Shqiptari yll në kinematografinë turke të viteve 1900

22 Gusht 2013 - 10:14      

Arif Dino, një aktor shqiptar yll në kinematografinë turke të viteve 1900, shkruan Shqip, duke rikujtuar se me gjithë jetën artistike plot pasione ai nuk e harroi asnjëherë shqipen, edhe pse në vendin e tij ende ka mbetur i panjohur.

Tiranë, 22 gusht - Arif Dino, një aktor shqiptar yll në kinematografinë turke të viteve 1900, shkruan Shqip, duke rikujtuar se me gjithë jetën artistike plot pasione ai nuk e harroi asnjëherë shqipen, edhe pse në vendin e tij ende ka mbetur i panjohur.

Teksa dritat e fundit fikeshin në Kuzguncuk, pjesa aziatike e Stambollit mbështillej me ngjyrën e mëndafshtë të hënës. Në tryezën e tij të punës, Arif Dino ulej e hidhte në letër vargjet e zemrës. Ishin të pafundme ndjenjat që e përshkonin në ato çaste kur errësira dukej sikur pushtonte gjithçka, dhe ai arrinte ta shihte sërish dritën… Për një burrë që i kishte pëlqyer udhëtimi, e papritura dhe gjithnjë kishte guxuar nuk kishte gjë më të bukur, se t’i dorëzoheshe qoftë për disa momente romantizmit. “Zemra ime që vibron në dritare/prej pagjumësisë/ shkatërroje rrethojën e tejdukshme/thyeje/godite…ëndrrën/”, shkruan ai në poezinë “Pagjumësi”. Poezitë e shkruara prej tij ishin ato çfarë dilnin prej trupit, atëherë kur mendja dukej sikur ishte si asnjëherë pranë zemrës. Një burrë i pashëm, që i pëlqente të vishej plot stil, Arif Dino do të kishte uljet dhe ngritjet në karrierën e tij si artist. Në vitin 1928, ai do të ishte ylli i ri i kinematografisë greke, me rolin që pati në filmin “Porti i lotëve”. Kur shkoi në Greqi në atë periudhë ai nuk e dinte se pasioni për pikturën, dhe aftësia për t’iu përshtatur situatave do ta veçonin atë mes dhjetëra aktorëve për të interpretuar në këtë film të rëndësishëm për kohën. Arif Dino kishte studiuar në Stamboll në gjimnazin francez e më vonë në Bruksel… Kultura franceze kishte ngacmuar te djaloshi shqiptar dëshirat e fshehura thellë diku për artin. Që në gjimnaz në kontaktin e parë me librat dhe filmat ai do ta ndiente zërin e artistit brenda tij. Në Stamboll arkivat ruajnë detaje interesante nga jeta e një prej personazheve më të njohura të publicistikës dhe kinematografisë së pas viteve 1900, i cili edhe pse ishte lindur dhe jetoi në Stamboll fjalët e zemrës i thoshte gjithmonë në gjuhën shqipe. Për shkak të kohës në të cilën jetoi  dhe atë çfarë ndodhi me Shqipërinë pas 1945 jeta dhe kontributi i Arif Dinos mbeti e panjohur për shqiptarët. Kritikat e tij mbi kinematografinë dhe lëvizjet artistike të kohës në të cilën jetojnë, tregojnë një mendje të mprehtë dhe plot ide.  Ky artist, jeta e të cilit ka inspiruar kritikë arti e biografë turq të frymëzon me jetën e tij, e të bën krenarë që është shqiptar. Në të gjitha kronikat e kohës përmendet emri i tij, si një protagonist plot energji, i cili sillte reflektime dhe efikasitet në artin e tij. Arif Dino ishte aktor, piktor, poet. Në të tre dimensionet në të cilat ai pëlqeu të shprehej, reflektohet profesionalizmi dhe arti i vërtetë, çka e veçon atë nga personazhe të tjera të atyre viteve. Dhe pse jeta e tij nuk qe gjithë kohën e artë, ashtu si të gjitha jetët, Arif Dino vendosi të ishte një udhëtar i vetëm në fatin dhe pasionin e tij, duke ia përkushtuar jetën pikërisht një pasioni të madh siç është arti.

