Mujota lidh kontrata me kompanitë nën hetime

11 Qershor 2013 - 14:50      

Ministria e Infrastrukturës (MI), e cila drejtohet nga Fehmi Mujota, ua ka vazhduar edhe për një vjet kontratat e kompanive për mirëmbajte verore dhe dimërore të rrugëve, deri sa 9 kontrata bazë mes Ministrisë dhe kompanive private ishin nën hetime. Zyra e Auditorit Gjeneral të Kosovës (ZAGJK), gjatë auditimit të pasqyrave financiare për MI-në për vitin 2012 ka gjetur shumë shkelje e parregullsi.

Prishtinë, 11 qershor   - Ministria e Infrastrukturës (MI), e cila drejtohet nga Fehmi Mujota, ua ka vazhduar edhe për një vjet kontratat e kompanive për mirëmbajte verore dhe dimërore të rrugëve, deri sa 9 kontrata bazë mes Ministrisë dhe kompanive private ishin nën hetime. Zyra e Auditorit Gjeneral të Kosovës (ZAGJK), gjatë auditimit të pasqyrave financiare për MI-në për vitin 2012 ka gjetur shumë shkelje e parregullsi.

Sipas auditorit gjeneral gjatë vitit 2011 MI-ja kishte vazhduar edhe për një vit 9 kontrata bazë me OE aktual për mirëmbajtje verore dhe dimërore të rrugëve. Sipas auditorit ministria këto i kishte vazhduar pa prokurim derisa kontratat bazike ishin të gjitha nën hetime dhe kanë treguar që kjo qasje ishte dakorduar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

“Sidoqoftë, kjo qasje mbetet në konflikt me kërkesat ekzistuese ligjore. Dështimi për të hapur procedura të reja të prokurimit mund të rezultojë në ankesa ligjore nga tenderuesit potencialë dhe të rezultojë në vlerë të dobët në para për shkak se konkurueshmëria e OE ekzistues nuk është testuar përderisa dobësitë ekzistuese të kontratës nuk janë shqyrtuar apo adresuar”, thuhet në raportin e auditorit për MI-në.

Po ashtu, auditori ka gjetur edhe raste kur është bërë përzgjedhja e operatoreve ekonomikë pa përmbushur kriteret e kërkuara. Kontratat janë dhënë përkundër mospërmbushjes së kritereve të kërkuara. “Në lëndën ‘Servisimi dhe mirëmbajtja e gjeneratorëve’, MI-ja ka zhvilluar procedurat me dy OE. Njëri prej operatorëve nuk kishte sjellë të gjitha dëshmitë si: sigurimin e tenderit, licencën nga MTI-ja, si dhe përmbushjen e obligimeve ndaj ATK-së, shkruan “Zëri”.

Ky operator nga komisioni i vlerësimit ishte vlerësuar i përgjegjshëm, ndërsa fituesi nuk kishte sjellë sigurimin e ekzekutimit të kontratës.

Parregullsi janë gjetur edhe te sistemi elektronik për regjistrimin e orëve të punës, ku sipas raportit të auditorit vetëm 30 për qind e të punësuarve të MI-së kanë regjistruar kohën e tyre. Ndërsa dy zyrtarë kanë refuzuar kartelat për regjistrin elektronik. Po ashtu, zyra e auditorit gjatë auditimit të pasqyrave financiare për Ministrinë e Infrastrukturës ka gjetur raste kur MI-ja ka bërë pagesa për shërbimet e pakontraktuara të udhëtimit.

“Në bazë të LPP nr. 04/L-042 çdo pagesë bazohet në kontratat valide. Me aprovimin e ZKA-së është bërë pagesa në vitin 2012 në vlerë 41,397 euro për shërbime të udhëtimit jashtë vendit. Këto shërbime i takojnë periudhës 2008 deri në 2011 për të cilat MI-ja nuk kishte marrëveshje paraprake me OE përkatës”, thuhet në raport.

Po ashtu, shkelje janë gjetur edhe te kontrata për riparimin e automjeteve. Në specifikacionin teknik të kontratës për servisim dhe mirëmbajtje të veturave, riparimi gjeneral i motorit të veturës kushtonte 5 euro. Por, përkundër kësaj MI-ja ka lidhur kontratë tjetër me OE të njëjtë në vlerë prej 8,768 euro për riparim gjeneral të një motori, që nënkupton që vlerat origjinale të kontratës ishin joreale dhe MI nuk ishte në gjendje të sigurohet që OE ofroi një marrëveshje ekzistuese kontraktore.

Shkelje janë gjetur edhe te kontrata për shërbime të veçanta mbi 6 muaj. “Për shkak të kufizimeve në numrin e përhershëm të stafit, MI-ja ka të lidhura 5 kontrata për shërbime të veçanta-pozita për punëtorë. Këto mund të implementohen vetëm për 6 muaj, mirëpo në dy raste kishte vazhdime mbi gjashtë muaj”, thuhet në raport

Zyra e Auditorit Gjeneral e Kosovës në Drejtorinë e Rrugëve në katër raste ka gjetur kur gjate licencimit, për transportin e mallrave, OE nuk kishin dorëzuar vërtetimin nga ATK rreth gjendjes së tatimeve dhe certifikatën për kamion1.

”OE të palicensuar do t’i ikin pagesës së tarifave të nevojshme tek MI dhe me këtë do t’i ulin të hyrat e pritura dhe kamionët e cilësisë së dobët (dhe joriparimi i tyre), mund ta ulin sigurinë në komunikacionin rrugor dhe potencialisht do të rezultojnë në kosto shtesë për sektorin publik nëse përfshihen në aksidente etj.”, thuhet në raport.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...