Pacolli e Daci bashkojnë forcat

15 Shtator 2009 - 10:51      

Dy partitë opozitare Aleanca Kosova e Re dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë kanë bërë një marrëveshje për të hyrë së bashku në garën elektorale për kryetar të komunave, por jo edhe për këshilltarë komunalë.

Duke u mbështetur në miqësitë e vjetra dhe programet e përafërta të qendrës së djathtë lideri i Aleancës Kosova e Re, Bexhet Pacolli, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, kanë bërë një pakt paraelektoral për të hyrë bashkë në garën zgjedhore.Liderët e dy partive opozitare AKR-së dhe LDD-së kanë zyrtarizuar të hënën një marrëveshje përmes së cilës partitë hyjnë në garë me kandidatë të përbashkët për kryetarë komunash në 20 komuna, por shkojnë me lista të ndara për këshilltarë në kuvendet komunale, bëjnë fushatë të përbashkët dhe mbështesin në balotazh kandidatin e njërës ose tjetrës parti varësisht përqindjes së votave që ai ka marrë në raundin e parë.

Lideri i AKR-së, Bexhet Pacolli, ka thënë se marrëveshja me LDD-në është implementim i idesë së tij për bashkëpunim dhe unitet dhe të mos krijohen parti rajonale. “Me mikun tim akademikun Daci kam arritur të kemi marrëveshje, e cila bën që partitë të jenë më të përgatitura të punojnë. Ne sot po forcojmë unitetin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Pacolli.

Kreu i AKR-së ka paralajmëruar radikalizmin e partisë së tij ndaj mënyrës së qeverisjes dhe ka thënë se roli i partisë së tij ka qenë i një opozite konstruktive. ”Qeveria ka shumë vend për kritika. Ne kemi kritikuar edhe më herët. Nuk është e vërtetë që kemi qenë pro qeverisë . Kjo qeveri është marrë me shtetbërje ne e kemi mbështetur, por tani kemi filluar me ngrit zërin kundër qeverisë aty ku ajo dështon”, ka thënë Pacolli.

Në kohën kur vetëm kanë filluar aktivitete paraelektorale lideri i AKR-së ka thënë se programi ekonomik i qeverisë është shumë i dobët. “Ne kemi qenë të parët që kemi kritikuar qeverinë që nuk ka pasur program qeveritar. Gjithashtu kur ka ardhur te implementimi i atij programi që e ka paraqitur vonë kemi parë se dështimet janë të përditshme sidomos në implementimin e programit ekonomik”, ka thënë Pacolli.

Bashkimin e dy partive që kanë nga 10 deputetë në Kuvend për garën e sivjetme elektorale për zgjedhjet në komuna kreu i LDD-së, Nexhat Daci, e ka quajtur një demonstrim të një kapaciteti. “Kjo marrëveshje tregon një kapacitete dhe forcë të re politike e aftë të përafrojë programet në vizonin e përbashkët dhe të rrisë kapacitetet qeverisëse të vendit. Jemi këtu për të demonstruar se në Kosovë ka kapacitete të subjekteve politike që kanë vizion. Ne me mikun tim Bexhetin jemi gjatë në respektin reciprok. Është një marrëveshje që ka filluar më herët, para zgjedhjeve”, ka thënë Daci.

Ai nuk ka përjashtuar koalicionin AKR - LDD edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale. “Unë besoj që bërthama është e shkëlqyeshme. I ftoj të gjithë ata që ravijëzojnë veten që në këtë plan të jenë me ne”.

Marrëveshja sipas kreut të LDD-së është një qëllim për një rrugëtim të përbashkët. “Janë dy liderë që garantojnë sukses dhe shpresoj që në këtë rrugëtim të na bashkohen edhe subjekte të tjera”, ka thënë Daci.

Marrëveshja LDD - AKR, e bërë një ditë para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mbyllë afatin e dorëzimit të listave të kandidatëve për certifikim përfshin tri segmente kryesore të partneritetit LDD - AKR në zgjedhjet e sivjetme lokale.

Dokumenti që prej së hënës është obligim për të dyja paritë përfshinë që listat për këshilltarë komunale të jenë të veçanta ndërsa për kryetar komune partitë dalin me kandidatë të përbashkët në Prishtinë AKR, Prizren LDD, Gjakovë AKR, Pejë LDD, Viti LDD, Mitrovicë AKR, Vushtrri LDD, Fushë-Kosovë AKR, Lipjan AKR, Shtime LDD, Kaçanik AKR, Deçan LDD, Istog LDD, Klinë LDD, Skenderaj LDD , Novobërdë AKR, Suharekë LDD, Junik LDD, Hani i Elezit LDD dhe Mamushë AKR.

AKR-ja dhe LDK-ja në fazën e balotazhit e mbështesin kandidatin e AKR-së, përkatësisht të LDD-së në komunat Ferizaj, Kamenicë, Gjilan dhe Shtërpcë .

Gjithashtu sipas marrëveshjes fushata zgjedhore për kandidatë për kryetarë komunash realizohet e përbashkët në përputhje me strategjinë e përbashkët zgjedhore për kryetar komune. Gjithashtu rezultatet në komunat ku LDD-aj dhe AKR-ja kanë fituar realizohet në bazë të marrëveshjes që do të thotë me ndarje të barabartë të pushtetit në mes të dy partive.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...