Ish-kreu i Kamenicës dhe shefi i prokurimit me akuza për vepra penale

1 Mars 2012 - 09:25      

Ish-kryetari i Kamenicës, Begazad Sinani, dhe ish- shefi i Zyrës së prokurimit në këtë komunë, Hasan Keqmezi, sot (e enjte) pritet të paraqiten në Gjykatën e Qarkut në Gjilan.
Në janar të këtij viti të dytë janë akuzuar nga kryetari aktual i Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Kamenicë, 1 mars - Ish-kryetari i Kamenicës, Begazad Sinani, dhe ish- shefi i Zyrës së prokurimit në këtë komunë, Hasan Keqmezi, sot (e enjte) pritet të paraqiten në Gjykatën e Qarkut në Gjilan.

Në janar të këtij viti të dytë janë akuzuar nga kryetari aktual i Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës shuma e keqpërdorimeve kap vlerën prej 178 mijë eurosh, të cilat janë përdorur gjatë shpërndarjes së ndihmave ushqimore dhe sanitare gjatë fushatës së zgjedhjeve komunale 2009. Në këto zgjedhje Begzad Sinani ka qenë kandidat i PDK-së për kryetar komune. Po ashtu, sipas aktakuzës, një pjesë e reklamave partiake i janë faturuar komunës. Aktakuza përmend edhe keqpërdorimin e derivateve, buxhetin komunal për dreka në kohën e fushatës zgjedhore, një shëtitje në Durrës, ku pa kurrfarë procedure të Kuvendit Komunal dhe të prokurimit ish-kryetari ka tërhequr 10 mijë euro.

Më tej në aktakuzë flitet edhe për keqpërdorime ndaj projekteve të menaxhuara nga Zyra e prokurimit, ku për të njëjtat akuzohet edhe Hasan Keqmezi, ish- menaxher i prokurimit.

Kreu i Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, thotë se bëhet fjalë për keqpërdorim të pozitës dhe buxhetit nga ish-kryetari i Komunës, Begzad Sinani, dhe të ish-menaxherit të prokurimit Hasan Keqmezi.

“Pas marrjes së mandatit të ri më 8 janar 2010 nga zgjedhjet komunale 2009 i kemi hasur këto parregullsi dhe keqpërdorime e që pas një viti të analizave dhe vlerësimeve i kemi paraqitur në njësinë rajonale të Policisë së Kosovës kundër krimeve ekonomike në Gjilan“, ka thënë Surdulli. Sipas tij, me hetime është marrë policia, Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

Ish-kreu i Kamenicës, Begzad Sinani, akuzat e kreut aktual të Kamenicës i cilëson si rivalitet.

“Kryetari Surdulli i frikësohet rivalitetit në komunë, ngase është në dijeni se në mandatin e ardhshëm unë do të rikandidoj për kryetar komune dhe se do të fitoj kundër tij, e që unë do të jem ai që do t`i shpalos të gjitha keqpërdorimet nga ana e tij“, ka thënë Sinani. Edhe i akuzuari tjetër Hasan Keqmezi thotë se këto akuza janë shpifje nga Surdulli.

"Mjetet e shpenzuara të paraqitura në këtë aktakuzë janë ndarë për familjet skamnore, të cilat janë në numër të madh në këtë komunë, e që kryetari Surdulli fare nuk e qan kokën për t`u dalë në ndihmë“, ka sqaruar Keqmezi.

Në seancën e 8 shkurtit gjykatësi i EULEX-it, Cezary Dzirukowski, pasi ka dëgjuar të gjitha palët, vendosi që seanca të shtyhet për 1 mars.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...