Shteti “gjunjëzohet” para njerëzve të pushtetshëm

15 Janar 2012 - 22:24      

Biznesmenët Bedri Selmani e Shaip Muja, ish-këshilltarë të Hashim Thaçit, kanë ndërtuar biznese private në pronën e ish-ndërmarrjes shoqërore “Auto Prishtina”.

Prishtinë 15 janar - Biznesmenët Bedri Selmani e Shaip Muja, ish-këshilltarë të Hashim Thaçit, kanë ndërtuar biznese private në pronën e ish-ndërmarrjes shoqërore “Auto Prishtina” shkruan gazeta "Jeta në Kosovë". Të dy biznesmenët, Muja deputet aktual e Selmani ish-deputet, nuk paguajnë qira për shfrytëzimin e kësaj prone. Agjencia Kosovare e Privatizimit asnjëherë nuk ka bërë raport për këtë ndërmarrje shoqërore pasi që dy kompani private, sipas zëdhënësit të saj, e uzurpuan “Auto Prishtinën” para gati 13 vjetësh.

Kryeministri Hashim Thaçi në objektet e “Hotel Victory” mban mbledhjet e Këshillit Drejtues e ato të Kryesisë së PDK-së. Edhe mesazhin për zero tolerancë ndaj korrupsionit Thaçi e ka dërguar kur është gjendur në ambientet e këtij hoteli, gjatë vitit 2011. Ndërkaq, objekti ku mblidhet për tu mobilizuar partia e Thaçit është ndërtuar kundërligjshëm.

Pronari i “Hotel Victory”, Bedri Selmani, sipas AKP-së, ka uzurpuar pronën shoqërore për të ngritur këtë biznes privat. AKP, e më herët Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) për 11 vjet rresht nuk ka mundur të “zbarkojë” në këtë objekt, ku i mban mbledhjet partia që drejton qeverinë sot.

Bedri Selmani në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës mbante pozitën e këshilltarit për çështje ekonomike të kryeministrit Hashim Thaçi.

Afër këtij hoteli operon restoranti “Te Rrethi”. Në katin e dytë të objektit, ku është i vendosur ky restorant, ka zyrat kompania Ci-Kos, që merret me tregtinë e metaleve e që është pronë e Fatmir Mujës, vëlla i deputetit të PDK-së Shaip Muja, që ishte këshilltar i kryeministrit Thaçi prej vitit 2008 deri më 2010.

Ish-këshilltari i Thaçit, sipas ish-drejtorit të Auto Prishtina, Aziz Sefedini, menjëherë pas luftës ndërtoi restorantin “Te Rrethi” në pronë shoqërore. Për veprimet e ish-këshilltarëve të kryeministrit është e njoftuar edhe AKP-ja.

“NSH Auto Prishtina që nga viti 1999 është e uzurpuar nga dy kompani private”, ka thënë zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi. Hapësira e kësaj ndërmarrje sipas AKP-së është 1 hektar e 61 ari.

Një raport monitorimi e një vlerësim i aseteve të kësaj ndërmarrje nuk është bërë asnjëherë. “AKP nuk ka bërë Raport Monitorimi lidhur me NSH ‘Auto Prishtina’ ngase ndërmarrja shoqërore ‘Auto Prishtina’ është e uzurpuar dhe nuk është e komercializuar”, ka deklaruar Kaloshi për gazetën Jeta në Kosovë.

Nuk dihet as koha kur kjo ndërmarrje shoqërore do t’i nënshtrohet privatizimit. AKP-ja e pret lejen e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për ta shitur këtë ndërmarrje shoqërore pasi kishte ngritur padi ndaj uzurpatorëve. Ende nuk ka marrë një përgjigje se kur mund të privatizojë ndërmarrjen “Auto Prishtina”.

Kjo ndërmarrje shoqërore deri në vitin 1991, kur u ndërpre puna pas largimit me dhunë të punonjësve të saj, ishte e vetmja shtëpi e autorizuar në vend për shitjen, mirëmbajtjen dhe riparimin e veturave, si dhe kontrollimin teknik të automjeteve të tipit "Magirus". Po ashtu, Auto Prishtina ishte auto servisi i autorizuar për shitjen dhe mirëmbajtjen e veturave “Zastava”, “Iveco” dhe “Opel”.

Objektet e kësaj ndërmarrje shoqërore në korrikun e 99-s do të përdoreshin për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme. Kështu kishte vendosur Azem Syla. Ai mbante pozitën e Ministrit të Mbrojtjes dhe nënshkroi vendimin më 22 korrik të atij viti. Vendimi i tij atë kohë do të hynte në fuqi 5 ditë para nënshkrimit të tij. (Shih dokumentin).

