre që do të bëhen pjesë e garës.

“Meqë është kusht këndimi ‘live’ duhen disa ditë derisa t’i dëgjojmë të gjitha materialet dhe të shohim çka kanë sjellë”, ka thënë ai.

Përveç grupeve konkuruese, siç e do zakoni, në skenën e “Rock për Rock”, do të performojnë edhe mysafirë.

“Shpresojmë që do të kemi disa muzikantë nga Zvicra. Jemi në negociata”, ka thënë ai.

Ata që përzgjidhen për konkurrim, do të ngjiten në skenë në qershor. “Koncerti në “Odë”, pritet të bëhet brenda periudhës kohore 6-8 qershor”, ka thënë Berisha, derisa ka theksuar edhe një gjë.

“Konkursi është i hapur për të gjithë. Nuk ka kufi”.

Njëmbëdhjetë vjet më parë, pesë shokë, do të mblidheshin për të biseduar seriozisht rreth një ideje që deri atëherë kishte qarkulluar mes tyre si në mjegull. Agim Berisha, Shkëlzen Veseli, Muhamet Veseli, Agron Bajrami dhe Valton Besimi do të hidhnin në letër projektin për organizimin e një koncerti të rockut në Kosovë. Qëllimi që ata i kishin vënë vetës ishte t’u ndihmohet të rinjve që dëshirojnë të kultivojnë subkulturën e rockut.

Karakteri i koncertit “Rock për rock”, sipas të gjitha gjasave, thotë Berisha, do të jetë i njëjtë. Ai ka shtuar se synimi kryesor i këtij koncerti është t’u jepet mundësia atyre që punojnë dhe kompozojnë për të treguar kreativitetin e tyre.

“Jemi të kënaqur që kemi arritur qëllimin tonë. T’i intrigojmë të rinjtë që të punojnë dhe të jenë më kreativë. Duam që ata që vijnë të performojnë në ‘Rock për Rock’ të jenë vetja e tyre”, ka thënë Berisha.

Ai ka shtuar se “Rock për rock” nga edicionet e kaluara ka nxjerrë disa emra që edhe sot janë aktivë në skenën muzikore.

“Ka shumë të ri që kanë nisur karrierën e tyre në skenën e ‘Rock për rock’. Linda Halimi është vetëm njëra nga ata që shpërblimin e parë e ka marrë në këtë koncert”, ka thënë Berisha.

“Rock për Rock” sivjet është mbështetur nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës. Sponsorë medialë janë “Koha Ditore” dhe KTV-ja.

Fitues i edicionit jubilar të “Rock për rock” ishte shpallur grupi “Stickers”. Grupi kishte mposhtur në konkurrencë “Freak Week”, “Nosie Seed”, “Torch”, “Throne”, “New Age Rock” dhe “Crossroads”.

Mysafir i koncertit ka qenë bendi “Tunica Dartos” nga Lucerni i Zvicrës.





 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...