Ka nisur “Chopin Piano Fest Prishtina 2012”

13 Prill 2012 - 09:51      

Kosova dhe Chopin kanë qenë dy emrat që e kanë bindur të pranonte ftesën për të shijuar për herë të parë duartrokitjet e publikut në shtetin për të cilin kishte dëgjuar nga larg. Agjenda e saj nuk i përballon “eksperimentet”, por kureshtja e ka sfiduar. Në hartën e vendeve në të cilat do të performojë këtë vit, pianistja kanadeze Janina Fialkowska e ka përfshirë edhe Kosovën. Të enjten mbrëma ajo ka hapur edicionin e tretë të festivalit të vetëm në vend që i

Prishtinë, 13 prill - Kosova dhe Chopin kanë qenë dy emrat që e kanë bindur të pranonte ftesën për të shijuar për herë të parë duartrokitjet e publikut në shtetin për të cilin kishte dëgjuar nga larg. Agjenda e saj nuk i përballon “eksperimentet”, por kureshtja e ka sfiduar. Në hartën e vendeve në të cilat do të performojë këtë vit, pianistja kanadeze Janina Fialkowska e ka përfshirë edhe Kosovën. Të enjten mbrëma ajo ka hapur edicionin e tretë të festivalit të vetëm në vend që i dedikohet pianos. “Chopin Piano Fest Prishtina 2012”, që organizohet nga “Chopin Asociacioni i Kosovës”, ka ngritur perden me koncertin recital të mysafires kanadeze. Para audiencës së mbledhur në sallën e “Swiss Diamond Hotel”, Fialkowska ka interpretuar vepra të Schubertit dhe Lisztit. Në pjesën e dytë të koncertit në Kosovë ajo ka sjellë veprat e Frederic Chopinit.

“Për çfarëdo vendi tjetër do të thosha jo. Por kur më kanë thënë për Kosovë, më janë kujtuar njerëzit e fortë të cilët i admiroj dhe pastaj kam dëgjuar emrin e Chopinit që është i preferuari im”, ka rrëfyer Fialkowska. “Kam bërë gjithçka që të vija këtu, sepse isha shumë kureshtare”.

Përshtypja e parë që ka fituar për Kosovën i ka lënë shije të mirë. Por do të niset drejt Kanadasë me një dëshirë “peng”.

“Do të doja të kisha dëgjuar edhe muzikantët kosovarë se si performojnë. Do të doja të kthehesha prapë”, ka thënë ajo.

Edhe pse nuk kishte dëgjuar asnjëherë më parë për “Chopin Piano Fest”, Fialkowska nuk është penduar që është bërë pjesë e agjendës së këtij festivali.

“Gjithçka ka qenë e organizuar më mirë sesa e kam menduar. Kushtet janë shumë të mira. Kryesorja piano është e shkëlqyer, sepse në shumë vende ku kam performuar s’ka qenë e mirë”, ka thënë ajo. “S’kam asgjë për t’u ankuar”, ka shtuar ajo.

Lejla Pula, drejtoreshë artistike e “Chopin Piano Fest - Prishtina 2012”, ka treguar arsyen pse Fialkowska është përzgjedhur për të hapur perden e këtij edicioni.

“Janina është një pianiste e shkëlqyer dhe e ka shfrytëzuar një hapësirë të vogël të lirë që ka pasur për të ardhur në Prishtinë. Jemi të lumtur që ka pranuar dhe ka qenë sonte me ne për të bërë hapjen e festivalit”, ka thënë ajo.

Por realizimi i edicionit të tretë të festivalit, sipas Pulës, nuk ka qenë i lehtë.

“Jemi shumë të kënaqur që kemi arritur ta realizonim festivalin për shkak të vështirësive të sponsorizimit, pasi kemi pasur mjete minimale”, ka thënë Pula, derisa ka shprehur edhe një tjetër ankesë.

“Po ashtu Salla e Kuqe ku zakonisht e kemi organizuar festivalin ka qenë e zënë me panaire, por për fat na është ofruar kjo sallë shumë e përshtatshme”, ka thënë ajo.

Pula ka njoftuar se koncertet e “Chopin..” nga ky edicion do të jenë me pagesë.

“Duke u nisur nga sugjerimet që kanë ardhur nga viti i kaluar, sivjet e kemi bërë hyrjen me bileta që kushtojnë nga tri euro. Në këtë mënyrë organizimi është shumë më i mirë dhe njerëzit po interesohen t’i sigurojnë me kohë ulëset e tyre”, ka thënë ajo.

Pula po ashtu ka dhënë detaje për përmbajtjen e edicionit të tretë të festivalit që i kushtohet literaturës pianistike.

“Sivjet tetëdhjetë për qind e festivalit i kushtohet literaturës pianistike dhe më shumë se gjysma e mysafirëve janë nga jashtë. I kemi katër recitale, me tre artistë nga Evropa”, ka shpjeguar ajo.

“Chopin Piano Fest – Prishtina 2012” do të zgjasë deri më pesë maj. Për tetë mbrëmje muzikore që përfshin festivali do të performojnë muzikantët si: Peter Donohoe nga Anglia, Endre Hegedys nga Hungaria, Martin Kasik nga Çekia, Alberta Troni nga Kosova, tenori Ramë Lahaj dhe Birsel e Ozcan Ulucan nga Turqia. Dy net të tjera janë speciale, njëra i kushtohet Filarmonisë së Kosovës dhe artisteve Ardita Statovci e Dhurata Lazo, ndërsa nata e parafundit, më 30 prill, u kushtohet artistëve të rinj.

Festivali organizohet nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës dhe të Komunës së Prishtinës.



 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...