Në historinë e shqiptarëve që jetuan jashtë Shqipërisë, jeta dhe kontributi i Arif Dinos do të bëhet e njohur dikur, atëherë kur enciklopeditë e personazheve të artit shqiptar do të kenë të renditur emrin e tij, bri emrave të tjerë ndoshta ende të panjohur, arkivave të botës…

 Një udhëtar pasionesh

Arif Dino është djali i dytë i Rashih Dinos, i të birit të prevezasit të njohur, Pasha Abedin Dinos. U lind në vitet 1892 ose 1893 në Stamboll dhe, ashtu si vëllai i tij më i madh, Aliu, shkoi edhe ai disa vite në shkollë në Prevezë, pastaj përfundoi gjimnazin francez në Stamboll. Studioi për Agronomi në Bruksel dhe në Universitetin e Gjenevës për shkencat politike. Veç gjuhës greke, e cila ishte gjuha e tij kryesore, dinte shumë mirë edhe gjuhën turke, edhe atë frënge. Edhe pse në asnjërën prej biografive të tij nuk flitet për gjuhën shqipe, ai e fliste shumë mirë. Ilia Vasilai për Arif Dinon shkruan: “Më kujtohen skica dhe akuarele të tij me ngjyra, të ekspozuara në uzerinë e Katiniotit (në Prevezë), në vitet 1918-1920 dhe fotografi nga skenat e veprave kinematografike, të cilat i xhiroi në Stamboll. Cilësohet si një prej regjisorëve dhe skenografëve të parë të kinematografisë turke“[1]. Në vitin 1924 u shpërngul në Athinë, ku ishte bashkëpunëtor dhe aksioner i “DAG Film” A.E., e cila ishte firma e parë kinematografike e Greqisë, e themeluar në vitin 1920 prej vëllezërve Gaziadhi, me prejardhje prej Stambollit. Në Athinë punoi si piktor, por edhe si aktor dhe një prej filmave më të njohur të kinematografisë pa zë, ku ka luajtur, është: “Porti i lotëve”, i “DAG Film”, i xhiruar në vitin 1928, me protagonistë Athanasia Mustakën dhe Emilio Veaqin. Pas shfaqjes së parë të këtij filmi, e cila u bë në janar të vitit 1929, u rikthye në Stamboll dhe filloi të shkruajë kritikë arti në revistën “Yeni Adam”. Me kthimin e tij në Stamboll, në vitin 1929, sipas shkrimeve të Osman Kurrizit, të cilat janë ende të pabotuara në një libër, ai solli me vete edhe muzikantin nga Preveza, klarinetistin e njohur, Niko Xharën, për të vazhduar më tej studimet e tij, gjë që ia siguroi ai, duke i dhuruar edhe një klarinetë turke, e cila sot gjendet në koleksionin e të birit të Niko Xharës, Dhimitrit.  Në vitet 1939-1942, duke botuar poezi në revistën përparimtare “Yeniler”, hyri në lëvizjen kundër pushtimit fashist dhe për pasojë u internua në qytetin e vogël Mecitozu të krahinës Çorum të Turqisë, kurse më vonë në Adana, së bashku me të vëllain e vet, Abedinin. Në vitin 1951 u rikthye në Stamboll, në shtëpinë e vogël që mori në lagjen “Kuzguncuk”, në pjesën aziatike Uskudar të atij qyteti, ku jetoi i vetmuar vitet e fundit të jetës së tij, pasi nuk ishte i martuar, ku edhe vdiq në 30 mars 1957. Gjatë viteve kur ishte student në Bruksel dhe në Gjenevë, paralelisht merrej edhe me boks, me vizatim portretesh dhe me artin kulinar. Edukata e tij e gjerë dhe kultura e tij e thellë, poezia, skulptura dhe piktura e tij, e bënë atë, që në dhjetëvjeçarin e viteve 1940 të jetë “prijës” në rrethet përparimtare kulturore dhe artistike të Stambollit.

Vepra pikture të Arif Dinos.

Si njeri me ide majtiste të sinqerta, por njëherësh edhe rebel dorëlëshuar, nuk u interesua për veprat e tij, prandaj edhe të gjitha poezitë e tij në gjuhën frënge dhe turke, shumica e të cilave janë të shkruara mbi skica dhe fotografi, u mblodhën prej të afërmve dhe miqve të tij: Nuri Forward, Abedin Dino, Zahir Guvemli dhe Fikret Adil dhe në vitin 1985 ato qarkulluan në Stamboll në një libër me titull: “Çok yasasin oluler” (“Mbijetesa e të vdekurve”), e shtëpisë botuese “ADAM”. Këtu desha të shtoja se, miku im i lartpërmendur, me prejardhje suliote-preveziane, Arnauti Stambollit, Osman Kurrizi, më ka lutur të gjej edhe poezitë e tij në gjuhën greke, të cilat, siç theksohet, u botuan në shtypin athinas, në hapësirën e viteve 1924-‘28, kur ai jetonte në Athinë, gjë të cilën nuk kam mundur ta bëj deri sot.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...