Bujqësia potencial zhvillimi, megjithatë e anashkaluar

11 Tetor 2013 - 08:58      

Bujqësia, e cila konsiderohet si një nga potencialet më të mëdha që ka Kosova, vazhdon të mbetet e pazhvilluar për shkak të investimeve të pakta që bëhen në këtë sektor.

Prishtinë, 11 tetor - Bujqësia, e cila konsiderohet si një nga potencialet më të mëdha që ka Kosova, vazhdon të mbetet e pazhvilluar për shkak të investimeve të pakta që bëhen në këtë sektor.

Ekspertë të bujqësisë dhe përfaqësues të agrobizneseve, thonë se zhvillimi ekonomik më i përshpejtuar në Kosovë, mund të ndodhë vetëm nëse zhvillohet sektori i bujqësisë. Sipas tyre, me zhvillimin e bujqësisë mund të rritet Bruto Produkti Vendor dhe të zbutet shkalla e lartë e papunësisë.

Profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Ymer Rusinovci, thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht faktit se sektori i bujqësisë është një nga sektorët më strategjik të një vendi, në Kosovë mbetet i anashkaluar.

“Në Kosovë, kjo situatë në këto 14 vjet është thuajse alarmante, problemet janë grumbulluar. Si problem mjaft shqetësues janë strukturat qeveritare që nuk e trajtojnë si duhet Ligjin për shfrytëzimin, menaxhimin dhe ruajtjen e drejtë të tokës bujqësore”.

 “Kjo pasuri, ky resurs natyror po shkatërrohet, po degradohet dhe po tjetërsohet dita-ditës. Kjo gjendje të shpie në pasoja të mëdha dhe e cila mund t’i kushtojë shumë shoqërisë, por edhe brezave të ardhshëm”, thotë Rusinovci.

“Agrovizion”, është njëra nga kompanitë në Kosovë, e cila merret me bujqësi. Kjo kompani menaxhon 40 hektarë tokë bujqësore. Në tregun e Kosovës ajo është prezent me shumë prodhime bujqësore.

Labinot Spahiu, menaxher i shitjes dhe marketingut në këtë kompani, tregon për Radion Evropa e Lirë se janë ndihmuar nga institucionet kompetente të Kosovës për të zhvilluar veprimtarinë e tyre.

“Ky sektor me kapacitete që ne punojmë, kërkon shumë investime deri te koha kur fillon kthimi i investimeve. Këtë do ta quaj një problem dhe sfidë”, bën të ditur Spahiu.

Zhvillimi i sektorit të bujqësisë ishte paraparë të jetë një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në kuadër të planit të zhvillimit ekonomik për periudhën 2011-2014.

Ky plan, sektorin e bujqësisë e kishte konsideruar si një nga potencialet më të mëdha për zhvillim më të hovshëm ekonomik në vend.

Institucionet e Kosovës vazhdimisht kishin theksuar se po punojnë në rimëkëmbjen e bujqësisë. Po ashtu, ishte ngritur edhe buxheti për bujqësinë. Sipas të dhënave zyrtare, buxheti i Ministrisë së Bujqësisë nga 300 mijë euro sa ishte në vitin 2007, është rritur në 24.3 milionë euro në vitin 2013.

Sidoqoftë, investimi në këtë sektor, nga eksperti i bujqësisë Ymer Rusinovci  vlerësohet të jetë ende shumë i vogël.

“Bujqësia nuk ka një tretman, që meriton dhe të cilin duhet ta ketë. Nuk po marr ndonjë shembull që ka tretman të lartë në bujqësi, siç janë vendet e Bashkimit Evropian apo Amerika. Zakonisht modelet merren me shtete e rajonit. Në secilin prej vendeve të rajonit, bujqësia e ka një tretman shumë më të mirë krahasuar me ne, shikuar edhe nga projeksionimi buxhetor, shikuar edhe nga qasja dhe serioziteti”, vlerëson Rusinovci.

Kosova, vazhdon të jetë importuese e madhe e prodhimeve bujqësore. Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, misri dhe gruri janë produktet ushqimore, të cilat më së shumti importohen nga shtete të ndryshme të botës.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...