“Lokali i Servis Prishtina pranë restorant ‘Breta’ duke filluar nga data 17 korrik 1999 kalon nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Ish-punëtorët e këtij servisi që dëshirojnë të vazhdojnë të punojnë në këtë lokal mund t’i drejtohen me shkrim Komisionit Drejtues të këtij servili, i cili drejtohet nga z. Sabit Zogaj”, thuhet në këtë vendim që e ka siguruar Gazeta JNK.

Azem Syla nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetës rreth këtij vendimi.

Aziz Sefedini, drejtor i kësaj ndërmarrje kishte mbetur i pakënaqur me vendimin e ministrit të Mbrojtjes. Tre vjet më vonë, në një shkresë dërguar shefit të policisë së UNMIK-ut Stephan Feller, do t’i kallëzonte atij për shkeljet ligjore që kanë ndodhur në këtë ndërmarrje. Sefedini tregon për largimin e tij nga pozita e drejtorit të kësaj ndërmarrje dhe për uzurpimet e bëra. (Shih dokumentin).

Bedri Selmani, sipas tij, një pjesë të objektit të NSH Auto Prishtina e regjistroi si pronë private që e emëroi hoteli “Viktoria”.

Shaip Muja, sipas tij, ndërtoi objektin “Te Rrethi”, prej 500 metra katrorë në pronë të NSH Auto Prishtina.

Sefedini shkruan se Bedri Selmani i kishte bërë presione që të largohet nga puna.

“Bedri Selmani, këshilltar i z. Hashim Thaçi për politikë ekonomike, kërkonte të marrë këtë NSH dhe bënte presion që unë të largohem nga puna...”, shkruante Sefedini më 30 shtator të vitit 2002.

Sefedini thotë për Gazetën JnK se një letër për papajtueshmërinë e tij me vendimet e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës ia ka dërguar edhe Azem Sylës.

“Në nëntor (1999) do t’i shkruaja Azem Sylës. Aty i them se largimi im nga puna pa një aktvendim paraqet shkelje të ligjit”, ka thënë Sefedini, duke shtuar se nuk kishte marrë një përgjigje nga Syla për shkresën e tij zyrtare.

Një letër tjetër atë kohë ai do t’ia dërgonte Parlamentit të Kosovës, Presidentit e Kryeadministratorit, ku propozonte që objekti i kësaj ndërmarrje të shfrytëzohej nga Policia e Kosovës meqë ka pozitën më strategjike në Prishtinë për të vëzhguar qytetin.

“Nuk kam marrë përgjigje për këtë përveç një premtimi të Michael Steinerit (shefit të UNMIK-ut), i cili më vonë do të zmbrapsej”, ka thënë Sefedini.

Një problem tjetër atë kohë Sefedini ka thënë t’i ketë dalë me njërin prej zyrtarëve të lartë të PDK-së, Rrustem Mustafa - Remi.

“Ne ishim kthyer pas luftës dhe kishim filluar të operojmë. Pas një kohe, është fjala për qershorin e 1999, do të vijnë disa njerëz. Ata më marrin dhe më çojnë në Kolovicë. Aty një person do të më bënte pyetje të tipit “A e njeh Rrustem Mustafën e Zahir Pajazitin e kush na ka çliruar neve? Më thanë a mund ta nënshkruash një deklaratë ku do ta pranoj se është NATO ajo që na ka çliruar e jo UÇK-ja”, ka thënë Sefedini. “Nënshkrimi i kësaj deklarate nuk ishte i preferueshëm në 99-n”.

“Më vonë do të mësoja se ishte Rrustem Mustafa ai që më kishte marrë në pyetje. Edhe diçka tjetër do të mësoja më vonë. Në 99-n ishte bërë luftë mes Llapit e Drenicës se kush do ta uzurponte ‘Auto Prishtinën’ ”, ka deklaruar Sefedini.

Rrustem Mustafa –Remi, tash nënkryetar i PDK-së, thotë se Sefedini mund ta ketë ngatërruar me dikë tjetër “Jo, unë nuk kam lidhje me atë njeri. Nuk e njoh. Kushedi si më ka ngatërruar. Lidhje nuk kam me të”, ka thënë Mustafa.

Për vendin ku është i ndërtuar hotel ‘Victory’, Mustafa ka thënë se nuk është në dijeni që ka qenë ndonjëherë ndërmarrje shoqërore.

“Nuk e di që ky objekt është i uzurpuar. Mund të jetë. Mund të jetë dhe financues i PDK-së. Unë nuk e di. Unë për vete rri më shumë këtu se në çdo vend tjetër. Kjo ndodh sepse e kam shumë të lehtë që prej këtu të lëviz me makinë”, ka deklaruar Mustafa, deri sa flet pikërisht nga hotel "Victory".

Bedri Selmanin thotë se e njeh e pi kafe me të, por nuk e zgjatë më shumë me të.

Uzurpatorë të pronave shoqërore sipas Mustafës nuk do të dalin njerëzit që kanë qenë ushtarë të UÇK-së.

