KQZ-ja, e brengosur për numrin e vogël të të interesuarve për zgjedhje

15 Shtator 2009 - 10:56      

Vetëm 393 persona kanë shfaqur deri më tani interesimin e tyre për zgjedhje, duke kontrolluar emrat dhe të dhënat e tyre në qendrat e votimit.

Interesimi i votuesve kosovarë për të parë nëse ekzistojnë emrat e tyre në qendrat e votimit ku ata duhet të votojnë deri një ditë para skadimit të afatit të përcaktuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor, ka qenë tejet i vogël.Zyrtarët e KQZ-së kanë shprehur brengën se interesimi i qytetarëve për të verifikuar vendin e tyre të votimit dhe si rezultat edhe për të votuar është shqetësues, me gjithë fushatën e informimit publik që ka bërë organi i zgjedhjeve.

Florian Dushi, anëtar i KQZ-së, ka thënë se çështja e interesimit të votuesve është alarmante sipas të dhënave që ekzistojnë nga periudha e shërbimit të votuesve.

“Informatat që kemi nga programi i shërbimit të votuesve që ka filluar nga data 1 shtator dhe përfundon me 15 shtator flasin për të dhëna shqetësuese sepse kemi vetëm 393 raste të ndërrimit të vendvotimeve, ndërkohë që kemi mbi një milion votues në lista. Ky numër duhet të na shqetësojë si KQZ, nëse puna jonë karshi këtij problemi ka qenë në nivelin e duhur”, ka thënë Dushi. 

Gjatë kësaj periudhe votuesit me të drejtë vote kanë pasur mundësinë që tё kontrollojnë detajet e tyre nё zyrat e komisioneve komunale zgjedhore, por numri i votuesve të interesuar për të votuar deri më tani ka qenë tejet i vogël. “Shpresojmë që ky nuk do të jetë vullnet i përgjithshëm i qytetarëve për të votuar, ngase në të kundërtën gjërat janë shumë serioze”, ka thënë Dushi.

Një kampanjë mediale dhe disa afishe nëpër qytete kanë qenë e gjitha që organi qendror i zgjedhjeve ka bërë për të ftuar qytetarët që të verifikojnë nëse emrat e tyre janë ende në vendet e tyre të votimit, si dhe të regjistrohen të dhënat e tyre më të reja për mundësinë e votimit.

Xhemail Peçani, kryeshefi i Sekretarit të Komisionit Qendror Zgjedhor (SKQZ) ka thënë se sivjet gjendja me shërbimin e votuesve është vërtet shqetësuese. Duke shpjeguar para anëtarëve të KQZ-së angazhimet rreth verifikimit të listave të votuesve, Peçani ka thënë se është në dorën e votuesve që të interesohen ose jo për të votuar. “Ne e shohim si vërtet shqetësuese këtë, por ne jemi munduar që të ofrojmë shërbimin e nevojshëm për këtë çështje. Tash është çështje e tyre nëse ata janë të interesuar ose jo të dalin në votime”, ka thënë Peçani.

Gjithashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përkatësisht Zyra për regjistrimin e partive politike deri një ditë para skadimit të afatit për certifikimin e partive politike, të cilat dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje, ka regjistruar gjithsej 44 subjekte politike prej të cilave 36 kanë aplikuar deri tani për certifikim.

Ndërsa shumica nga 19 subjekte politike që kanë për detyrë të shlyejnë gjobat e tyre deri më 15 shtator sipas udhëheqëses së Zyrës së regjistrimit të partive politike, Miradije Mavriqi, kanë marrë formularët për pagesë të gjobave. “Të gjitha ato që nuk paguajnë deri  më 15 shtator, KQZ-ja do t’ua pezullojë certifikimin sipas vendimit që ka marrë KQZ-ja”, ka thënë Mavriqi.

Komisioni Qendror Zgjedhor, gjithashtu ka bërë të ditur se ende është në pritje të sinjalit të Ministrisë së Pushtetit Lokal për komunat e reja për të vendosur nëse do të mbahen ose jo zgjedhje në të gjitha prej tyre.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...