PD-ja thotë që Bashkimi Evropian s’po e trajton Kosovën si shtet

14 Shtator 2009 - 15:25      

Duke folur rreth vendimit për zbatimin e rregullores me kufizime në mundësitë e kandidimit të shërbyesve civilë të Kosovës në zgjedhjet lokale të nëntorit, PD-ja ka kërkuar që “me qëllim të ngritjes së cilësisë së procesit zgjedhor dhe duke e pasur parasysh gjendjen e rëndë ekonomike në vend, shërbyesve civilë t’u mundësohet
kandidimi për poste politike pa dëmtim në paga”

Partia e Drejtësisë është shprehur që nënshkrimi i Protokollit për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Qeverisë së Serbisë pa nënshkrimin e njëkohshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës paraqet shkelje të sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe është indikator i qartë se çështja e pavarësisë së Kosovës për Bashkimin Evropian është ende diskutabile. Nënkryetari i kësaj partie, Amir Ahmeti, ka thënë të dielën se përmes nënshkrimit që është bërë të premten, BE-ja ka treguar se në proceset e integrimeve evropiane Kosova nuk trajtohet si shtet, por si territor nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara dhe të BE-së, gjë që është e papranueshme për shumicën substanciale të qytetarëve të saj.

“PD-ja përshëndet angazhimin e misionit EULEX në luftën kundër krimit të organizuar dhe kërkon nga institucionet e vendit  vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me faktorin  ndërkombëtar në këtë drejtim.

Njëkohësisht PD-ja kërkon refuzimin e zbatimit të këtij Protokolli në pikat që janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit”, ka theksuar nënkryetari i PD-së.

Ahmeti ka kërkuar nga institucionet kosovare politikë shumë më aktive në arenën ndërkombëtare dhe syçelësi shumë më të madhe në proceset e shtetbërjes, “sepse me veprimet dhe mosveprimet e tyre janë duke shkaktuar pasoja serioze për shtetësinë e vendit”.

Ai ka treguar që subjekti i tij parimisht e mbështet protestën e paralajmëruar për të hënën e javës së ardhshme nga lëvizja “Vetëvendosje” dhe organizatat e tjera, pikërisht në kundërshtim të Protokollit të firmosur EULEX-Serbi, por në të njëjtën kohë ka lypur që forma e demonstratës të jetë paqësore.

“Të përçohet mesazhi në mënyrë të qetë”, ka kërkuar Ahmeti.

Ndërkohë PD-ja është shprehur ta mbështesë, siç është thënë, “iniciativën e presidentit Sejdiu që fushata zgjedhore të zgjasë 3 jave duke e konsideruar si kohë të mjaftueshme për shpalosjen e programeve zgjedhore të kandidateve dhe të partive politike dhe si kontribut i drejtpërdrejtë për zvogëlimin e kostos së shpenzimeve  të paarsyeshme”. Ndërkaq kur tema e vendosjes së kamerave nëpër vendvotime për zgjedhjet lokale të nëntorit nuk është duke u përmendur që një kohë nga partitë e tjera, nënkryetari i PD-së e ka ngritur sërish atë. “PD-ja përsërit kërkesën që Komisioni Qendror Zgjedhor të deklarohet përkitazi me kërkesën e saj për vendosjen e kamerave në vendvotime”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkaq po të dielën PD-ja është shprehur edhe në lidhje me vendimin e fundit të institucioneve të Kosovës për zbatimin e rregullores me kufizime në mundësitë e kandidimit të shërbyesve civilë të Kosovës në zgjedhjet lokale të nëntorit.

“PD-ja kërkon që me qëllim të ngritjes së cilësisë së procesit zgjedhor dhe duke e pasur parasysh gjendjen e rënde ekonomike në vend, shërbyesve civilë t’u mundësohet kandidimi për poste politike pa dëmtim në paga”, ka kërkuar nënkryetari i PD-së. Ai ka treguar edhe pikëpamjen e tij se si mund të bëhet një gjë e tillë.

“Kjo  mund të arrihet nëpërmjet nxjerrjes së udhëzimit administrativ që do t’u mundësonte shërbyesve civilë jo marrjen e pushimit pa pagesë gjatë fushatës zgjedhore, por lejimin e shfrytëzimit të pesë ditëve të lira të punës gjatë kësaj periudhe të kohës”, ka shpalosur Ahmeti propozimin e tij.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...