Dhoma e Veçantë në “gjumë” qe tre vjet

11 Prill 2012 - 09:38      

Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme për tre vjet e gjysmë nuk e ka miratuar asnjë listë përfundimtare të punëtorëve, që do të nënkuptonte shpërndarjen e tërësishme të 20-përqindëshit për punonjësit e një ndërmarrjeje. Në mungesë të vendimeve, një pjesë e mjeteve nga fondi i 20-përqindëshit nuk po u shpërndahet punonjësve të ish-ndërmarrjeve shoqërore.

Prishtinë, 11 prill - Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme për tre vjet e gjysmë nuk e ka miratuar asnjë listë përfundimtare të punëtorëve, që do të nënkuptonte shpërndarjen e tërësishme të 20-përqindëshit për punonjësit e një ndërmarrjeje. Në mungesë të vendimeve, një pjesë e mjeteve nga fondi i 20-përqindëshit nuk po u shpërndahet punonjësve të ish-ndërmarrjeve shoqërore.

Agjencia Kosovare e Privatizimit pas shumë protestave të organizuara nga sindikata kishte marrë vendim për të ndryshuar politikën e shpërndarjes së pjesshme të 20-përqindëshit, përkatësisht të shpërndajë një pjesë të fondit edhe në mungesë të vendimeve përfundimtare nga Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme. Megjithatë, një pjesë e mjeteve vazhdon të mbetet e bllokuar.

Në rastet kur për një listë ka pasur shumë ankesa, përqindja e shpërndarjes së nga fondit të 20-përqindëshit ka qenë më e ulët.

Zyrtarët e Dhomës së veçantë të Gjykatës Supreme kanë qenë të pakontaktuar gjatë ditës së martë. Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Shkëlzen Lluka, ka thënë se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë vendim përfundimtar për listat e punëtorëve për shpërndarje të 20-përqindëshit. Lluka thotë se të gjitha punët që i kanë takuar AKP-së kanë përfunduar me kohë, porse sipas tij i takon Dhomës që të marrë vendime përkitazi me ankesat.

“Deri më tani nuk kemi asnjë vendim përfundimtar për listat e punëtorëve nga Dhoma e Veçantë, që i bie që nëse nuk do të merrnim vendim për ndryshimin e politikës për shpërndarjen e 20-përqindëshit deri më tani nuk do t’u ishte shpërndarë asnjë qindarkë punëtorëve”, ka thënë Lluka.

Ai ka shtuar se me vendimin për shpërndarje të pjesshme të 20-përqindëshit, deri më tani janë shpërndarë afër 50 milionë euro. Lluka pret që me krijimin e legjislacionit të ri edhe Dhoma e Veçantë të përshpejtojë punën e saj në finalizimin e këtyre vendimeve.

Kritik ndaj punës së Dhomës së Veçantë është shprehur edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi. Ai thotë se për këtë problem ka takuar kreun e Dhomës së Veçantë. Sipas tij, pengesat kryesore vijnë nga ndërkombëtarët.

“Pengesë kryesore janë ndërkombëtarët. Ata vijnë dhe rrinë gjashtë muaj dhe shkojnë, pastaj vijnë të tjerët e kështu me radhë dhe askush nuk bën asgjë”, ka thënë Arifi.

Ai nuk amniston as Qeverinë e Kosovës dhe instancat më të larta gjyqësore, të cilat nuk i kanë emëruar të gjithë gjykatësit në këtë Dhomë.

“Aty punohet në dy panele. Në të parin punojnë vendorët e në panelin e dytë punojnë ndërkombëtarët. Këta të fundit nuk punojnë asgjë. Që nga viti 2008 nuk është zgjedhur asnjë lëndë dhe ky është një problem i madh”, ka thënë Arifi.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...