Për brazilianët, Spanja nuk luan futboll atraktiv

22 Qershor 2013 - 09:09      

Kur Përfaqësuesja e Spanjës në futboll të rikthehet vitin tjetër në Brazil për Botëror dhe të dalë në fushë për të zhvilluar ndeshje, do ta pranojë një mirëseardhje nga stadiumi i stërmbushur me brazilianë të tipit: "Boooooooooooo!".

Rio de Janeiro, 22 qershor - Kur Përfaqësuesja e Spanjës në futboll të rikthehet vitin tjetër në Brazil për Botëror dhe të dalë në fushë për të zhvilluar ndeshje, do ta pranojë një mirëseardhje nga stadiumi i stërmbushur me brazilianë të tipit: "Boooooooooooo!".

Kampionët në fuqi të botës dhe Evropës deri më tani i kanë zhvilluar dy ndeshje në Kupën e Konfederatave dhe asnjëherë nuk janë përshëndetur apo përkrahur nga tifozët e pranishëm në tribuna, të cilët janë kryesisht brazilianë, shkruan Yahoo.sports.

Brazilianëve aspak nuk iu intereson stili i lojës së Spanjës, i njohur si "tiki-taka". Ata insistojnë se po vijnë në stadium për të parë spektakël dhe për t'u kënaqur me driblime e gola madhështor, e nuk vijnë për ta shikuar "baletin" e Spanjës, që aplikon lojë me pasime dhe dëshiron ta ketë posedimin e topit gjatë tërë ndeshjes.

"Spanja aspak nuk është e dëshiruar në Brazil. Të gjithë i urrejnë spanjollët, pasi ata nuk po luajnë futboll atraktiv, por balet", tha një tifoz brazilian, i cili shtoi se nuk do të shkojë më në asnjë ndeshje të Spanjës edhe nëse ajo kualifikohet në finalen e Kupës së Konfederatave.

Spanja në ndeshjen e fundit të kësaj kupe mposhti me rezultat rekord Përfaqësuesen e Tahitit, 10:0. Tahiti në radhët e veta ka vetëm një lojtar profesionist, i cili po bën karrierë në Greqi. Tifozët vërshëllyen Spanjën në çdo gol të shënuar, por nuk i kursyen ata as kur nuk donin të shënonin gola ndaj Tahitit, duke e mbajtur topin dhe pasuar.

"Spanja edhe njëherë konfirmoi se është ekipi më i urryer në botë. Ata nuk do të jenë të mirëpritur as vitin tjetër në Kampionatin Botëror", tha tifozi tjetër nga Brazili.

Spanjollët në ndeshjen kundër Tahitit luajtën me dhjetë ndryshime në formacion. I vetmi lojtar i ekipit të parë që u aktivizua në këtë ndeshje gjatë 90 minutave ishte mbrojtësi Sergio Ramos, i cili mbajti shiritin e kapitenit.

"Unë nuk e kam nënvlerësuar Tahitin, por thjesht e kam parë të arsyeshme t'i bëj ato ndërrime, pasi lojtarët kryesorë u lodhën në ndeshjen e parë me Uruguain", tha seleksionuesi Vicente del Bosque. "Tahiti është kampion i Oqeanisë dhe ishte një kundërshtar i vlefshëm për ne".

Del Bosque aspak nuk është i shqetësuar me faktin se ekipi i tij po vërshëllehet në Kupën e Konfederatave për shkak të lojës që po e aplikon. Ai ka insistuar se Spanja do të vazhdojë të luajë lojën e njëjtë, pasi pikërisht falë kësaj arriti suksese të mëdha.

"Të gjithë e kanë mendimin e vet. Nuk ka ndonjë peshë të madhe që na vërshëllejnë apo urrejnë. Ne do të luajmë lojën tonë dhe do të mundohemi ta fitojmë titullin e kampionit në Kupën e Konfederatave", u shpreh Del Bosque. "Ne i kemi lënë prapa sukseset e të shkuarës dhe tash po shikojmë përpara për suksese tjera".

Del Bosque bëri të ditur se vetëm trofeu i Kupës së Konfederatave është ai që i mungon Spanjës. Spanja është lidere e Grupit B, me gjashtë pikë të mbledhura pas dy ndeshjeve të zhvilluara. Nigeria dhe Uruguai ndajnë pozitën e dytë dhe të tretë me nga tri pikë, ndërsa i fundit është Tahiti pa asnjë pikë. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...