U miratua Ligji për pensionet

6 Prill 2012 - 15:33      

Pak më parë ligjvënësit miratuan me shumicë votash Ligjin për pensionet, i cili nuk përfshin kërkesat thelbësore të kategorisë së qytetarëve për të cilët është hartuar. Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar edhe projektligje të tjera, por debat më i gjerë u zhvillua për Projektligjin për regjistrimin dhe evidencën e të papunëve dhe punëkërkuesve, dhe Projektligjin për lojërat e fatit.

Prishtinë, 6 prill – Pak më parë ligjvënësit miratuan me shumicë votash Ligjin për pensionet, i cili nuk përfshin kërkesat thelbësore të kategorisë së qytetarëve për të cilët është hartuar. Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar edhe projektligje të tjera, por debat më i gjerë u zhvillua për Projektligjin për regjistrimin dhe evidencën e të papunëve dhe punëkërkuesve, dhe Projektligjin për lojërat e fatit.
Për amendamentin e dytë në Projektligjin për regjistrimin dhe evidencën e të papunëve dhe punëkërkuesve të propozuar nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, u zhvillua debat i gjerë. Haxhiu e arsyetoi këtë amendament, duke thënë se kërkon që mosha e punëkërkuesve të ndryshohet nga 15 vjeç në 18 vjeç.
“Unë kam propozuar që mosha 15 vjeç për evidencën e të papunëve të zëvendësohet me moshën 18 vjeçare, sepse ashtu si është propozuar nga ana e komisionit është në kundërshtim edhe me nenet 5, 6 dhe 7 të këtij ligji dhe Kushtetutën e Kosovës me nenin 50 për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”, tha Haxhiu.
Ndërkohë, debat më i nxehtë u zhvillua gjatë shqyrtimit të Projektligjit për lojërat e fatit. Një sërë amendamentesh të propozuara nga deputeti i PDK-së Shaip Muja, nuk morën mbështetjen e deputetëve, madje as të deputetëve të PDK-së. Deputeti Muja tha se qëllimi i tij është që të ketë më shumë transparencë në lojërat e fatit.
“Mu këta që po i japin kaq shumë zjarr janë më shumë në probleme në këtë ligj sesa unë. Prandaj unë jam i interesuar që të futet transparencë, monitorim dhe licencim”, tha Muja.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se lojërat e fatit në ekonominë e tregut nuk mund të ndalohen.
“Nëse mundesh t’ua ndalosh lojërat online e facebook etj, ministrive Qeverisë, Kuvendit etj, këtë nuk mund t’ua bësh nëpër shtëpi private. Ata që duan të luajnë online ata do të luajnë dhe luajnë kudo në botë dhe askush nuk mund t’ua kufizojë”, tha Bajrami.
Ndërsa, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ishte më i drejtpërdrejtë, duke thënë se ka evazion fiskal nga këto lojëra dhe se të interesuar për to ka edhe në sallën e Kuvendit.
“Unë nuk kam dyshim që në këto lojëra ka të interesuar edhe brenda kësaj salle edhe jashtë sallës, por evazion fiskal në Kosovë ka edhe shumë dhe këtë nuk mund ta bëjnë atë që s’kanë pushtet në këto lojëra”, tha Krasniqi.
Në seancën e sotme, ligjvënësit miratuan edhe Projektligjin për bibliotekat në Kosovë, ndërsa në rend dite është edhe kërkesa e Qeverisë për tërheqjen e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Turizmin dhe Shërbimet Turistike dhe shqyrtimi Planit Hapësinor i Zonës me interes të veçantë ”Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në Kleçkë dhe Divjakë”.

 Ligjvënsit sot shqyrtojnë Ligjin pensional

Prishtinë, 6 prill  - 10:21 - Edhe sot i vazhdon punimet mbledhja maratonike e Kuvendit të Kosovës, që nisi më 29 mars dhe u ndërpre disa herë.

Ligjvënësit sot, në seancën e paradites, në rend dite kanë shqyrtimin për herë të dytë të katër projektligjive: Ligjin për bibliotekat, atë për regjistrimin dhe evidencën e të papunëve dhe punëkërkuesve, Ligjin për lojërat e fatit dhe Ligjin për fondet pensionale në Kosovë.

Gjithashtu do të shqyrtohet edhe kërkesa e Qeverisë për tërheqjen e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për turizmin dhe shërbimet turistike, si dhe shqyrtimi i Planit hapësinor i zonës me interes të veçantë "Shtabi i Përgjithshëm i UÇK së në Kleçkë dhe Divjakë".


comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...