KTV, tv kanali më i pëlqyer në Kosovë

19 Prill 2012 - 18:03      

Si zakonisht edhe këtë vit uebfaqja dedikuar botës së televizionit, Telekomanda.com ka organizuar një sondazh për të dhënë një pasqyrë për atë se çfarë po shikohet në televizionet kosovare

Prishtinë, 19 prill - Si zakonisht edhe këtë vit uebfaqja dedikuar botës së televizionit, Telekomanda.com ka organizuar një sondazh për të dhënë një pasqyrë për atë se çfarë po shikohet në televizionet kosovare. Sado që është e thjeshtë, ky sondazh është edhe një parapërgatitje për renditjen e programeve më të mira në kanalet kosovare. Këtë vit renditja do të përfshijë  programet më të mira dhe do të publikohet gjatë pjesës së parë të muajit maj, në prag të mbylljes së sezonit televiziv, transmeton Shqipmedia.

Sondazhi është organizuar në uebfaqen tonë ku vizitorët kanë mundur të votojnë për programe të zgjedhura në kategori të ndryshme. Secila kategori ka pasur opsionin shtesë i cili nuk ka theksuar ndonjë program, dhe ky është vlerësuar si një mohim i shikuesve për të shikuar çdonjërin nga emisionet alternative. Pjesëmarrësit gjithashtu kanë ofruar mendimet dhe opsionet në fund të sondazhit duke shfaqur preferencat e tyre për gjithçka që ka munguar në këtë sondazh.

Kategoria e parë ka përfshirë shout argëtues që shfaqen në tri kanalet kombëtare. Në këtë kategori Oxygen ka dominuar tek shikuesit me gati gjysmën e votave të shikuesve. Edhe Milioneri ka pasur një pjesëmarrje prej pothuajse 35%. Shifra inkurajuese ka arritur edhe Fehi’s Show i cili vetëm për një vit shfaqjeje ka kaluar shifrën prej 15%. Rezultatet e sondazhit pohojnë faktin qëRTK ka vepruar me mend kur ka anuluar emisionin Odeon i cili ka arritur vetëm 1.1%, duke mos arritur të marrë as 5 vota.

Kategoria duket se ka qenë e përshtatshme për votuesit, pasi asnjë nuk ka zgjedhur opsionin alternativ si përgjigje për ndonjë emision tjetër apo mospëlqimin e këtyre emisioneve.

Në kategorinë e serialeve vendore të cilat me largimin nga skema të tri serialeve fillestare në RTK, kanë mbetur të varfra në kanalet kombëtare, vazhdon të dominoj si zakonisht Kafeneja Jonë. Seriali epik kosovar ka arritur të marrë më shumë se ¾ e votave duke lënë mbrapa dy prodhimet e fundit të Kujtesës, Amkademiku dhe Kombinati. Këto dy seriale përkundër kohës së shkurtër të transmetimit para sondazhit duket se menjëherë kanë arritur të gjejnë audiencën e tyre.

Në këtë sondazh është vërejtur një numër i madh i shikuesve të Klan Kosova. Për shkak se është kanal kabllor dhe nuk ka shumë programe origjinale, vetëm programi i mëngjesit në këtë kanal, Ora 7 ka qenë i vendosur në sondazh. Ky program ka joshur rreth 35% të pjesëmarrëse, duke lënë mbrapa Një kafe me Labin me 19%. 2 Plus ka nisur me sukses emetimin në KTV duke u ofruar afër 14%, më lartë se Programi i mëngjesit në RTK dhe Matinee. Rezultate dëshpëruese ka pasur për dy programet e RTV21, Bon Bon dhe RelaX. Tek programet informative duket se kemi një fitues të pastër. Interaktiv shikohet nga pothuajse gjysma e pjesëmarrësve në sondazh., 48. 28 për qind  Shifrat e emisionit me të cilin shkojnë në gjumë shumica e kosovarëve janë gjigante krahasuar me programet tjera informative. Lajmet e RTK-së kanë kaluar pak mbi 20%, duke u renditur vetëm mbi 3.6% mbi Lajmet e KTV-së. Ajo që nuk po funksionon tek lajmet duket të jetë Ditari i orës 18:30 në RTV21. Vlen të theksohet që shumica e votuesve që kanë zgjedhur opsionin alternativ në këtë kategori kanë përmendur Lajmet e orës 20 në Klan Kosova. Nga votat për opsionin alternativ, diku rreth 6% shkojnë për lajmet e mbrëmjes në Klan Kosova që e vendosin edhe më lartë se RTV21.



E nëse diku RTV21 po ka sukses atëherë janë serialet turke. Edhe pse kanë kaluar disa muaj nga përfundimi, seriali Ezel vazhdon të mbetet i preferuari i kësaj kategorie tek kosovarët. Seriali Lale në KTV renditet i dyti, pak para serialit Sulltani. Magjia e 1001 net ka rënë dukshëm për shkak të përfundimit të hershëm sigurisht, por duhet kuptuar që ky serial ka ndihmuar në masë të madhe shikueshmërinë e serialit Sulltani. Ajo çfarë befason tek kjo kategori është një e pesta e votuesve të cilët deklarojnë që nuk shikojnë këto seriale. Pra, mesa duket jo krejt kosovarët janë të çmendur pas serialeve turke.

Për dallim me kategoritë tjera, tek kategoria e programeve sportive, pjesëmarrësit në sondazh kanë pasur mundësinë të votojnë për 2 opsione. Kjo për shkak se kanë qenë të përfshira garat sportive të drejtpërdrejta dhe programet përmbledhëse sportive. Sporti Total duket të jetë dukshëm më i shikuar me çerekun e votave, e këtu sigurisht që përfshihet edhe shtrirja e këtij emisioni edhe në pjesën e fundit të Interaktiv. Megjithatë votat kanë qenë të ndara të Interaktiv dhe Sportit Total. Liga e Kampionëve mbetet gara e preferuar e kosovarëve me mbi 40% të votave. La Liga ka kaluar 15% derisa, Superliga e Kosovës ishte afër 6% pas 2me1 në RTV21.

Kosovarët e kanë të qartë se kujt duhet ti besojnë tek programet informative e debutuese politike. Rubikon ka arritur të marrë shumicën e votave, 36 për qind duke krijuar një epërsi të vogël ndaj Jeta në Kosovë. Këto dyja janë bindshëm më të shikuara në kategorinë e tyre, lart mbi Drejtësia në Kosovë dhe programet debutuese tjera në RTK dhe RTV21. Ka pasur vota edhe për Zona B, e cila përkthyer në përqindje do të arrinte diku rreth 2.5%.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...