“Gomarët e kufirit” në “GoEast Film Festival”

2 Shkurt 2012 - 17:03      

Filmi “Gomarët e kufirit” me regji të Jeton Ahmetajt është futur në garën zyrtare për çmimin kryesor të festivalit ndërkombëtar të filmit në Gjermani, “GoEast Film Festival”.

Prishtinë, 2 shkurt - Filmi “Gomarët e kufirit” me regji të Jeton Ahmetajt është futur në garën zyrtare për çmimin kryesor të festivalit ndërkombëtar të filmit në Gjermani, “GoEast Film Festival”. “The Golden Lily” është çmimi kryesor që ndan ky festival. Edicioni i 12-të i këtij Festivali do të mbahet ndërmjet datave 18 dhe 24 prill të këtij viti, në Wiesbanden të Gjermanisë. Ai mbahet nën organizimin e Institutit Gjerman të Filmit, ndërsa kësaj here marrin pjesë 28 shtete nga Evropa Qendrore dhe Lindore.

Regjisorit kosovar ftesën ia ka bërë drejtori i festivalit Gaby Babic. Në emër të tij filmin e ka vlerësuar edhe koordinatori i festivalit Markus Roter.

“Na ka pëlqyer shumë filmi yt, e veçanërisht stili yt i humorit. Gjithashtu na ka pëlqyer karakterizimi i protagonistëve në filmin tuaj”, ka shkruar Roter në adresë të Ahmetajt. “Shpresojmë që jeni ende të interesuar që filmi juaj të shfaqet në ekranin e festivalit tonë”, vazhdon më tej Roter në letrën e tij, në të cilën ia bashkëngjit edhe ftesën zyrtare për pjesëmarrje në festival.

Por vetë regjisori Ahmetaj e ka quajtur të një rëndësie të veçantë pjesëmarrjen e filmit të tij në këtë “GoEast...”

“Duke pasur parasysh se ky festival organizohet nga Instituti Gjerman i Filmit - DIF, konsideroj se festivali është i një rëndësie të veçantë që të marrë pjesë”, ka thënë Ahmetaj për gazetën.

Ai e ka quajtur nder të veçantë, që të prezantojë Kosovën dhe filmin kosovar në Wiesbaden të Gjermanisë. Filmi “Gomarët e kufirit” është i pari që është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës si institucion më vete. QKK-ja kishte ndarë 220 mijë euro, për realizimin e këtij filmi nga buxheti i vitit 2008. Njëherësh mbetet filmi i vetëm i cili është përfunduar nga katër sa ka subvencionuar QKK-ja deri më tash.

Filmi pasqyron një rrëfim të vitit 1968, në një zonë kufitare mes ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë ku një burim uji është vendi ku takohen njerëzit andej e këtej kufirit nën hijen e tytave të dy ushtrive armike. Tema e filmit është për një mësues idealist i cili përjeton dhunën e sistemit të ish-Jugosllavisë dhe ëndrra e tij është që të kalojë kufirin dhe të dalë në Shqipëri. Skenarin për këtë film e ka shkruar Jeton Neziraj.

Deri tash “Gomarët e kufirit” është prezantuar në shtatë festivale në vend dhe jashtë, dhe nga ato ka arritur të tubojë gjashtë çmime të ndryshme.

“Shpresoj që edhe nga Gjermania të kthehem me një çmim”, ka thënë Ahmetaj.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...