Dy firmat e Xhavit Halitit

19 Shkurt 2012 - 08:42      

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, është edhe biznesmen.

Prishtinë, 19 shkurt – Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, është edhe biznesmen. Në dy firma të regjistruara në Kosovë emri i tij figuron si bashkëpronar.

Haliti, zyrtar i lartë i PDK-së, vetëm njërën firmë e ka deklaruar në Agjencinë Kosovare kundër Korrupsionit, nga e cila thotë se nuk fiton asnjë cent. Për tjetrën thotë se nuk di gjë, shkruan sot gazeta Koha Ditore.

Sipas gazetës, “DBBH Kosova Clinic Management” me numër regjistrimi 70405407, e regjistruar më 25 janar 2007, figuron në formularin e deklarimit të pasurisë të Xhavit Halitit. Ai thotë se në këtë firmë private ka 25 për qind të aksioneve.

Përveç Halitit, pronarë figurojnë edhe Gani Dreshaj, Roland Josef Berlinger dhe Olaf Baas. Aktivitetet e saj të përshkruara në formularin që gjendet në Agjencinë për regjistrimin e bizneseve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë janë hotelet, motelet dhe restorantet, përgatitja dhe dhënia e barnave sipas recepturës, tregtia me pakicë e mjeteve mjekësore dhe ortopedike, veprimtaritë e mjekësisë sociale, veprimtaritë e spitaleve, veprimtaritë e praktikës stomatologjike, veprimtaritë e tjera të rekreacionit, ndërtimi i lartë dhe i ulët. Kapitali i saj është i deklaruar 25.000,00 euro.

Firma tjetër e regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar është edhe “Macrometal Kosova”, me seli në Vrellë të Istogut. Pronarë të saj figurojnë Xhavit Haliti, Gani Dreshaj dhe Alexander Michael Julius. Aktivitete të saj janë tregtia me shumicë e drurit, materialit ndërtimor dhe pajisjes sanitare, kompletimet e tjera ndërtimore, tregtia me shumicë e artikujve të imët metalikë, materialit instalues dhe pajisjes së ujësjellësit dhe ngrohjes, etj. Kapitali i saj figuron të jetë 3000,00 euro. Pronari i këtyre dy firmave, Xhavit Haliti, ka mohuar të ketë ndonjë firmë. Ai nuk ka dhënë përgjigje të qarta për pronësinë e tij e as pse nuk e ka deklaruar edhe firmën tjetër.



(Gjerësisht lexoni sot në gazetën Koha Ditore)

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...