Shqipëria u thotë lamtumirë qeseve plastike

7 Mars 2012 - 18:56      

Pas datës 1 shtator të këtij viti, kompanitë prodhuese të ambalazheve nuk do të lejohen të prodhojnë apo hedhin në treg qese plastike të pabiodegradueshme (pazbërthyeshme) nga të gjithë operatorët ekonomikë.

Tiranë, 7 mars - Pas datës 1 shtator të këtij viti, kompanitë prodhuese të ambalazheve nuk do të lejohen të prodhojnë apo hedhin në treg qese plastike të pabiodegradueshme (pazbërthyeshme) nga të gjithë operatorët ekonomikë.

Me ligjin përkatës, prej 1 janarit të vitit  2013 nuk do të lejohet përdorimi dhe tregtimi i qeseve plastike të pazbërthyeshme nga të gjitha njësitë tregtare. Kjo përcaktohet nga vendimi i Këshillit të Ministrave, i miratuar në mbledhjen e së martës “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, qëllimi i të cilit është mbrojtja, ruajtja dhe përmirësimi i cilësisë së mjedisit dhe shëndetit të njeriut përmes minimizimit të ndikimeve negative nga ambalazhet dhe mbetjet e tyre.

Vendimi përcakton se “ndalohet prodhimi, importimi dhe hedhja në treg e ambalazheve, kur nuk respektohen nga subjektet përgjegjëse kërkesat për nivelet e përqendrimit të metaleve të rënda në ambalazhe”, si dhe “e qeseve plastike nën 30µ (mikro) (15 për çdo anë)”.

Vendimi përcakton gjithashtu ndalimin e “transportit të mbetjeve të ambalazheve me mjetet që transportojnë mbetje organike të përziera shtëpiake/bashkiake”. Vendimi synon të parandalojë mbetjet nga gjenerimi i ambalazheve, të nxitë grumbullimin e diferencuar, ripërdorimin, riciklimin dhe rikuperimin e mbetjeve nga ambalazhet, duke reduktuar sasitë e tyre që asgjësohen përfundimisht, si dhe të vendosë rregulla për prodhimin e ambalazheve dhe menaxhimin e mbetjeve të tyre në të gjitha fazat, si dhe të përcaktojë subjektet përgjegjëse për menaxhimin e tyre, shkruan Balkanweb.

Zbatimi i vendimit prek të gjitha llojet e ambalazheve të hedhura në treg në Shqipëri dhe të gjitha mbetjet nga ambalazhet, të përdorura ose të hedhura nga subjektet shtëpiake, bujqësore, industriale, si dhe nga shërbimet e tjera tregtare, përfshi edhe sektorin publik, pavarësisht nga lloji i materialit ambalazhues.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...