Femrat e dhunuara në luftë, të keqtrajtuara në paqe

9 Prill 2012 - 22:15      

Trembëdhjetë vjet më parë, 52-vjeçarja nga Drenica kishte një jetë të mirë dhe të lumtur së bashku me familjen e saj pesanëtarëshe. Ajo madje e kishte edhe dinjitetin të cilin “nuk e ka sot”. Lufta e Kosovës e kishte “mbytur për së gjalli”.

Prishtinë, 9 prill – Trembëdhjetë vjet më parë, 52-vjeçarja nga Drenica kishte një jetë të mirë dhe të lumtur së bashku me familjen e saj pesanëtarëshe. Ajo madje e kishte edhe dinjitetin të cilin “nuk e ka sot”. Lufta e Kosovës e kishte “mbytur për së gjalli”. Kishte parë shumëçka, kishte përballuar shumëçka, madje edhe plagosjen e djalit të hasretit, që asokohe kishte vetëm tre vjet. Por, mendja nuk i kishte shkuar se do të shërbente si objekt ku ushtarët serbë do t’i shuanin epshet seksuale për dy javë rresht. E dhunuar sistematikisht për dy javë, në prezencë të tre fëmijëve, 52- vjeçarja përsërit vazhdimisht se “është e vdekur për së gjalli”, shkruan Koha Ditore.

“Vdekja për mua nuk është më tragjedi. Ah sikur të kisha vdekur, nuk kisha dashtë asgjë më shumë”, rrëfen drenicasja, e cila në moshën 39-vjeçare kishte përjetuar “masakër për së gjalli”. Prej vitit 1998, atëherë kur lufta kishte krisur në Kosovë, ajo dhe familja e saj kishin qëndruar nëpër male. Dy muaj para bombardimeve nga forcat e NATO-s, në vitin 1999, ajo me tre fëmijët e saj, si dhe qindra gra, fëmijë e pleq të zonës së Drenicës që zhvendoseshin vazhdimisht për të gjetur ndonjë vend të sigurt, ishin vendosur në lokacionin e quajtur nga vendësit “Tunelet e Açarevës” në fshatin Açarevë. Aty kishin ngritur tenda dhe kishin qëndruar të sulmuar kohë pas kohe nga forcat serbe deri dy javë pas bombardimeve të NATO-s. Tmerri kishte nisur pikërisht në atë periudhë.

“Nuk e di saktë datën, por e di që ishte pothuajse dy javë pas bombardimeve të NATO-s, ajo ditë kur shkijet erdhën dhe nuk lanë gjë pa bërë”, rrëfen ajo.

Ata kishin hedhur granata, kishin shpërndarë dhunë, kishin masakruar dhe kishin përdorur çdo lloj torture mbi popullatën e pafajshme të përbërë nga gratë, fëmijët dhe pleqtë shqiptarë. Po atë ditë, edhe djali i saj trevjeçar ishte plagosur nga copat e një predhe, të cilat i kishin shkaktuar plagë në kokë e në këmbë.

“Djalin e kisha për gjini, e dy çikat, edhe ato të vogla, njëra pesë vjet e tjetra katër, qanin vazhdimisht. Krejt mundimin e kisha se si t’i mbaja afër vetes”, ka shtuar ajo.

Pasi që kishin arritur ta vinin plotësisht nën kontroll masën, forcat serbe i kishin detyruar të gjithë personat që ishin prezentë të renditeshin në kolonë me arsyetimin se po i dërgonin për në Drenas. Disa herë kolona ishte ndalur. Dikë e kishin mbytur e dikë e kishin plaçkitur. Njëra ndër pauzat e kolonës kishte rezultuar më së keqi. Ndalja në fshatin Tërdefc ia kishte rrënuar jetën drenicases, dhe po ashtu edhe 26 femrave të tjera, të cilat ushtria serbe i kishte veçuar nga kolona. Gratë që ishin selektuar “si më të bukurat” ishin vendosur secila veç e veç nëpër shtëpitë e fshatit Tërdefc, asokohe i braktisur nga banorët. Ato që kishin pasur fëmijë i kishin marrë me vete.

“Djalin e mbaja në gji. E vajzat më mbanin fort për trupi, nuk hiqeshin nga unë”, rrëfen e përlotur 52-vjeçarja, të cilën e kishin vendosur në një odë që përbëhej nga një dhomë dhe një korridor në formë të paradhomës. Aty ajo ishte dhunuar nga dy policë serbë çdo natë, për 14 ditë rresht.

“Njëri nga ta ishte komandant i policisë serbe në Drenas. Tjetri nuk e di. Të dy ishin afërsisht të moshës 50-vjeçare”, tregon ajo.

Ata madje kishin filluar të krijonin armiqësi me njëri-tjetrin se cili ta zinte radhën i pari për ta dhunuar atë, derisa komandanti serb pas disa ditësh kishte vendosur që ta vizitonte vetëm ai.

“Fëmijët dëgjonin e shihnin çdo natë se ç’po ndodhte. Vajza e madhe e kuptonte se çfarë po më bënin”, vazhdon të rrëfejë ajo.

Çdo natë policët serbë iu kishin sjellë fëmijëve të saj ushqime, çokollata e rroba, në mënyrë që të qetësoheshin dhe të mos i ”bezdisnin” ata me të qara. Ata madje ia kishin sjellë një doktor djalit të 52- vjeçares, për t’ia larguar një copë të predhës që i kishte ngecur në këmbë.

“Djali qante vazhdimisht dhe ata s’mund ta duronin. Kështu e sollën një doktor, i cili u mor me plagën e tij”, tregon ajo,  e cila pesë ditët e para të qëndrimit në atë dhomë nuk kishte ngrënë asgjë. Ajo, e cila pas dy javësh kishte peshuar vetëm 30 kilogramë, pasi kishte përjetuar “tmerrin dhe poshtërimin më të madh në botë”.

