Kërcënimi i myftiut

4 Shtator 2011 - 18:35      

Impresionon për të keq ngurtësia e argumenteve të propozuesve të amendamenteve për futjen e shamisë dhe të edukatës fetare në sistemin shkollor kosovar

“Dëgjuam nëpërmjet ekraneve të mediave tona fyerje, sharje në adresë të ndjenjës, identitetit fetar islam dhe këtë nga legjislativi. Sigurisht që Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës nuk do të jetë spektatore pasive, të shikojë se kush më tepër po i fyen ndjenjat e myslimanëve në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë, sepse kjo shkon në adresë të kombit, te të gjithë ata besimtarë që i përkasin besimit islam”, ishte deklarata e myftiut të Kosovës, Naim Tërnava, gjatë faljes së Bajramit, me të cilën shprehte hidhërimin e dukshëm për shkak se Kuvendi nuk i kishte votuar dy amendamente të Projektligjit për arsimin parauniversitar.



Nëse do të duhej mbështetur në reagimin e ministrit të Shëndetësisë, njëkohësisht edhe shefit të partisë që doli me dy propozimet, si PD-ja ashtu edhe BIK-u do të kenë qenë të bindur se ligji do të miratohej me këto dy nene shtesë – njërin që do të lejonte bartjen e shamisë në shkollat publike të shtetit të definuar laik me Kushtetutë dhe i dyti që do ta fuste si lëndë fakultative edukatën fetare. Kjo e fundit, bazuar në deklaratën e zëshme të Tërnavës, u nënkuptua të ishte edukata islamike, pra në fakt mësimi i Kuranit – për shkak se, sipas tij, ata që u ndien të fyer me refuzimin e votimit të këtyre neneve ishin myslimanët, besimtarët që i takojnë besimit islam.



Një analizë pak më e kujdesshme e fjalëve të Tërnavës tregon se në fakt kjo deklaratë përmban edhe ndërrim tezash, edhe kërcënim, si dhe përvetësim i kombëtares nga një konfesion i vetëm. Fillimisht përdori shprehjen “identiteti fetar islam”, duke krijuar kështu dilemën artificiale se a vjen më së pari kombi apo feja. Te kërcënimi, në emër të mbrojtjes së integritetit të “identitetit fetar islam”, tha se BIK-u nuk do të rrinte duarkryq për të shikuar se kush ofendon e kush jo – duke mos specifikuar se çfarë në fakt e nënkupton ofendimin, dhe e fundit, se ky ofendim i ishte drejtuar të gjithë kombit edhe përtej kufijve, përkatësisht “besimtarëve të besimit mysliman”. Pra, sipas kësaj del se të gjithë të tjerët që aktualisht bëjnë pjesën jomyslimane të kombit – katolikët, ortodoksët, ateistët, agnostikët etj., në fakt nuk janë pjesë e kombit.



Për një njeri që, në emër të Zotit flet për barazinë, drejtësinë, mirësinë, solidaritetin, etj..., këto fjalë, të nxitura nga një kërkesë e paplotësuar që i implikon edhe femrat, i tha në një hapësirë të mbushur me meshkuj (dihet femrave u dedikohet hapësirë e veçantë në xhami ku falen, por kurrë përbri burrave) – që vështirë mund të identifikohet si drejtësi e barazi. Për më tepër, po të njëjtat i tha një ditë pasi, në manirin e propaganduesit më mediokër, në emisionin “038” të KTV-së e bëri edhe këtë akuzë: “Nganjëherë më shkon mendja që ndoshta ende një botëkuptim i sistemit komunisto- ateist po qarkullon te një pjesë e atyre të cilët nuk kanë pasur fuqi që ta gjuajnë atë, nuk jam duke e thënë këtë për xhami apo për diç tjetër, por jam duke e thënë sot për shembull për shkrime të shumta që i kemi nëpër gazetat tona, nëpër shtypin tonë, se njerëzit të cilët po shkruajnë kundër ndjenjës fetare islame po bartin me vete ende shumë nga sistemi komunisto-ateist i të kaluarës, e kjo të jep të kuptojmë se kemi ende punë për të bërë me veten tonë”.



