AKP shpërfill Kushtetuesen, Punëtorët e Fabrikës së Tubave në protestë

20 Dhjetor 2011 - 09:05      

Dy ditë pas afatit të ligjor për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhjetëra punëtorë të Fabrikës së Tubave në Ferizaj kanë bllokuar dyert e objektit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Prishtinë, 20 dhjetor - Dy ditë pas afatit të ligjor për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhjetëra punëtorë të Fabrikës së Tubave në Ferizaj kanë bllokuar dyert e objektit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Ata kanë kërkuar zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që garanton 30 milionë euro përfitime për punëtorët dhe kompletimin e procesit të dhënies së 20-përqindëshit për punëtorët e kësaj ish-ndërmarrjeje shoqërore. Protestën e nisur në qendër të kryeqytetit në mesditë, punëtorët e vazhduan drejt objektit të Qeverisë së Kosovës, Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për ta përmbyllur te objekti i BSPK-së. Kërkesë kryesore e punëtorëve të Industrisë Metalike të Kosovës-Fabrika e Tubave në Ferizaj, mbetet zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili specifikon që nga data 17 dhjetor 2011 duhet të zbatohet në përpikëri vendimi për pagesën e dëmshpërblimit në lartësinë prej afro 30 milionë eurosh për këta punëtorë.

Përfaqësuesit sindikalë të punonjësve të Fabrikës së Tubave kanë thënë të hënën se ky afat kohor i zbatimit të aktgjykimit ka kaluar të shtunën dhe kjo sipas tyre është arsyeja e protestës së punëtorëve. Ali Azemi, përfaqësues sindikal i punëtorëve, ka theksuar se punëtorët kanë kërkuar para Qeverisë që ky aktgjykim të zbatohet, sepse është obligim kushtetues. Sipas nenit 116 të Kushtetutës kanë obligim të gjitha institucionet e Kosovës aktgjykimet të zbatohen në përpikëri, dhe që ato të mos komentohen.

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit kanë vlerësuar se nuk ka bazë ligjore për zbatimin e plotë të vendimit të Kushtetueses, meqë vendimi kërkon kompensimin për kohën sa ndërmarrjet shoqërore kanë qenë nën menaxhim nga masat e dhunshme.

Pas vendimit që kishte marrë Gjykata Kushtetuese në fund të vitit të kaluar, Agjencia Kosovare e Privatizimi kishte kërkuar sqarime nga Gjykata Kushtetuese rreth vendimit.

Kjo e fundit edhe një herë i ka bërë të qartë Agjencisë Kosovare të Privatizimit se vendimi i Gjykatës Komunale të Ferizajt rreth punonjësve të Fabrikës së Tubave është i plotfuqishëm dhe si i tillë duhet të zbatohet.

Sipas vendimit, punëtorëve u është njohur e drejta për kompensim të mjeteve materiale financiare, për kohën e largimit të tyre të dhunshëm nga fabrika nga forcat serbe që në vitin 1990 (më gjerësisht në “Kohën Ditore”).

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...