Fahrudin Gashi-Faruku, dekonspirimi i agjentit (video)

7 Korrik 2011 - 18:20      

“Në vitin 1996 kam filluar një shoqëri me zv/komandantin e policisë serbe në Shtime, më pas me vetë komandantin, Dragan Gjorgjeviq”. Kështu ka thënë në janar të vitit 2004, në një dëshmi të fshehtë, për Tribunalin e Hagës Fahrudin Gashi – Faruku.

Prishtinë, 7 korrik - “Në vitin 1996 kam filluar një shoqëri me zv/komandantin e policisë serbe në Shtime, më pas me vetë komandantin, Dragan Gjorgjeviq”. Kështu ka thënë në janar të vitit 2004, në një dëshmi të fshehtë, për Tribunalin e Hagës Fahrudin Gashi – Faruku.

Për këto raporte ai dëshmon se ka pasur pas luftës në Kosovë probleme të vazhdueshme me individë të UÇK-së.

Personazhi “i tmerrshëm” i procesit maratonik gjyqësor, në denoncimin e krimeve të pasluftës në Kosovë, në rastin Bllaca, Fahrudin Gashi ka një anë të panjohur të tij, bashkëpunimin e hershëm me hetues të Tribunalit të Hagës.

Portali LajmeShqip.com bën publik për herë të parë dhe ekskluzivisht një videoincizim të shtatë vjetëve më parë, të dëshmisë që Fahrudin Gashi – Faruku e kishte dhënë për Prokurorinë e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur.

Përkundër faktit që Gashi është dëshmitar i mbrojtur i Tribunalit, videoregjistrimi amator është bërë, siç duket, fshehtas, nga ana përfaqësuesit hetues të Zyrës së Prokurores së Hagës, gjatë intervistimit të tij, më 21 janar të vitit 2004, në bazën finlandeze të KFOR-it në Lipjan.

Nga tërësia e një incizimi shumë më të gjatë të intervistimit të Fahrudin Gashit nga hetuesit e Tribunalit, Portali LajmeShqip.com publikon kësaj radhe vetëm dy prej tyre.

Videoja e parë, prej pak më shumë se 13 minutash, pasqyron pjesën hyrëse të bisedës, ku bëhen prezantimet reciproke dhe në të cilën hetuesi ia tregon kushtet e intervistimit Fahrudin Gashit dhe dakordimin e këtij të fundit për t’u intervistuar.

Ndërkaq, videoja e dytë përmban një pjesë të dëshmisë shumë domethënëse të Fahrudin Gashit, rreth angazhimeve dhe implikimeve të tij të paraluftës, gjatë luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Ai tregon se si para luftës ka qenë një biznesmen i suksesshëm dhe se si nuk ka pasur asnjë problem ndonjëherë me regjimin (serb) në Kosovë, por përkundrazi, sipas tij, ka qenë bashkëpunëtor i mirë i tij dhe, në të njëjtën kohë, aktivist i Forumit Rinor të LDK-së. Gjatë luftës, thotë Gashi, jam përpjekur të ndërtoj raporte të mira me UÇK-në dhe të gjejë mirëkuptimin e tyre, kurse pas luftës, për një kohë, ai, siç dëshmon vetë, ka qenë veprimtar i PDK-së e më pas e ka braktisur edhe atë.

Sipas Gashit, ai në PDK ka qenë vetëm deri në vitin 2002 dhe tash (në momentin e intervistimit) nuk është anëtar i asnjë partie.

Asnjëra parti nuk bëri gjë për mua dhe unë nuk qëndrova më në to, as PDK e as LDK, dëshmon vetë Fahrudin Gashi.

Gashi dëshmon se ka pasur miqësi të mirë me policinë serbe në Shtime, dhe që nga ajo kohë ka bartur revole me leje dhe gjithmonë ka qenë i privilegjuar i policisë serbe. Ai thotë se ka edhe sot kontakte me ish-policinë serbe në Kosovë, dhe me ta flet çdo ditë, duke ruajtur raporte tregtare e shoqërore dhe se ata e vizitojnë edhe sot në shtëpi.

Ai thotë se me UÇK-në u lidh në vitin 1998, në Krojmir, si furnizues i tyre me vegetë, me qëllim që të “ndërtojë” raporte të mira edhe me ta dhe të jetë më i qetë në punën e tij.

Këto dy video ekskluzive janë pjesë e një serie videosh dhe faktesh që i posedon Portali LajmeShqip.com, në të cilat Fahrudin Gashi – Faruku dëshmon për angazhimet dhe relacionet e tij, të gjitha këto periudha, para luftës, gjatë dhe pas luftës, me policë e ish policë serbë dhe, në të njëjtën kohë, si bashkëpunëtor i shumëfishtë, siç dëshmon vetë ai, me UÇK-në dhe partitë shqiptare para dhe pas luftës në Kosovë. 


comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...