Akuzat se dikush është sllavo-komunist, e është udbash, e për pasojë edhe tradhtar – përdoren nga të gjithë ata që nuk kanë qejf kur iu kritikohet koalicioni në pushtet. Në rastin e BIK-ut dhe eksponentëve të “fesë së vërtetë shqiptare”, ata që nuk pajtohen apo nuk i përkrahin idetë e tyre janë sllavo-komunistë, ateistë, pra për pasojë islamofobë.



Por, të shkojmë me rend. E para, myftiu thotë se “ka shkrime të shumta nëpër gazetat tona kundër ndjenjës fetare islame”. Fakti se paska shumë shkrime që ai i cilëson fyese, kurse  të tjerat argumentuese në favor të së kundërtës nga ajo që propozohen nga BIK-u dhe Partia e Drejtësisë apo “Bashkohu”, është se paska shumë njerëz që nuk pajtohen me këtë që propozohet dhe se besojnë se kanë të drejtë ta shprehin mendimin e vet, edhe nëse kjo nuk u pëlqen të apostrofuarve. Sërish, fakti se dikush thotë se nuk e përkrah ndërtimin e xhamisë nëse duhet rrënuar çerdhen e fëmijëve, nëse dikush është kundër bartjes së shamisë në shkollat publike dhe e kundërshton edukatën fetare në shkollat laike, nuk do të thotë se i fyen ndjenjat fetare islame. Thjesht, mbron një parim qytetar të sanksionuar me Kushtetutë.



E dyta, cili është definicioni i botëkuptimit të sistemit ateisto-komunist? Shikuar prapa në histori dhe në nivelin e kombit, krahasuar me Shqipërinë komuniste, ku feja ishte ndaluar nga Enver Hoxha dhe ku tempujt e kultit ishin rrënuar apo shndërruar në tjetër gjë, në Kosovë feja jo vetëm që ka qenë e lejuar, porse ajo kastë udhëheqëse ateisto-komuniste kishte lejuar që dishepujt, sikurse kishte qenë myftiu i sotëm, të studionin teologjinë diku jashtë, e që pas diplomimit të angazhoheshin, për shembull, në mësimdhënie në medresetë që kanë pasur statusin e shkollave të mesme, prej të cilave ka qenë i mundur regjistrimi në cilindo fakultet pa ndonjë provim shtesë.



E treta, pse të thuhet se dikush “nuk ka pasur fuqi që ta gjuajë botëkuptimin komunist-ateist” -- pse ky dikush është dashur fare ta gjuante? Kjo është njësoj sikur ta akuzosh dikë “se nuk ka pasur fuqi ta gjuajë besimin në Zot” – ngase, përderisa e para është ideologji, kjo e dyta është dogmë, dhe shumë shpesh nuk dallojnë njëra nga tjetra kur flitet për caqet që duan t’i arrijnë. Dhe, pse duhet që ai që është ateist, patjetër të jetë edhe komunist? Në sistemin e kaluar, për të qenë epror ushtarak është dashur të jesh komunist, apo së paku të deklarohesh i tillë, kurse sot ndonjëri nga ish-eprorët ushtarakë është përfaqësues i rrymës më radikale islamike në Kosovë. A ka ndonjë lidhje kjo?



E katërta – “se njerëzit të cilët po shkruajnë kundër ndjenjës fetare islame po bartin me vete ende shumë nga sistemi komunisto-ateist i të kaluarës, e kjo të jep të kuptojmë se kemi ende punë për të bërë me veten tonë”. Myftiu na tregon se kemi nevojë për “edukim special” – e me gjasë mendon se këtë punën me veten tonë do ta zgjidhim me dy amendamentet e propozuara që nuk kaluan. Apo mendon se kjo do të arrihet kur edukata islamike do t’ia zërë vendin, shumë vjet më pas dhe në të njëjtën formë imponuese, një lënde tjetër: marksizmit. Asaj lënde, të cilën secili brez përgjatë katërdhjetë e pesë vjetëve është dashur ta përpinte e deshi apo s’e deshi.



