“DAM Fest” e nisi maratonën

26 Mars 2010 - 10:22      

Salla e Teatrit Kombëtar të Kosovës, të enjten në mbrëmje, është përthekuar në tinguj muzike.

Prishtinë, 26 mars – Salla e Teatrit Kombëtar të Kosovës, të enjten në mbrëmje, është përthekuar në tinguj muzike. Çdo gjë nisi si me një skenar të shkruar mirë. Rrahja e tupanit dha ritmin e parë për fillimin e një mbrëmjeje muzikore. Ajo vetëm ishte paralajmërimi për një maratonë muzikore - hapjen e edicionit jubilar të festivalit ndërkombëtar të muziktarëve të rinj “Dam Fest”.
Interpretimi nga Orkestra e Re e Prishtinës, e veprës “Katër stinët” e kompozitorit me nam Antonio Vivaldi, ngriti perden programit të “DAM Fest”. Skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës ishte nikoqire e muziktarëve kosovarë dhe atyre mysafirë nga Shqipëria, të cilët pas performancave u shpërblyen me duartrokitje të pakursyera të publikut.
Përveç veprës “Katër stinët”, në kuadër të mbrëmjes së parë të “DAM Festit”, u prezantua edhe kori “Newborn”.
“Ajka” e mbrëmjes që nisi maratonën e “DAM…”, ishte “jetësimi” në skenë i veprës së Donika Rudit, “Aura II”, të cilën kompozitorja e kishte shkruar posaçërisht për ditëlindjen e pestë të këtij festivali. Orkestra e Re e Prishtinës, kori “Newborn” dhe violinisti i njohur shqiptar Ethem Qerimi qenë ata që interpretuan këtë vepër.
Drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Muziktarëve të Rinj, Dardan Selimaj, është shprehur i kënaqur me fillimin e festivalit.
“Pa modesti e them se ky është edicioni që gjithmonë e kam pasur në mendje dhe jemi munduar që këtë vit një hapësirë të madhe t’ua japim muzikantëve vendorë. Kjo ishte edhe arsyeja që festivali u hap me muzikantë vendorë dhe mysafirë nga Shqipëria”, ka thënë Selimaj. “Do të mundohemi që gjatë dhjetë netëve të Festivalit të udhëtojmë nëpër shekuj por aksenti do të jetë te muzika bashkëkohore”, ka shtuar ai.
Kompozitorja Donika Rudi, e cila kishte zgjedhur që për këtë edicion të “DAM Festit” të realizonte veprën e kushtuar këtij festivali, ka thënë se mënyra se si e priti publiku interpretimin e “Aura II” e shpërbleu punën e bërë.
“Është hera e parë që shkruaj një vepër posaçërisht për DAM. Vepra është vazhdimësi e “Aura I”. Jam jashtëzakonisht e kënaqur me mënyrën si u interpretua dhe si u prit nga publiku”, ka thënë Rudi.
Udhëheqësi i Orkestrës së Re të Prishtinës, e cila për herë të parë u ngjit në skenë në kuadër të “Dam..”, Visar Kuqi, ka thënë se për të është hera e pestë që interpreton në kuadër të këtij festivali dhe se gjithmonë ka përshtypje të mira.
“Gjithmonë është mirë kur del në koncerte, por kur të jepet përgjegjësia për të hapur një festival në të cilin do të ketë emra të njohur është kënaqësi e madhe e sidomos kur këto koncerte i kalon suksesshëm”, ka thënë Kuqi.
Festivali Ndërkombëtar i Muziktarëve të Rinj do të zgjasë deri më 19 prill. Në kuadër të këtij festivali do të marrin pjesë muziktarë si kompozitori David Dzubay, dirigjenti Claudio Buchler, violinisti Alexandre Dubach, violinistja Liana Gourdija, pianistja Rosalind Parker etj. Sponsor medial i “DAM Festit” është Grupi KOHA, përderisa festivali mbështetet edhe nga kompania “Ipko”, Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, Banka Ekonomike dhe Kuvendi Komunal i Prishtinës.


Mjeshtri shqiptar i violinës, mysafir special në hapjen e “DAM Festit”

Violinisti 76-vjeçar shqiptar, Ethem Qermi, i cili ishte mysafir special në mbrëmjen e parë të “Dam Fest…”, ishte ai që ngriti në këmbë publikun e mbledhur në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Interpretimi veprës “Aura II” të Donika Rudit, shoqëruar nga Orkestra e Re e Prishtinës dhe kori “New Born”, ishte pika kulmore e mbrëmjes së parë koncertale të këtij festivali.
Pas performancës, Ethem Qerimi është shprehur shumë i kënaqur që ka pasur rastin të performojë para audiencës kosovare.
“Është hera e parë që performoj në këtë festival, por i kam ndjekur festivalet që janë bërë së fundi në Kosovë dhe më vjen mirë që u bëra pjesë e njërit prej tyre”, ka thënë Qerimi.
Violinisti 76-vjeçar e ka vlerësuar lart mënyrën e organizmit të Festivalit Ndërkombëtar të Muziktarëve të Rinj.
“Ky festival është i një niveli të ngritur shumë dhe më pëlqen sepse të mbërrish kaq shpejt në këtë nivel është pak e vështirë”, ka thënë Qerimi. “Publiku është i veçantë dhe e falënderoj shumë për mbështetjen që më dha”, ka shtuar ai.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...