Ulet dinamika - vazhdon procesi

4 Mars 2012 - 13:02      

Pas nëntë raundesh të takimeve dhe gjithsej shtatë marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, procesi i ardhshëm zgjedhor në Serbi pritet të ngadalësojë dinamikën e mbajtjes së takimeve të drejtpërdrejta ndërmjet palëve.

Prishtinë, 4 mars - Pas nëntë raundesh të takimeve dhe gjithsej shtatë marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, procesi i ardhshëm zgjedhor në Serbi pritet të ngadalësojë dinamikën e mbajtjes së takimeve të drejtpërdrejta ndërmjet palëve.

Megjithatë, në Bruksel thonë se rëndësi kruciale në muajt e ardhshëm do të jetë zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, thotë për Radion Evropa e Lirë se do të vazhdojnë kontaktet ndërmjet palëve dhe puna e grupeve punuese për zbatim.

Është e qartë se puna e grupeve punuese për zbatim do të vazhdojë, sepse zbatimi ka rëndësi kruciale për të gjithë.

“Është e qartë se puna e grupeve punuese për zbatim do të vazhdojë, sepse siç e kemi thënë në shumë raste dhe siç është konfirmuar nga këshilli, zbatimi ka rëndësi kruciale për të gjithë. Bashkimi Evropian do të mbetet ndërmjetësues dhe do të ketë kontakte të ngushta me të dyja palët”, thotë Kocijançiq.

Në mesin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet palës kosovare e asaj serbe, ndër të tjera, hyn ajo për njohjen e diplomave universitare, regjistrin kadastral, lirinë e lëvizjes, menaxhimin e integruar të kufirit dhe marrëveshja për bashkëpunimin rajonal.

Pa precizuar temat e ardhshme që do të vihen në tryezën e diskutimit, Kocijançiq bën të ditur se do të flitet sërish për çështjen e energjisë dhe të telekomunikacionit, meqë për këto dy çështje, edhe pse ishte diskutuar në raundet paraprake, nuk është arritur pajtim ndërmjet palëve.

“Për shembull, çështjet të cilat janë diskutuar tashmë, por që nuk kanë rezultuar me marrëveshje, janë çështjet si telekomi dhe energjia”, thekson Kocijançiq.

Rëndësinë për gjetjen e zgjidhjeve për energjinë dhe telekomunikacionin e përmendi, ditë më parë, shefi i delegacionit serb, Borko Stefanoviq, duke thënë se ato do t’i nevojiten Serbisë për marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimit Evropian.

Mirëpo, Stefanoviq u tha mediave serbe se ende nuk janë “vendosur kufijtë me Kosovën“ dhe se Serbia “nuk e ka dhënë Kosovën“ në shkëmbim të statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, thotë se retorika aktuale politike e Beogradit rreth çështjeve që kanë të bëjnë me Kosovën, nuk do të ndalet në prag të fushatës zgjedhore. Shumëçka në ecurinë e mëtejmë të dialogut, sipas saj, do të varet nga qeveria e re serbe dhe nga plani i Serbisë për integrim evropian.

“Shumëçka do të varet nga ajo nëse qeveria e ardhshme do ta shfrytëzojë statusin e vendit kandidat si një mundësi; se a do ta bëjë integrimin evropian prioritet, të cilit do t’i japë substancën e një politike evropiane”, vlerëson Biserko për Radion Evropa e Lirë.

Zgjedhjet serbe, përkatësisht mbajtja e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, vlerësohet të jenë proces i radhës, përmes të cilit BE-ja dëshiron të testojë “konstruktivitetin” e shtetit serb në raport me Prishtinën.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...