The Guardian: Një udhëtim në zemër të Alpeve shqiptare

16 Prill 2012 - 18:38      

Pamje magjepsëse, peizazhe të virgjëra. Udhëtimi përmes liqenit Koman në Shqipërinë veriore ofron panorama të një vendi që është ende jashtë radarit të turistëve.
Një shkrim i “The Guardian” për turizmin malor të Shqipërisë, të cilin e transmeton Shekulli - online, pasqyron udhëtimin jo pa vështirësi në zemër të Alpeve.

Tiranë, 16 prill - Pamje magjepsëse, peizazhe të virgjëra. Udhëtimi përmes liqenit Koman në Shqipërinë veriore ofron panorama të një vendi që është ende jashtë radarit të turistëve.

Një shkrim i “The Guardian” për turizmin malor të Shqipërisë, të cilin e transmeton Shekulli - online, pasqyron udhëtimin jo pa vështirësi në zemër të Alpeve.

I ndërtuar në formën e shënimeve të udhëtimit, shkrimi i gazetarit Killian Fox nxjerr në pah edhe problematikën që turistët e huaj hasin gjatë udhëtimeve të tyre në veriun e vendit, mes të cilave mungesa e organizimit dhe informacionit.



“Duke testuar ujërat në Shqipëri”



Sipërfaqja e ujit është krejt e qetë. Kodrat e pjerrëta në njërën anë dhe malet e larta përtej tyre nuk kanë gjurmë të jetës njerëzore, përveç disa fermave të vogla e të izoluara. Nuk ka rrugë, as valë telefoni që mund ta lidhin këtë vend me pjesë tjetër të botës. Gjatë udhëtimit me traget në liqenin e Komanit nuk është e vështirë të imagjinosh sesi ky peizazh ka mbetur i patrazuar për shekuj me radhë.

Është mesi i verës, por në traget nuk ka shumë njerëz. Shumica e pasagjerëve të kësaj anijeje janë në barin e katit të poshtëm, duke pirë cigare dhe kafe të fortë. Ata e kanë parë shumë herë këtë panoramë. Por ata që nuk e kanë parë: unë, e dashura ime, dhe disa çiklistë çekë me çanta në shpinë,  janë ngjitur në pjesën e sipërme për të parë peizazhin mahnitës.

Kudo tjetër në Europë, ky udhëtim dyorësh me traget do të kishte plot turistë, por në Shqipëri jo, të paktën ende. Shekulli i kaluar ka qenë i vështirë për këtë vend të vogël fqinj me Italinë dhe Greqinë. Më shumë se 40 vjet diktaturë komuniste nën pushtetin e Enver Hoxhës, e ndjekur nga një periudhë shkatërruese e kapitalizmit ekstrem të mesit të viteve ’90 e kanë lënë vendin në përpjekje të vazhdueshme për të gjetur vetveten në mijëvjeçarin e ri.

Ndalesa e parë ishte Shkodra, qyteti më i madh në veri, i shtrirë nën “vështrimin” e një kështjelle mesjetare mbresëlënëse të ndërtuar nga venecianët dhe otomanët, dhe i përshkuar nga bulevarde të gjera të ndërtuara gjatë periudhës komuniste.

Kur njerëzit në këtë qytet dalin në shëtitjen e pasdites dhe mblidhen nëpër kafene, të duket sikur je diku në Itali, derisa dëgjon këngën e hoxhës nga një prej xhamive të qytetit apo kthen sytë tek ndonjë prej ndërtesave që duken sikur janë transplantuar nga Moska e viteve 1950.

Ne kishim planifikuar të niseshim mëngjesin tjetër për në Alpet shqiptare të verilindjes. Mënyra më e mirë për të arritur atje, nëse do të shmangësh një udhëtim të gjatë  e të pasigurt, është me tragetin që lundron në liqenin e Komanit.

Por ne nuk e kishim idenë sesi të arrinim deri te liqeni, nuk mund të gjeje gjëkundi një zyrë informacioni, madje edhe guidat ishin shumë skematike dhe pa detaje në lidhje me këtë. Një taksist që dinte pak fjalë në anglisht telefonoi një shokun e vet dhe rregulluam që të na merrte në mëngjes me makinë. Në fakt, kjo u bë eksperienca jonë tipike gjatë këtij udhëtimi. Pyet dikë në rrugë dhe nëse ai nuk mundet të të ndihmojë vetë, do gjejë patjetër një kushëri ose mik që mundet ta bëjë këtë. Nëse të qenit i gjindshëm dhe mikpritja do të ishin gjëra që shiten, shqiptarët do të ishin bërë të pasur.

Ishte ora 06:30 kur Gjergji, një burrë gazmor me mustaqe, na mori me mikrobusin e tij nga hotel “Rozafa”. Në 06:32 ndaluam në kafenenë në anë të rrugës, ku Gjergji na qerasi me kafe ekspres dhe konjak “Metaxa”. Në 07:15 më në fund u nisëm.

Liqeni i Komanit është krijuar nga një digë, një projekt i madh hidroenergjetik i ndërtuar në vitin 1980. Një orë udhëtim me traget, kodrat anës liqenit duket sikur i hapin rrugën këtij të fundit, derisa nisin të shfaqen në të dy anët  faqet vertikale të maleve të larta shkëmbore , të cilat sikur të paralajmërojnë se liqeni këtu mbaron. Të duket si një nga skenat e filmit “Lord of the rings”, madje edhe çiklistët çekë kanë mbetur të habitur.

Lugina e Valbonës, në zemër të Alpeve shqiptare, është dy orë me makinë nga zbritja nga trageti. Ajo rrethohet në të dy anët nga male të larta. Lartësia e tyre është aq e madhe, saqë duhet të përkulim qafën mbrapa për të parë majat e thepisura.

Kaluam disa net në një shtëpi-hotel të quajtur “Rilindja”, duke u endur ditën nëpër fshatra e duke ngrënë troftë lumi. Dhe kjo ishte veçse një pjesëz e asaj që vendi do të na ofronte gjatë qëndrimit tonë 10-ditor atje.  Ne nuk shijuam plazhet e bukura (Shqipëria ka një vijë bregdetare që lidh detin Adriatik me Jonin), gërmadhat greke e romake në Butrint, Gjirokastrën e Ismail Kadaresë, laureat për Nobel, pa përmendur kryeqytetin, Tiranën.  Nëse jeni të përgatitur për të udhëtuar në rrugë të vështira dhe me marrëveshje idiosinkretike udhëtimi, Shqipëria mbetet një gjetje e rrallë.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...