“Ata i thoshin njëri-tjetrit me gëzim se po pinin qumësht shqiptari. Nuk më patën lënë pjesë të trupit pa më dëmtuar. Më kafshonin si kafshë”, ka shtuar ajo.

Kur i kishin humbur të gjitha forcat, “Zoti kishte dashur” t’i vinte fundi asaj tragjedie. Ajo pas dy javësh kishte dëgjuar teksa po largoheshin forcat serbe nga fshati. Kishte pasur hallin se si të dilte nga ajo dhomë. Më shumë kishte dashur të vdiste sesa të përballej me njerëzit, posaçërisht me burrin e saj, i cili asokohe ishte i strehuar në male.

“Fjalët dëgjoheshin dhe burri im kishte marrë vesh se ndodhesha në Tërdefc. Shumëkush më kishte parë kur më ndanë nga kolona e edhe burri im nuk e kishte pasur zor të kuptonte se çfarë më kishte ndodhur”, tregon ajo.

Por, falë përkrahjes së burrit të saj dhe familjes, ajo sot ende jeton. Të gjithë e kishin mbështetur dhe i kishin dhënë forcë ta vazhdonte jetën. Burri i saj madje e kishte ndaluar disa herë në momentet kur ajo kishte vendosur t’i jepte fund jetesë së saj.

“Burri im disa herë më ka ndalë kur më ka parë duke tentuar të bëjë vetëvrasje. Falë atij dhe fëmijëve unë po jetoj”, ka thënë drenicasja.

Por, dhimbjet e saj përherë qëndrojnë. Edhe atëherë kur ajo vendos t’i harrojë, rrethi i saj ia përkujton. Fjalët e fshatit nuk ndalen, edhe po deshi ajo, edhe po e harroi ajo tragjedinë e përjetuar. E asaj shpesh i ndodh që ta humbë vetëdijen e të mos e dijë se ku ndodhet, si pasojë e traumave.

“Kam pas jetë të mirë para lufte. Kemi pas dyqanin tonë, shtëpinë, veturën, traktorin. Krejt janë djegur, e tash po jetojmë në një dhomë”, ka thënë ajo.

Jeta e saj mund të “stabilizohet” vetëm nëse do ta ndërronte vendbanimin. Por drenicasja nuk ka marrë përkrahje nga askush. Ajo e di se Ligji për statusin dhe të drejtat e familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të viktimave civile të luftës nuk e mbështet atë e as mijëra gra të tjera, të cilat ishin viktima të dhunimit nga forcat serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë.

“Kam pritur që shteti ynë do të bëjë diçka për të na lehtësuar gjendjen, për të na rehabilituar, për të na rikthyer në jetë. Tek ne po të jesh i plagosur nga plumbi je hero dhe krenohesh, mirëpo po te jesh e dhunuar, është poshtërim dhe duhet ta mbash kokën ulur”, ka thënë ajo, duke vajtuar jetën e saj dhe të familjes “që po e kalojnë në mjerim e skamje”.

Ajo është përpjekur disa herë të rregullojë dokumentacionet për të përfituar benificione, duke menduar se i takojnë me ligj asaj dhe djalit të saj të dëmtuar në luftë, por nuk ka arritur të përfitojë asgjë.

“Më kanë thënë se duhet të na mungojë një dorë ose një këmbë për të na takuar ndonjë pension invalidor”, ka shtuar ajo.

E Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës kosovare për rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës, ka bërë të ditur se flitet që numri i grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë shkon deri në 20 mijë.

Rushiti ka vlerësuar se fatkeqësia e grave të dhunuara gjatë luftës është se, përveç se janë dhunuar, ato janë ritraumatizuar nga opinioni kosovar dhe nga mentaliteti i shoqërisë, për faktin që shoqëria i ka stigmatizuar, dhe shumë prej tyre kanë mbetur madje edhe pa mbështetje të familjes.

“Shumë gra janë nda nga burrat, janë stigmatizuar nga familjarët e prindërit. Më e keqja është se kjo kategori nuk përfshihet në Ligjin për vlerat e luftës. Këto gra me status duhet të ishin kategorizuar si viktima civile, mirëpo ky ligj e ka marrë parasysh vetëm invaliditetin fizik, pa e marrë parasysh invaliditetin mendor”, ka sqaruar Rushiti.

Këto kategori, sipas Rushitit, kanë mbetur plotësisht në margjina të shoqërisë, dhe nuk kanë asnjë përkujdesje “përpos iniciativave të shoqërisë civile”.

Rushiti ka bërë të ditur se qendra që ajo drejton e ka në plan t’i mbledhë shumë gra të cilat janë viktima të dhunimit e që ndjekin programe riintegruese në këtë qendër, për të kërkuar opinionin e tyre se cila do të ishte mënyra më e mirë për ta adresuar çështjen e tyre në një fushatë, e cila është premtuar të realizohet nga ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku.

“Dhunimi është armë e luftës, në qoftë se është viktimë dikush që është plagosur, edhe ajo që është dhunuar është e tillë. Kjo është e përcaktuar edhe me konventa ndërkombëtare”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq, zëvendësministri dhe njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, lidhur me këtë kategori, e cila ka mbetur e papërfshirë në ligj 13 vjet pas mbarimit të luftës, ka thënë se çështja e tyre nuk është trajtuar ende në veçanti.

“Nuk është trajtuar në veçanti kjo çështje deri më tani që të rregullohet me ligj. Do t’i marrim përvojat e vendeve të rajonit”, ka thënë Kuçi.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...