“Asnjë ushtar i UÇK-së nuk do të dalë mbrapa asnjë uzurpimi. E kam fjalën për ata që kanë luftuar krejt kohën. Mbrapa uzurpimeve do të dalin ata që kanë ndejtë jashtë e janë kthyer prej diasporës dhe kanë uzurpuar objekte”, ka deklaruar Mustafa.

Shaip Mujën, pjesë e batalionit të mjekëve të UÇK-së, që ka ndërtuar një objekt në pronën e kësaj ndërmarrje Mustafa nuk e llogarit për ushtarë të UÇK-së.

“Pse a ka luftu ai, a?”, shprehet Mustafa për Mujën.

Dy ish-këshilltarët e Thaçit, Selmani e Muja nuk kanë dashur të komentojnë rreth çështjes së uzurpimit të “Auto Prishtina”.

Muja nuk ka dhënë një përgjigje me arsyetimin se nuk mund të bëhet kujdestar i gazetarëve për të dhënë përgjigje sa herë ata e kërkojnë një gjë të tillë. E, Selmani, ish-deputet i PDK-së, është arsyetuar se ndodhet jashtë vendit dhe nuk mund të komentojë për këtë çështje.

Veprimet e Mujës e Selmanit nuk i ka komentuar shefi i tyre, Hashim Thaçi. Këshilltarët aktualë të tij, Lirim Grajqevci e Abelard Tahiri nuk kanë kthyer një përgjigje për pyetjet që i janë adresuar kryeministrit të vendit.

Drejtori aktual i ndërmarrjes “Auto Prishtina”, Islam Selimi ka thënë se e di që dy biznesmenët në bazë të rregullave duhet të paguajnë qira për shfrytëzimin e pronës, por ai këtë nuk e ka kërkuar kurrë nga ta.

“Nuk ki as pse me i thanë. Nuk paguajnë, jo. Rrjet janë. Tash është problem me i ndalë. Po bash për këtë punë po rri unë këtu për me iu ba rezistencë që bile njërën pjesë të ndërmarrjes me ruajt prej uzurpimit”, ka deklaruar Selimi.

Për vëllezërit e Shaip Mujës thotë se i ka shokë por qiranë nuk ua lyp sepse, sipas tij, nuk e paguajnë kurrë.

Ai thotë për Bedri Selmanin se e ka mbështetjen e njerëzve të fuqishëm për të bërë biznes.

“Mbrapa Bedri Selmanit qëndron Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Azem Syla, Rrustem Mustafa. Përndryshe kush do të guxonte të uzurpojë një hektar e gjysmë në vendin më të mirë të Prishtinës pa paguar asnjë cent për qira”, ka deklaruar Selimi.

Vetëm Mustafa ka mohuar këtë lidhje kur është pyetur për këtë. Të tjerët nuk i janë përgjigjur pyetjeve së Gazetës JnK.

Drejtori i kësaj ndërmarrje shoqërore ka thënë se me Selmanin ka pasur probleme edhe më herët.

“Selmani që është vet uzurpues më pat ngritur padi mua se e paskam uzurpuar unë ndërmarrjen. Po unë e kom përzënë hetuesin se është nipi i Selmanit”, ka thënë Selimi.

Kur të nisë procesi i privatizimit për këtë ndërmarrje shoqërore, thotë Selimi, askush nuk do të guxojë të ofertojë për blerjen e saj.

“Kush i shti paret në këtë pronë? Ai (Selmanaj) ka me i largu krejt investitorët e interesuar, duke i bindë që ka investuar aty dhe tash i takon”, ka deklaruar Selimi.

Aktualisht në “Auto Prishtina” marrin paga 30 deri në 40 punëtorë, varësisht prej të ardhurave të qirasë nga pjesa e pa uzurpuar e kësaj ndërmarrje shoqërore.

Më herët, ndërmarrja kishte mbi 70 punëtorë, në kohën kur aty riparoheshin automjetet. Pagat e punëtorëve ishte planifikuar të siguroheshin në vitin 2000 përmes një marrëveshje të lidhur me Bedri Selmanin.

Më 5.04.2000 është nënshkruar kontrata në mes të Auto Kosovës, pronë e Bedri Selmanit si investitor, si dhe Auto Prishtinës si ndërmarrje shoqërore.

Në bazë të marrëveshjes, Selmani obligohej të paguante 19 mijë euro në muaj për të gjithë punëtorët. Të gjithë punëtorët mbeteshin në marrëdhënie pune e ktheheshin të gjithë ata që janë larguar me dhunë gjatë viteve të 90-ta.

Çështja e pronësisë do të mbetej e pandryshueshme me status NSH-je deri në aprovimin e ligjit mbi privatizim. Marrëveshja do të shkëputej zyrtarisht në 2003-tën pasi Selmani nuk e kishte respektuar atë që e kishte nënshkruar në prill të vitit 2000.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...