Gjysmë milioni euro për “zhveshjen” e Xhamisë së Gurit

19 Qershor 2011 - 14:54      

Fasada që mbulon gurët gjashtëshekullorë të Xhamisë së Çarshisë po hiqen nga punëtorët e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës.

Prishtinë, 19 qershor – Fasada që mbulon gurët gjashtëshekullorë të Xhamisë së Çarshisë po hiqen nga punëtorët e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. Në mes të 400–500 mijë euro pritet t’i kushtojë Komunës së Prishtinës projekti për rikthimin e autenticitetit të xhamisë më të vjetër në Kosovë. Një pjesë të mjeteve do të ndajë edhe Bashkësia Islame e Kosovës, që konsiderohet si pronare e xhamisë, e cila është në listën e përhershme për mbrojtje të monumenteve. Restaurimi dhe konservimi i xhamisë, që ndryshe njihet edhe si Xhamia e Gurit dhe Xhamia e Bajazitit, pritet të përfundojë në vitin 2012. E pamja që do ta marrë ajo do të jetë krejtësisht ndryshe. Një kopje të projektit të saj e ka siguruar edhe “Koha Ditore”. Gani Gashi, arkitekt në IKMMK, është bartës i projektit.

Sipas tij, faza për heqjen e fasadës është në përfundim, ndërkohë që njëkohësisht është duke u bërë edhe përforcimi i objektit.

“Shpresojmë që brenda muajit do të kryhet pjesa e statikës e forcimit të mureve në të gjithë objektin”, ka thënë Gashi, teksa ka shtuar se fazat e tjera fillojnë kur Komuna e Prishtinës të alokojë mjetet në xhirollogarinë e Institutit.

Komuna e Prishtinës kishte ndarë 80 mijë euro vitin e kaluar për projektim të restaurimit dhe konservimit, dhe 150 mijë euro të tjera për këtë vit për fillimin e punimeve për kthimin e xhamisë në identitetin e saj. Një pjesë të mjeteve prej rreth gjysmë milioni euro, sa pritet të shpenzohen për këtë projekt, ka garantuar se do ta sigurojë edhe Bashkësia Islame e Kosovës.

“TIKA turke do të shtojë një pjesë të mjeteve”, ka thënë Bahri Sejdiu, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame për Prishtinë.

Arkitekti Gashi, ndonëse ka thënë se punimet mund të nisin shpejt, nuk ka premtuar se xhamia do të fitojë pamjen e re përfundimisht brenda këtij viti.

“Nuk ka shans të kryhet brenda këtij viti, por ka gjasë të përfundojë brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm”, ka thënë Gashi, teksa ka treguar se gurët e vjetër gati 600 vjet do të “skulpturohen” duke u gdhendur e pastruar.

Vlora Dumoshi, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës, ka thënë se Komuna e Prishtinës do të përcjellë ecurinë e zhvillimit të punimeve.

“Kemi vendosur të investojmë në restaurimin dhe konservimin e xhamisë më të vjetër në Kosovë, në mënyrë që asaj t’i rikthehet pamja e dikurshme. Nëse do të ketë nevojë, ne do të ndajmë buxhet edhe në vitin e ardhshëm”, ka thënë Dumoshi.

Projektin e ka miratuar edhe Bashkësia Islame e Kosovës, teksa në tavolinë Instituti kishte vënë së paku tri variante të pamjes së jashtme që do të marrë Xhamia.

“Kemi qenë në Institut dhe variantin të cilin e kemi pëlqyer edhe ne ka mbetur të realizohet”, ka thënë Bahri Sejdiu.

Hajati i Xhamisë së Çarshisë, që konsiderohet se është ndërtuar në pjesën e tretë të shekullit të kaluar, mbi themele të vjetra, do të rrënohet, për t’i lënë vend një hajati të ri, të çelur, i mbuluar me kupola prej plumbi. Gurët për ndërtimin e saj do të vendosen të rinj. Megjithatë, gjysmë milioni euro do të shpenzohen vetëm për pamjen e jashtme të xhamisë. Arkitekti Gani Gashi ka thënë se sa u përket arabeskave brenda mureve të objektit të kultit islam, duhet të bëhet studim i veçantë.

“Duhet të shikohet sa shtresa të pikturave mund të jenë të pranishme, e pastaj ekspertët e atij lëmi të na tregojnë se cilën prej atyre shtresave dëshirojnë ta ruajnë”, ka thënë Gashi.

Xhamia e Çarshisë thuhet të jetë ndërtuar në vitin 1393, nga Sulltan Bajaziti, në nderim të babait të tij, Sulltan Murati, si dhe me qëllim të përkujtimit të fitores së forcave osmane në vitin 1389, që njihet edhe si Beteja e Kosovës. Ajo ka qenë në hyrje të asaj që dikur është njohur si Çarshia e Prishtinës, ndërsa sot konsiderohet sinonim i Prishtinës së Vjetër. Veçori e saj është minarja e gurit, e cila është e vetmja që i ka mbijetuar kohës për më shumë se 600 vjet. Xhamia e Çarshisë njihet edhe si Tash Xhamia, që në shqip do të thotë Xhamia e Gurit.



 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...