VV: Protesta e ardhshme paqësore më 22 janar

15 Janar 2012 - 16:43      

Dje nuk mund të thuhet se thjesht eskaloi situata apo se pati përplasje midis Vetëvendosjes dhe Policisë së Kosovës.

Prishtinë, 15 janar - Dje nuk mund të thuhet se thjesht eskaloi situata apo se pati përplasje midis Vetëvendosjes dhe Policisë së Kosovës. Dje, Policia e Kosovës ndërhyri dhunshëm ndaj protestuesve paqësorë, përkundër thirrjeve të shumta që policia të mos na sulmojë.

U arrestuan 146 protestues, 15 vazhdojnë të mbahen në arrest, me dhjetëra u lënduan më lehtë a më rëndë, thuhet në një komunikatë për opinion të Vetëvendosjes pas konferencës së sotme me gazetarë .

“Policia i ka bastisur veturat, autobusët dhe i ka konfiskuar ushqimet, tendat dhe batanijet. Gjatë kontrollit ajo nuk ka gjetur asnjë mjet të fortë dhe madje as brisk dore.

Kishte strategji për dhunë nga ana e Qeverisë dhe Policisë. Pjesë e kësaj strategjie ishte të intervenohet menjëherë në Merdarë dhe pas gjashtë orëve te Dheu i Bardhë.

Protesta ishte në mbrojtje të Republikës dhe për prodhime të vendit. Moto e protestës ishte: Serbia nuk kalon! Dje, kishte reciprocitet, aq sa pati protestë.

Qeveria e Kosovës shkeli nenin 92.3 të Kushtetutës. Kapitulli VI, Qeveria e Republikës së Kosovës, Neni 92 [Parimet e Përgjithshme], 92.3. Qeveria zbaton ligjet dhe aktet e tjera të miratuara nga Kuvendi i Kosovës dhe ushtron veprimtari tjera brenda përgjegjësive të përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj.

Politika e Qeverisë së Kosovës është policore dhe kjo po e bën Policinë e Kosovës politike. Policia e Kosovës po iu bindet urdhrave politikë të kryeministrit Thaçi dhe ministrit të Brendshëm Rexhepi në kundërshtim me ligjin. U thirrën në liri të lëvizjes, mirëpo në mënyrë të trefishtë vetë Policia e Kosovës e bllokoi lirinë e lëvizjes: në kufirin me Republikën e Shqipërisë, me post blloqe të shumta dhe me mbylljen e rrugës në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë.   

Ky ishte sulm ndaj opozitës dhe ndaj demokracisë.

Kërkojmë lirimin e të burgosurve.

Protesta e ardhshme paqësore në bllokim të mallrave dhe automjeteve të Serbisë do të mbahet sot një javë, pra të dielën tjetër, me 22 janar 2012. Nëse Qeveria e Kosovës nis me zbatimin e reciprocitetit të plotë me Serbinë gjatë kësaj jave, natyrisht që nuk do ta mbajmë protestën e ardhshme me 22 janar”, thuhet në këtë njoftim. 

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...