Fitou: Për zgjedhjet serbe -me mirëkuptim

20 Prill 2012 - 21:10      

Organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë në Kosovë është akt politik.

Prishtinë, 20  – Organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë në Kosovë është akt politik. Si i tillë, sipas ambasadorit të Francës në Kosovë, Jean Francois Fitou, organizimi duhet të ketë pajtim politik.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ambasadori Fitou, ka thënë se mundësimi i pjesëmarrjes së qytetarëve me dyshtetësi në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë është obligim i Kosovës, ndonëse baza legale për të bërë një gjë të tillë është e komplikuar.



KD: A mendoni se është e mundshme që OSBE-ja të ndihmojë në mundësimin që serbët e Kosovës të marrin pjesë në votim për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë?



Fitou: Unë dua dhe shpresoj që kjo do të ndodhë. Sa më shpejt që të arrihet kjo marrëveshje aq më mirë. OSBE-ja është një lojtar legjitim në këtë vend dhe si e tillë mund të gjejë një mënyrë që të lehtësojë që qytetarët që kanë shtetësi të dyfishtë. A është e mundshme? Po. Nuk është e lehtë, por është e mundshme. Ky është proces serioz, por mendoj së OSBE-ja është e duhura që të udhëheqë këtë lehtësim, ta quajmë kështu këtë proces. Është kohë e shkurtër, por e mundshme.



KD: Kryeministri Thaçi e ka dhënë një pajtim deklarativ, por presidentja siç e kemi parë, ka një qëndrim ndryshe. A  mund që këto paqartësi mes dy institucioneve kryesore të mos e mundësojnë procesin?



Fitou: Ka paqartësi dhe procesi është i vështirë. Por unë e kam parë që Qeveria e Kosovës që nga fillimi ka pasur vullnet që të lejojë njerëzit me shtetësi të dyfishtë që të votojnë. Ky është një qëndrim parimor mendjehapur dhe shumë i duhur. E them këtë si ambasador i një shteti mik të Kosovës. mendoj se është vendim i duhur. Tash derisa procesi të vendoset në rrugën e vet, është kohë e shkurtër dhe mund të ketë shumë keqkuptime, paqartësi, por unë mendoj se një proces i tille duhet të mundësohet për të mirën e qytetarëve të Kosovës.

 

KD: Në çfarë baze do të duhej të bëhej kjo? Kush do të bënte një kërkesë për një proces të tillë. Serbia nuk do të kërkojë, OSBE-ja kërkon që autoritetet e Kosovës t`i kërkojnë, Presidenca e Kosovës pret që OSBE-ja ta bëjë kërkesën?



Fitou: Unë nuk jam ekspert legal, por para se të bëhen këto kërkesa legale, gjëja më e rëndësishme është që të ketë mirëkuptim. Mirëkuptimi është politik, duhet të ketë pajtim mes Kosovës, të gjitha institucioneve të Kosovës, Serbisë dhe OSBE-së. A është gjë e mirë për qytetarët që kanë dyshtetësi të mund të votojnë? Po. Është më mirë, sepse ruhet integriteti territorial i Kosovës. Pra a duhet gjetur një mënyrë, pa u marrë të dy shtetet me këtë çështje? Po. Kjo është mënyra për të cilën duhet të pajtohen të gjithë. Të tjerat pastaj zbatohen.



KD: Zyrtarët e misionit të OSBE-së në Kosovë nuk e kanë idenë si do t`ia bëjnë me këtë proces...



Fitou: Nuk po befasohem (qeshet)...nuk po befasohem. Është goxha i komplikuar aspekti legal.



KD: A po hyjmë pra në një proces jolegal, por me efekt pozitiv. A po krijojmë një proces “sui generis”?



Fitou: Kosova është një shtet i ri me shumë vështirësi. Kjo është stresuese. Por ky shtet çdo ditë do të ketë më shumë përgjegjësi për fatin dhe politikat e veta. Dhe duhet të merret kjo përgjegjësi.



KD: Nëse e sfidojmë këtë proces ka shumë hapësira. Ato janë të shpallura bazuar në një kushtetutë që thotë se Kosova është pjesë e Serbisë. Serbia nuk i ka kërkuar Kosovës organizim të veçantë. A i bie që ky proces do të shkelë Kushtetutën e Kosovës?



Fitou: Duhet të merret parasysh realiteti, realiteti është se Kosova kurrë më nuk do të jetë pjesë e Serbisë dhe pikë. Por nëse dikujt i konvenon që të ketë ëndrra të tilla, atëherë është në rregull. Nuk mund t’ia ndalosh dikujt që të ëndërrojë dhe duhet pajtuar edhe më këtë. Por realiteti është se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Nuk e di deri kur, por deri vonë a e dini se cili ka qenë titulli i vërtetë i Mbretëreshës së Finlandës? Ka qenë Mbretëresha e Francës, sepse Mbretëria e Finlandës ka qenë sovrane në Francë në shekullin 15 dhe titulli ka mbetur prej atëherë. Kjo nuk ka nënkuptuar se ne kemi hyrë në luftë për këtë çështje. Për Serbinë ka qenë dramatike pavarësia e Kosovës. Ende nuk janë pajtuar me këtë, sepse nuk është e lehtë, por do të ndodhë një ditë.



KD: Të flasim edhe pak për çështje praktike. Çfarë liste e votuesve do të përdoret? Nëse lista është ajo e Serbisë, i bie se edhe unë kam të drejtë të votoj? Serbia i konsideron të gjithë qytetarët e Kosovës si qytetarë të shtetit të tyre?



Fitou: Jeni i mirëseardhur ta bëni një gjë të tillë (qeshet)...ka shumë probleme të tilla që duhet të zgjidhen.



KD: A kemi garanci se një proces i zgjedhjeve lokale të organizuara nga OSBE-ja nën mandatin e Qeverisë së Kosovës do të mbahen edhe në veri të Kosovës brenda disa muajsh? 



Fitou: Nuk them garanci, sepse nuk marr përgjegjësi për atë që duhet të bëjnë njerëzit e tjerë. Unë vetëm i mbështes njerëzit këtu. Unë them: kjo është rruga që duhet ndjekur. Ky është procesi që duhet të ndodhë. Njerëzit në veri nuk duhet të kërcënohen, por të binden se do të kenë të drejtat e tyre brenda shtetit të Kosovës. Atyre duhet t`u thuhet e vërteta. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...