Institucionet private shëndetësore marrin, por s’paguajnë tatim

8 Shkurt 2012 - 10:01      

Institucionet private shëndetësore llogariten ndër subjektet që kryesojnë në listën e zezë të bizneseve që u shmangen pagesës së tatimeve në fitim.

Prishtinë, 8 shkurt – Institucionet private shëndetësore llogariten ndër subjektet që kryesojnë në listën e zezë të bizneseve që u shmangen pagesës së tatimeve në fitim. Nga 1.436 biznese të identifikuara sa merren me këtë veprimtari, afro 120 prej tyre nuk deklarojnë fare tatime në Administratën Tatimore të Kosovës(ATK), bëjnë të ditur burime të “Kohës Ditore”, brenda  këtij institucioni.

Këtë shifër e ka pohuar si reale edhe vetë drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti. Në një prononcim për gazetën ai ka thënë se të dhënat e përmendura figurojnë në dokumentet e ATK-së.

Nga numri i përgjithshëm i institucioneve private shëndetësore, sipas informatave që ka gazeta, katër nga to janë spitale të mëdha, dhe ato bëjnë pjesë në Njësinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj (NJTM). Bizneset e kësaj kategorie kanë qarkullim vjetor prej më shumë se një milion eurosh. Kurse 13 subjekte të tjera që merren me çështje shëndetësore llogariten po ashtu si biznese të mëdha, të cilat po ashtu i njeh kategorizimi i ATK-së, por jo të rangut të NJTM-ve, meqë ato kanë mbi 500 mijë euro, por jo mbi një milion euro qarkullimit vjetor. Të tjerat u takojnë bizneseve të vogla dhe të mesme, ndërsa që prej numrit të përgjithshëm, 711 janë deklarues të tatimeve.

Haliti ka bërë të ditur se institucioni që ai drejton është duke punuar në shumë drejtime për të arritur futjen nën ombrellën e taksave të të gjitha institucioneve private shëndetësore. Ai ka theksuar se pas identifikimit të tyre, ATK-ja ka përgatitur një pako të tërë masash në mënyrë të inkasojë tatimet e pambledhura të kësaj natyre në përputhje me rregullat ligjore. 

Sipas tij, do të fillohet me fushata informuese dhe edukuese mbi obligimet dhe të drejtat e këtyre subjekteve që kanë ndaj shtetit dhe taksave, mirëpo nëse edhe pas kësaj ato do të vazhdojnë të mos përfillin obligimet për pagesën e taksave në fitim, atëherë do të ndërmerren masat ndëshkuese ndaj tyre.

“Do të ndërmerren masa ndëshkuese, por vetëm pas paralajmërimit dhe njoftimit për obligimet që ato kanë ndaj shtetit”, ka deklaruar Haliti. 

Megjithatë, ai ka përmendur edhe një metodë të re, përmes së cilës ATK-ja synon të fusë nën kontroll subjektet private shëndetësore. Thotë se do të shfrytëzojnë edhe kompanitë private që ofrojnë sigurimeve shëndetësore.

“Kemi pasur disa takime me drejtuesit e këtyre kompanive, nga të cilët kemi kërkuar që të mos i ekzekutojnë pagesat e bëra nga klientët e tyre nëse ato nuk sillen së bashku me kuponët fiskalë”, ka nënvizuar Haliti.

Ai ka thënë se për këtë madje ka gjetur mirëkuptimin e drejtuesve të këtyre kompanive. 

Të njëjtën gjë e ka pohuar edhe  Fatos Zajmi, drejtor juridik i kompanisë “Iliria”, e cila është njëra ndër më të mëdhatë që ofron këso lloj shërbimesh për qytetarët e Kosovës.

“Ne pasi kemi zhvilluar takime me zyrtarë të ATK-së, menjëherë pasi që janë futur në përdorim edhe zyrtarisht arkat fiskale, iu kemi dërguar nga një letër informimi të gjithë shfrytëzuesve të shërbimeve tona shëndetësore, duke u bërë me dije se pagesat e faturave do të bëhen vetëm nëse atyre u janë të bashkangjitur edhe kuponët  fiskalë”, ka saktësuar Zajmi.

Ai ka vlerësuar se do t’i përmbahen me përpikëri kërkesës së ATK-së në lidhje me këtë.

“Ne do t’i përmbahemi asaj dhe nuk do të lëshojmë pagesa as individuale dhe as kolektive pa qenë aty i bashkangjitur edhe kuponi fiskal”, është shprehur Zajmi.

Ai ka pohuar se edhe pas këtij njoftimi kanë pasur raste kur klientët kanë sjellë fatura mbi shërbimet shëndetësore, por sipas tij ato nuk janë kompensuar. 

“I kemi kthyer prapa këto raste, duke i orientuar dhe kërkuar që të kompletohet rasti me kuponë fiskalë”, ka thënë Zajmi.

Sipas tij, me këso rastesh prin rajoni i Podujevës, kurse Prishtina qëndron më së miri sa i përket respektimit të kritereve për kompensim, përfshirë edhe posedimin e kuponit fiskal.

Në anën tjetër, gazeta ka konfirmuar se të dhënat e ATK-së në lidhje me numrin e institucioneve private shëndetësore që operojnë në Kosovë ndryshon shumë nga ai që e posedon Ministria e Shëndetësisë, meqë këto subjekte nuk mund të zhvillojnë aktivitete pa licencën e kësaj ministrie. Diferenca është për 509 biznese më pak që i di Ministria në krahasim me ATK-në. 

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Komunikim në MSH, ka pohuar se viti 2011 ka përfunduar me 927 IPSH të licencuara, përfshirë këtu laboratorë, ambulanca, poliklinika, qendra diagnostike-terapeutike dhe spitale. Kurse, numri i IPSH-ve i identifikuar nga ATK-ja është 1.436. 

Hoti, ndërkaq ka shtuar se edhe në fillim të 2012, MSh-ja ka pranuar aplikacione të reja për licencim të IPSH-ve dhe se procesi i licencimit është i vazhdueshëm.

I pyetur nëse marrja e një licence të punës nga ana e MSH-në nënkupton me automatizëm edhe regjistrimin e atij subjekti (IPSH-je) si biznes, Hoti ka sqaruar se secili subjekt para se të aplikojë për licencë të punës si IPSH, ai hap certifikatën e regjistrimit të biznesit në MTI, e tek pastaj aplikon në MSH për licencë pune në fushën shëndetësore.

“Komisioni i MSH-së e vlerëson nëse i plotëson apo jo institucioni kushtet teknike e profesionale që të licencohet me shërbimet për të cilat ka aplikuar, si dhe profesionistët që do të punojnë aty, dhe tek pastaj Bordi merr vendim për dhënie ose refuzim të licencës”, ka saktësuar Hoti.

Ai më pas ka pohuar se Ministria ofron çdo informacion që i kërkohet nga ATK-ja, ose ndonjë institucion tjetër lidhur me subjektet, të cilat i ka nën mbikëqyrje. Hoti ka thënë se janë rreth 100 institucione të reja shëndetësore që hapen brenda vitit, por ka edhe raste që IPSH-të e shuajnë veprimtarinë e vet për shkak se nuk ia dalin të jenë konkurrente në treg.

***

Legjenda: Nga numri i përgjithshëm i institucioneve private shëndetësore, katër nga to janë spitale të mëdha, dhe ato bëjnë pjesë në Njësinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj, përkatësisht janë biznese që kanë qarkullim vjetor mbi një milion euro

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...