Në javët e fundit në adresën time dhe të redaksisë kanë ardhur shumë akuza për islamofobi, për shkak se gazeta, televizioni dhe portali kanë raportuar me saktësi për ngjarjet e lidhura për xhaminë e për amendamentet, si dhe për shkak se kolumnistët e kanë shprehur mendimin e tyre të argumentuar për ndonjërën çështje. Nuk e di nëse porositë do të vazhdojnë, porse raportimi dhe shprehja e lirë e mendimit gjithsesi nuk do të ndalen. Prandaj, tashmë do ta përsëris atë që e kam thënë me një shkrim para disa javësh – insistimi për ndërtimin e xhamisë në afërsi të dy kishave s’është tjetër pos çështje inati. Xhami në qendër të Prishtinës janë tri; qyteti i ka 21 sosh, dhe myftiu i kërkon edhe 15 të reja në vetë qytetin, sepse, thotë ai, “çdo lagje duhet ta ketë një” – edhe nëse ato rrinë zbrazur, siç ka ndodhur jo rrallë. Nëse, dhe kur të fillojë ndërtimi i tyre jam shumë e sigurt se të gjitha kishat e mundshme që janë themeluar ndërkohë në Kosovë (evangjeliste, ungjillore, etj.) do të kërkojnë lokacion për ndërtimin e tempujve të tyre, ashtu siç nesër do të na vijnë budistët dhe do ta kërkojnë të njëjtën gjë. Dhe kjo do të jetë e drejtë e tyre e padiskutueshme, siç do të jetë e drejtë e pamohueshme e qytetarëve të kërkojnë kufizimin e decibelëve me të cilët “shprehet” ezani i të gjitha xhamive pesë herë në ditë apo decibelët e kambanës që është, e edhe asaj që do të vjen, që do ta dëgjojmë kush e di sa herë në ditë.



Edukata fetare, të cilën do të na e mësojnë teologët islamikë a të krishterë, nuk do të duhej të ishte lëndë në vete. Ekziston lënda Edukatë qytetare, e cila do të duhej të ngërthente edhe tema, siç janë njohuritë mbi fetë e ndryshme të botës, e që këtë lëndë ta ligjëronin profesorë të një kulture të gjerë, që duhet t’u japin nxënësve një frymë qytetare, sepse Kosova është shtet i qytetarëve të saj. Nuk do të dëshiroja kurrsesi që ligjit qytetar t’i gjendej zëvendësimi me fillet e sheriatit – zbatimi i të cilit e ka shkaktuar urinë më të madhe që ka pësuar Afrika ndonjëherë në histori, me shembullin tmerrues të Somalisë. Apo me kanonet kishtare të miratuara nga një asamble meshkujsh që e ndien veten të përzgjedhur nga Zoti, në diskriminim të pastër të femrave, që as këtu nuk kanë zë.



Bartja e shamive në shkolla publike nuk duhet të lejohet. Dhe jo vetëm përse e shoh si një kufizim të imponuar nga ata që gjatë gjithë kohës u referohen besimtareve myslimane si “motra” – pra nga ata të cilët pretendojnë se janë rojat e moralit dhe nderit të femrave, pa kuptuar se këto të dyja janë pronë dhe çështje individuale e femrës e jo e rojtarëve të paftuar. Sinqerisht, do të isha e tmerruar po qe se me kohë Kosova do të kthehej në një vend si Irani apo Afganistani, ku “motrat” nuk mund të dalin askund pa veshur ferexhenë apo burkën. Thuajse duhet të fshihen, thuajse nuk kanë identitet – sepse atëherë të gjitha duken njësoj. Ashtu siç nuk do të dëshiroja të më përsëritej pamja e para një kohe – ku një çift i ri qarkullonte rrugës kryesore: ai, me pantallona të shkurtra (“tri të katërtat”), me mjekër të papërpunuar, mbi biçikletë, kurse ajo, këmbë, me shami e mantel të gjatë të zi deri në tokë, ku pak i dalloheshin atletet e bardha, me dorën e mbështetur mbi njërin timon, duke ecur pranë atij, derisa ky mbante ders dhe i jepte biçikletës. Sikur ta shihja për së gjalli figurën e gruas që kishte kapur objektivi i një fotografi në Prishtinë nga fillimi i shekullit të shkuar.



flaka@koha.net

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...