Sot Shqipëria në zi për Sokol Olldashin

21 Nëntor 2013 - 08:19      

(E plotësuar) Qeveria e ka shpallur ditë zie kombëtare për Sokol Olldashin, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili humbi jetën mbrëmë në një aksident komunikacioni. Me propozim të kryeministrit, Edi Rama, Këshilli i Ministrave vendosi që dita e sotme të shpallet ditë zie

Tiranë, 21 nëntor  – (E plotësuar)  Qeveria e ka shpallur ditë zie kombëtare për Sokol Olldashin, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili humbi jetën mbrëmë në një aksident  komunikacioni.  Me propozim të kryeministrit, Edi Rama, Këshilli i Ministrave vendosi që dita e sotme të shpallet ditë zie kombëtare. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtize. Ceremonia e homazheve ka nisur nga ora 11.00 dhe do të vazhdojë deri në orën 14.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. 

 

Telefonata e fundit e Sokol Olldashit: “... Jam keq...! 

Tiranë, 21 nëntor – (E plotësuar) Deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi është aksidentuar rëndë dhe për pasojë ka humbur jetën mbrëmjen e se merkures. Aksidenti tragjik ka ndodhur në aksin Tiranë-Elbasan rreth orës 21:20. Makina, tip “Benz” me targa AA 003 HN, të cilën e drejtonte vetë deputeti ka humbur kontrollin dhe shkak ka qenë pikërisht lagështira në rrugë. Makina ka dalë nga rruga duke rënë në humnerë, ne nje lartesi 15-20 metra, në zonën e njohur si “Lapidari” në Kërrabë.Në vendin e ngjarjes menjëherë pas marrjes së njoftimit shkuan familjarë të deputetit Olldashi, kreu i PD, Lulzim Basha, ish Kryeministri, Sai Berisha, ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, kryeparlamemntari, Ilir Meta dhe mjaft deputetë të Kuvendit. Operacioni për nxjerrjen e trupit të pajetë nga automjeti ka zgjatur në kohë për shkak të dëmtimeve të shumta që kishte pësuar mjeti nga përplasja.
Ndërkohë që pas këtij momenti tragjik, autoambulanca ka transportuar për në morgun e QSUT trupin e pajetë te deputetit demokrat Olldashi. 
Mjekësia ligjore menjëherë pas mbërritjes së trupit të të ndjerit ka nisur ekzaminimet përkatëse në zbatim të detyrimeve proceduriale.
Ndërkohë që në banesën e deputetit Olldashi kanë nisur vizitat e kortezisë nga miq, të afërm, kolegë, përfaqësues të politikës, të cilët gjenden pranë familjes së të ndjerit në këtë moment të vështirë për to.
Për shkak të ndarjes nga jeta të deputetit demokrat Olldashi Kuvendi nuk do të zhvillojë seancën parlamentare të së enjtes. Rreth orës 11:00 të ditës së sotme në Kuvend do të zhvillohen homazhet ne nderim të figurës së njohur në skenën politike dhe në 14:00 do të zhvillohet dhe ceremonia mortore, ku familjare, të afërm, miq, kolegë deputete do t'i japin lamtumirën e fundit.
Referuar të dhënave të ardhura nga Policia e Shtetit, informacion që u lëshua në 00.35 minuta të ditës së sotme bëhet me dije se në makinën me të cilën udhëtonte deputeti i Partisë Demokratike nuk ka patur person tjetër përveç Sokol Olldashit. Policia nuk ka dhënë asnjë lloj informacioni tjetër në lidhje me ngjarjen e rëndë në të cilën ka humbur jetën i vetëm në greminë 41 vjeçari. Policia që ka mbërritur në vendin e ngjarjes me në krye një prokuror dhe ekspertë të policisë rrugore të cilët dyshojnë se makina ka hyrë me shpejtësi në kthesë ç`ka ka shkaktuar zhvendosjen e saj dhe rënien në humnerë. Nga informacionet e dhëna që dha shoferi i tij dhe kolegu Igli Cara, kanë mundur të fiksojnë se telefonata që është kryer nga Sokol Olldashi ka qenë pikërisht në orën 21.18 minuta. Vendi në të cilin, mjeti personal i Sokol Olldashit, një Audi Q7, ka dalë nga rruga, është kthesa e lapidarit të Krrabës, një pjesë rruge tërësisht pa sinjalistikë dhe pa asnjë barrierë anësore. Mjeti është gjendur në një pozicion 180 gradë në humnerë, ndërsa trupi i tij është mundësuar të nxirret vetëm pas më shumë se një ore. Pas konfirmimit se Sokol Olldashi kishte ndërruar jetë, vëmendja është postuar nga vendi i ngjarjes, Krraba, në ambientet e jashtme të morgut të Tiranës. Thuajse gjithë funksionarët e lartë të PD-së, ministra, krerë të Policisë së Shtetit, miq të afërt të të ndjerit kanë qëndruar për orë të tëra në morg për të pritur daljen e trupit të njeriut dhe mikut të tyre.

 

Tiranë, 21 nëntor - -“Kam bërë aksident, jam keq!” Këto janë fjalët e fundit që ka thënë Sokol Olldashi, teksa automjeti i tij kishte përfunduar në greminën e Krrabës. Sinjali i fundit i jetës së tij ka shkuar në celularin e shoferit të tij, i cili në momentin e marrjes së lajmit të keq ka lajmëruar sallën operative dhe bashkë me deputetin e PD-së, Igli Cara, janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes me idenë për t’i dhënë ndihmën mikut të tyre, njofton sot.”Shekulli”. Mirëpo, kur kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, automjeti nuk është parë në rrugë, ndërsa kalimtarë të rastit kanë shquar dritat e bllokazhit të një makinë në humnerë. Derisa ka mbërritur policia, ambulancat, prokuroria, ka qenë shumë vonë. Shumë vonë për të mbajtur në jetë Olldashin! Trupi i tij është nxjerrë rreth 1 orë e 15 minuta pas mbërritjes së policisë në vendin e ngjarjes, më pas është transportuar në drejtim të morgut. Në vendin e aksidentit kanë mbërritur krerët e PD-së, ministri i Brendshëm, Tahiri, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe deputetë të opozitës. Bashkëshorten e Sokol Olldashit, Enkeledën, e ka shoqëruar deputetja e PD-së, Mesila Doda. Ishte e trishtuar. Gruaja ka përjetuar mjaft rëndë ngjarjen, ndërsa policia dhe personat e tjerë janë munduar ta qetësojnë gruan për gjendjen e tij duke i thënë se është gjallë.  

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...